Spac Biznesi me simbolin

Spac, Biznesi me simbolin
Kur pak ditë më parë, ish-i dënuari i Spaçit, Fatos Lubonja, nxori problemin e rrënimit të Kampit të Spaçit, shumë nga kolegët gazetarë e lokalizuan në vjedhje për skrap dhe e objektivizuan me emrin e të vëllait të ish-komandantit të Gardës, që u lirua së fundmi nga akuzat e vrasjeve të “21 janarit”. Kjo e banalizoi disi çështjen, pasi trishtimi i të dënuarve sot nuk është më se po e vjedhin apo sepse po e shpërfytyrojnë dëmin në Spaç, por për harresën e këtij simboli dhe gënjeshtrat për kthimin e tij në një muze evropian të Diktaturës. Për këtë i flasin “Javës” ish-të dënuarit Maks Velo, Visar Zhiti dhe akuzuesi i fundit i këtij rrënimi... Fatos Lubonja

Pak vite më parë, një firmë gjermane, tentoi të blinte territorin pranë njërit prej seksioneve të Birkenaut për të ndërtuar një supermarket gjigand. Ujdia ishte gati përfundimit me autoritetet polake. Ironia e kapitalizmit, këtë herë e kalonte edhe përfytyrimin më haluçinant të L2B. Kaq do mjaftonte, që i gjithë komuniteti hebre në botë, të mobilizohej dhe me kontributet e një mase të madhe njerëzish të thjeshtë të blinin tokën, thjesht që territori të mbetej ashtu i boshtë, në përkujtim të qindra e mijëra të rënëve aty.

Kjo histori është tejet e largët për Shqipërinë, sepse njerëzit që kanë qenë në Spaç, në shumicën e rasteve janë të papunë dhe mezi mbijetojnë. Kurse ata që mund të ikin tashmë aty rregullisht (veç ish-të dënuarve apo vizitorëve të rrallë nostalgjikë), kanë si motiv vetëm zhvatjen dhe përdorjen për skrap të elementëve të fundit të mbetur, të këtij simboli të gjallë të diktaturës. Pikërisht, zhvatja për skrap ishte edhe fillesa e alarmit të fundit, e cila është dhënë nga ata pak njerëz që kanë qenë për vizitë atje.

Pasi, sot, rrallë e shumë rrallë shkon tashmë ndonjë makinë në Spaç. Përveç ndonjërës syresh, që zbret nga një firmë, e cila punon tutje sipër, një minierë e re, dhe që sjell poshtë ndonjë punëtor të vonuar. Dimri e bën më të hidhët udhën, por më shumë akoma vendin, ku kaluan jetën breza të tërë të dënuarish shqiptarë. Megjithatë, në atë qetësi vrastare, ku e vetmja zhurmë që mbizotëron është era, një grup njerëzish punojnë të papenguar. Ata janë hajdutët e skrapit. Që nuk duan t’ia dinë.

Me instinkt dinë mirë se qeveria e sotme nuk ka se çfarë t’i bëjë të keqes dhe zhvatin e zhvatin të patrazuar. Në nënvetëdije kanë kujtimin e hidhur se po zhdukin një nga simbolet e diktaturës, por edhe zërin tjetër, atë të mbijetesës, që harron simbolet, rregullin, gjithçka. Dhe, u vlen për biznes, që nuk njeh asgjë. Sa i përket qeverisë, ata harroji, pasi në malin e premtimeve, kjo e Spaçit është harruar. Fatos Lubonja, që do lëshonte alarmin këto ditë, kumtoi se për një ironi të ironisë, protagonist i zhveshjes së Kampit famëkeq, ishte edhe vëllai i sapotëliruarit të akuzave të vrasjes së 21 Janarit, Ndrea Prendit.

Si për ironi, emri i këtij të fundit pas lirimit spektakular, e bënte jo vetëm të dhimbshme, ironike dhe tragjike, por edhe krejt të kotë përpjekjen e këtyre ditëve të shkurtit 2013, për ta kthyer në muze këtë vend. Lubonja nuk do t’ia falte medias që u mor vetëm me emrin e të vëllait, ndërkohë që i dhembte i gjithë mendimi i tij, dhe humbja e një objekti që kish mbajtur të ngërthyer nën pushtetin e tmerrit qindra e mijëra njerëz. Në vend të gjithë kësaj, gjithçka u kthye në një biznes të rëndomtë skrapi. Dekada jetë të ndërruar me kilogramë ndryshku.
 
Muzeu

Do ishte kujtimi i trishtë i tyre që Ministria e Kulturës pak vite më parë e shpalli muze të kategorisë së dytë, dhe madje pretendonte se hartoi edhe një projekt restaurimi. Projekti, nga ajo që u prezantua në media, synonte ta kthente Spaçin të vizitueshëm me infrastrukturën që ka pasur gjatë kohës që ai funksiononte si i tillë. “Gjithë infrastruktura, akomodimi, kampi i burgut, mensat, galeritë do të bëhen të përshtatshme për t’i vizituar”, u tha atëherë.

Më optimistët mendonin se kampi, megjithëse është në një zonë të thepisur malore, do krijonte mundësi punësimi, ku një staf njerëzish do të kujdeseshin për të gjitha objektet dhe do të mundësonin po ashtu që publiku të shikonte se si kishin mbijetuar dhe jetuar të dënuarit e këtij vendi ferri. Muzeu do të përmbante objektet që do të kërkoheshin të silleshin nga vetë ish-të burgosurit apo që ruanin relikte nga jeta aty.

Nga autoritetet, do mundoheshin të ngriheshin të shtatë godinat e kampit me të gjithë mjediset e qëndrimit dhe brenda një monitor, vazhdimisht, do të shfaqte skena nga xhirimet dhe filmimet nga koha kur ambienti funksiononte si burg. Megjithatë, të gjithë ata që e kanë parë,  s’dyshojnë se ky është një kamp i sapo “bombarduar” nga e keqja e pafundme e këtij vendi, që s’kursen më asgjë.
 
Ata

Visar Zhiti, i pyetur për JAVA, ishte gati që po të kishte mbifuqi ta bombardonte vetë Spaçin, sepse i sillte ndjesi shumë të këqija. Maks Velo nuk shkon më dot në Spaç pasi për herë të fundit, kur ka qenë vite më parë, e ka parë me sy rrënimin dhe madje ka apeluar me miq dhe në media. Kurse Fatos Lubonja, që pak ditë më parë e apeloi për herë të fundit gjëmën, i pëlqen të shkojë vazhdimisht.

Në publicistikën e tij e ka quajtur shkuarjen atje si pjesë e “nostalgjisë së dhimbjes”, sepse në rrathët e tij të trishtimit me kujtimin e Spaçit është vetja, bashkëvuajtësit dhe e gjithë shoqëria, e cila ka nevojë ta njohë e ta kuptojë dramën e atij vendi, shtuar me të rinjtë që duhet të mësojnë se çfarë ka qenë ai regjim. Në fakt, nga Spaçi mund të përfitonin të gjithë, por më shumë prej të tërëve politikanët në fuqi, që e kanë mbajtur të okupuar çështjen e të përndjekurve si çështjen e tyre. “Ndoshta është nga të paktët vende të botës komuniste apo Gulagët e Lindjes, ku në të njëjtin vend ke edhe minierë edhe burg bashkë”, shton Lubonja.
 
Të përndjekurit dhe Spaçi, sot

Dhimbja më e madhe dhe më e trishtueshme u mbetet sërish vetë të përndjekurve. Sot, në Spaç, ekziston vetëm majë një strukture shkallësh (shkallëzat e para janë të hequra) një memorial i konceptuar mbi një gur të gdhendur që lexohet me zor dhe vetëm në vendin ku njerëzit pushkatoheshin një tabelëz vendosur nga një grup rinor.

Pastaj asgjë. Shoqata e të përndjekurve që ka marrë para pa fund dhe që e ka shitur shumë vuajtjen në kurriz të komunitetit tjetër dhe në apel të shumë fatkeqëve, jo vetëm nuk bëri gjë por e ka shkatërruar krejt kauzën e të përndjekurve. Një biznes i mirëfilli me shitjen e simbolit. “’Shoqata e Ish të Burgosurve Politikë’ këtë gjë e dinte, dhe nuk bënte asgjë, pasi mendjen e kishin si të vidhnin sa më shumë nga fondet e shtetit.

Këtu fajin kryesor e ka Kurt Kola, i cili qëndroi në krye të shoqatës mbi 15 vjet, dhe u hoq vetëm sepse unë protestova ashpër për skandalet e tij të pafundme. Por, të jemi realistë: Është e vështirë, është shumë e vështirë të bëhemi të ndërgjegjshëm”. Visar Zhiti në librin e tij përmendte 4 rrathët e këtij ferri, që quhej Spaç. “I gjithë kampi është ndarë në zona, ku punohet treshe, një minator dhe dy ndihmës të burgosur. Zona e Parë, ku gjendet sikleti; Zona II- zona e Ferrit.

Më larg nga zonat e tjera dhe e nxehtë për tortura. Zona III janë politikanë të njohur. Katra me artistë; Pesa me armatorë mekanikët prapavijë. Kudo i shoqërojnë minjtë e mëdhenj që të patrembur bëjnë rrugën e tyre të lirë anas shinave dhe qesëndisin kavjet njerëzore. Sikleti më i madh është fronti i nxehtë, ku temperaturat rrahin plot 40 gradë. Ajri zien i zi dhe lopata digjet”.

Por, me atë që ka ndodhur së fundmi, nuk përfytyrohet dot se ku ka qenë dikur porta e madhe e hekurit, ku të mirëprisnin cerberët në Ferrin e Spaçit. Nuk dihet dhe ku rrinin ushtarët që ruanin këta ‘djaj’. Sot, e gjithë platforma e Spaçit është shpërbërë, kurse ngrehinat e stërmëdha dhe një pllakat që të kujton të gjithë katrahurën, po bjerren. E ndërsa janë vjedhur të gjithë strukturat kanë mbetur gjallë dhe të qesëndisin ato parullat, që nxijnë nga larg.

Armiqtë dhe keqësia shkruhen me të zeza, socializmi, kuptohet me të kuqe. “Keqbërësit atakojnë (me të zezë) sistemin tonë socialist (me të kuqe)”, “Gjithë pushteti buron nga populli dhe i takon popullit (me të kuqe)”... “Armiku (me të zezë)... Ah, e nëse nuk do ishte vërtetë një tabelë e vogël dhe guri i mirënjohjes për ta, e cila shkruan: “Të rinjtë e Dioqezës së Sapës nderojnë...”, atëherë vërtetë do ishte turp i pafund, e ku shenjat e atij muzeut hipotetik të propozuar nga Berisha do dukeshin një nga utopitë më të pabesueshme të tij, në këtë biznes të ri me hekurat e ndryshkur të Spaçit.
 
Fatos Lubonja: Do doja që e gjithë Kodra të ishte shpallur muze

Publicisti dhe aktivisti i njohur i çështjeve sociale ishte i pari që dha alarmin për atë që ndodhte në Spaç. Me një përkushtim të thellë për shumë çështje, ai është i qartë se ky vend duhej të ishte prej kohësh muze, por politikanët tanë interesohen për mbarëvajtjen e bizneseve të tyre personale, që është impenjimi i tyre kryesor, pastaj politika në Shqipëri është bërë gjithnjë e më shumë virtuale bëhet nëpërmjet mediave, tani së fundi përmes Facebookut, Twitterit ku shkruhen fjalë dhe vetëm fjalë kurse realizimi i projekteve serioze kërkon punë serioze, dashuri të madhe për vendin dhe njerëzit, shprehet ai...
 
Si ish-i burgosur në kampin e Spaçit, si i keni përcjellë lajmet e fundit, që lidhen me prishjen e kamp-it dhe humbjen e imazhit të Muzeut, që ju e keni përcjellë shpesh në media?

“Siç mund ta keni marrë vesh nga shtypi, unë isha një nga vënësit e alarmit të ngjarjes së fundit. Mua më dhemb në shumë plane zhdukja e gjurmëve të Spaçit. Më dhemb si të them në formë rrathësh koncentrikë. Në rrethin e parë është plani personal, që ka të bëjë me faktin se kam kaluar atje rreth dhjetë vjet të 17 vjetëve të burgut dhe ndjej nevojën të shkoj atje herë pas here nga “nostalgjia e dhimbjes”, siç e kam quajtur në një ese këtë nevojë.

Një rreth i dytë është ai i kujtimeve të përbashkëta që kam me bashkëvuajtësit me të cilët kam kaluar vite atje. Në një rreth tjetër më të gjerë është e gjithë shoqëria, e cila ka nevojë ta njohë e ta kuptojë dramën e atij vendi që ka qenë edhe drama e saj pavarësisht nëse kanë qenë apo jo banorë të Spaçit. Në një rreth tjetër edhe më të largët janë të rinjtë që nuk e kanë jetuar atë kohë por që duhet ta dinë. Nuk e mohoj po ashtu se ai është një vend shumë interesant edhe nga pikëpamja e kuriozitetit botëror sepse nga sa di është ndoshta i vetmi vend në Gulagët e Lindjes ku kemi edhe minierë edhe burg bashkë”.
 
A ju duket se autoritetet shqiptare nuk kanë qenë asnjëherë të sinqerta për sa i përket statusit muzeor të këtij kampi?

 “Nuk mund të them se s’kanë qenë të sinqertë. Kam përshtypjen se sikur dikush t’ua bënte gati dhe pa lekë projektin do të ishin të kënaqur. Por kur vjen puna për t’u angazhuar seriozisht kjo është një punë që e konsiderojnë të dorës së fundit. Sikurse e dini më së pari politikanët tanë interesohen për mbarëvajtjen e bizneseve të tyre personale, që është impenjimi i tyre kryesor, pastaj politika në Shqipëri është bërë gjithnjë e më shumë virtuale bëhet nëpërmjet mediave, tani së fundi përmes Facebookut, Twiter-it ku shkruhen fjalë dhe vetëm fjalë kurse realizimi i projekteve serioze kërkon punë serioze, dashuri të madhe për vendin dhe njerëzit”.
 
Në një aktivitet të arteve pamore, ju sollët bashkë me kuratorin Ardian Isufi, mesazhet e harruara të këtij kampi. A mund të bëhej më shumë nga artistët, ish-të dënuarit, politika, për ta përcjellë në kohën tonë Spaçin me të gjithë tmerrin e vet?

“Në instalacionin që bëra unë në Tiranë  me kurator Ardianin janë sjellë vetëm trembëdhjetë objekte që i kam lidhur për asosacion me një histori apo një personazh. Ai vend pra është i mbushur me histori dhe drama njerëzore si ato, me personazhe e fate tragjike si ato. Prandaj mua me dhemb kur merret prej andej për t’u shkrirë në furrat e skrapit qoftë edhe një lopatë e ndryshkur e hedhur përtokë. Prandaj mendoj se e gjithë ajo kodër duhet të jetë muze, jo thjesht vendi i fjetoreve dhe komandës.

Pa dyshim ai vend e ajo kodër dhe ato galeri do të mund të kishin qenë edhe vend ku do të mund të ishin xhiruar filma fantastikë sipas meje, fiction por edhe dokumentarë me ish të burgosur që shkojnë atje sëbashku me regjisorët dhe tregojnë jetën dhe kujtimet e tyre në atë vend. Me siguri po ashtu është një vend që do të inspironte çdo shkrimtar apo poet me atmosferën e tij. Dhe sa më i pasur me objektet e asaj kohe të ishte aq më të pasura do të ishin mbresat dhe ngacmimet.

Mjaft të shohësh vendstrehën ku rrinte e priste familja të burgosurin, nganjëherë me orë të tëra deri sa të kthehej nga turni, për t’u takuar vetëm dhjetë minuta tek porta me tela qe s’është më (fotoja është enkas për atë kohë) e të përfytyroni qindra familje që kanë ndenjur nën atë strehë që pikon dashuri dhe dhimbje (me fëmijë të lënë pa babë shpesh) për të kuptuar se çfarë mëkati është ta shkatërrosh atë vend”.
 
Maks Velo: Pas Onufrit, kjo ishte thika e dytë mu në zemër

Për artistin Maks Velo, ngjarja ka qenë e paralajmëruar dhe ai vetë e ka ndeshur shumë kohë të shkuara, gjatë një udhëtimi që ka bërë me një fotograf të huaj. Trishtimi i rrënimit që kish nisur që atëherë e bëri që të mos rikthehej më. Dhe, z.Vela nuk lë pa fshikulluar përveç politikës dhe vetë institucionet e të përndjekurve: Gjithë qeveritë mbas 1990 nuk kanë qenë të sinqerta. I gjithë gjoja meraku i tyre ka qenë veç e thjesht propagandë. Sepse po të donin mund të vinin roje që kampi të mos vidhej. Në Rrëshen këtë gjë e dinë mirë. Edhe’Shoqata e Ish të Burgosurve Politikë’ këtë gjë e dinte, dhe nuk bënte asgjë, pasi mendjen e kishin si të vidhnin sa më shumë nga fondet e shtetit
 
Si ish-i burgosur në kampin e Spaçit, si i keni përcjellë lajmet e fundit, që lidhen me prishjen e kamp-it dhe humbjen e imazhit të Muzeut, që ju personalisht e keni përcjellë shpesh në media?

“Pa u mbyllur ende mirë plaga e thellë që më shkaktoi dëmtimi i rëndë i freskave të Onufrit, ja një tjetër thikë mu në zemër. Dëmtimet në Spaç kanë mbi 15 vite që kanë filluar, e nuk janë sot; por kjo e tanishmja është më e rënda sepse tani më së fundi Spaçi u shpall se do të bëhet muze, dhe u deklarua se janë siguruar edhe fondet e nevojshme për ta bërë këtë punë. Bile na thuhet se është bërë edhe projekti i restaurimeve.

Herën e fundit aty kam qenë më 2004 me fotografin Finlandez, i cili fotografonte burgjet në të gjithë botën. Edhe atëherë vazhdonte prishja dhe vjedhja e nisur që kur u mbyll kampi. Nuk shkova më sepse m’u thye zemra keq. Nuk e shoh dot në atë mënyrë, aq më tepër që disa prej objekteve (Godinën e Komandës dhe Infermierinë) i kam projektuar dhe ndërtuar gjatë viteve të burgut aty. Harri bëri foto të mrekullueshme dhe më tha se “si ky vend nuk kam parë asnjëherë, ka një force sugjestive të jashtëzakonshme…”.

Spaçi është simbol i gjithë KOMUNIZMIT LINDOR. Këtë status po e fiton dalëngadalë. Profesori amerikan i Kolumbias HAROLD B. SEGEL, në librin e tij voluminoz THE WALLS BEHIND THE CURTAIN – EAST EUROPEAN PRISON LITERATURE, 1945-1990 (University of Pittsburg Press – 2012), e fillon shkrimin me fjalët BURREL, SPAÇ, …Pra, Spaçi po bëhet një simbol botëror, ashtu si Aushvici për krimet Naziste. Ndërsa, çuditërisht për ne, kjo është një JO. Ne e vjedhim e shkatërrojmë për dy lek”.

 A ju duket se autoritetet shqiptare nuk kanë qenë asnjëherë të sinqerta për sa i përket statusit muzeor të këtij kampi?

 “Sigurisht që gjithë qeveritë mbas 1990 nuk kanë qenë të sinqerta. I gjithë gjoja meraku i tyre ka qenë veç e thjesht propagandë. Sepse po të donin mund të vinin roje që kampi të mos vidhej. Në Rrëshen këtë gjë e dinë mirë. Edhe’Shoqata e Ish të Burgosurve Politikë’ këtë gjë e dinte, dhe nuk bënte asgjë, pasi mendjen e kishin si të vidhnin sa më shumë nga fondet e shtetit.

Këtu fajin kryesor e ka Kurt Kola, i cili qëndroi në krye të shoqatës mbi 15 vjet, dhe u hoq vetëm sepse unë protestova ashpër për skandalet e tij të pa fundme. Por, të jemi realistë: Është e vështirë, është shumë e vështirë të bëhemi të ndërgjegjshëm. Po ju jap një shembull : Nëse ju kujtohet para 2 vjetësh u vodh tabela metalike në hyrje të kampit nazist të Aushvicit në Poloni, ku shkruhej ARBEIT MAHT FREI. Kjo u bë problem i medias dhe opinionit publik botëror, dhe u vunë në kërkim të autorëve , të cilët u zbuluan dhe u dënuan rëndë”.

 Juve i keni kushtuar pjesë të krijimtarisë suaj Spaçit. A mendoni se shoqëria shqiptare i detyrohet kujtimit të trishtë që ka përcjellë ky kamp?
 “Për mua Spaçi është periudha më e rëndë dhe e rëndësishme e jetës sime. Por, njëkohësisht kjo periudhë pati një forcë shndërruese , sa më bëri tjetër njeri. E kam fjalën për prodhimtarinë artistike. Jam munduar t’a jap të plotë qoftë me shkrimet ( janë mbi 50 tregime , sinopse dhe poezi  për të ) qoftë me vizatime, (cikli mbi diktaturën është me mbi 100 punime ).

Kam shkruar se kampi duhet ruajtur pa tjetër. Ai duhet të kthehet në MUZEUN E DHUNËS KOMUNISTE NË EUROPË. Si asnjë kamp tjetër, ai ka hapësirën dhe objektet e domosdoshme për këtë. Kisha menduar jo vetëm për Salla me Eksponate, por edhe një Bibliotekë dhe Arkiv të Krimeve.

Po ashtu mund të jenë edhe Sallat e Konferencave dhe takimeve ndërkombëtare. Ka ambiente të bollshme për një HOTEL , KAFE dhe RESTORANT. Tani që “Rruga e Kombit” kalon aq afër është mundësia që frekuentimi të jetë pa vështirësi. Kujtimi i trishtë që përcjell ky Kamp duhet të kthehet në një GUR TE MEMORJES KOMBETARE”.
 
Visari Zhiti: E gjithë politika shqiptare ka harruar gabueshëm
 
Për shkrimtarin Zhiti, burgu dhe kujtimet e tij kanë një peshë krejt tjetër. Për të, personalisht, do të ishte mirë që e gjitha të shkatërrohej sepse i sjellin ndjesi të këqia. “Por, i duhen historisë, të vërtetës, që të mbrohet e ardhmja. Që të shëndoshet ndërgjegjja kolektive dhe të dimë të jemi të përgjegjshëm si vend, si shtet. Po i harruam kështu, do të na sulen”, shprehet ai
 
Si ish-i burgosur në kampin e Spaçit, si i keni përcjellë lajmet e fundit, që lidhen me prishjen e kampit dhe humbjen e imazhit të Muzeut?

“Që kampi-burg i Spaçit po prishet bashkë me kampe të tjerë të dënimeve ku kanë humbur jetë njerëzore e mijëra vite burg të Shqipërisë, është një dukuri e trishtë, e cila ka kohë që ka nisur.

Në fakt është rrënim i kujtesës kolektive dhe, sipas meje, kjo i ngjan fshehjes së krimit. Është e dëmshme dhe rrezikshme për çdo shoqëri njerëzore. Unë si ish i burgosur do të thosha se nuk e duroj dot Spaçin dhe kuçedrat e tjera të këtij lloji si Realizmi Socialist, nuk do të desha t’i shoh më, do të isha gati për çdo bombardim kundër burgjeve dhe Komiteteve Qendrore që i ideonin dhe i mbanin. Por i duhen historisë, të vërtetës, që të mbrohet e ardhmja. Që të shëndoshet ndërgjegjja kolektive dhe të dimë të jemi të përgjegjshëm si vend, si shtet. Po i harruam kështu, do të na sulen. Se po kujtove, pra përvojën ta shndërrosh në vlerë, ke harruar të keqen. Pra, po harrove, ke kujtuar. Dhe do të na vijnë në forma të reja sundimi...”.  
 
A ju duket se autoritetet shqiptare të gjithë kohërave nuk kanë qenë asnjëherë të sinqerta për sa i përket statusit muzeor të këtij kampi?

“Do të thosha se kanë harruar gabueshëm. Dhe s’është fjala për një qeveri a kah politik. Nuk është nderuar nga ne të gjithë, ashtu siç duhet dhe siç meriton vuajtja njerëzore, martirizimi, por dhe puna e tyre e hatashme gjithandej, që nga tharjet e kënetave e në hapje themelesh të uzinave e ngritje pallatesh, në tarraca, e aeroporte, shfrytëzim minierash e nxjerrje minierash të çmuara deri dhe flori, por më i çmuari është minerali moral i qëndresës së madhe. Të burgosurit politikë janë pararendësit realë të demokracisë, ishin deputetët shpirtërore të popullit, atëherë kur nuk lejohej shpirti.

Deputetët e sotshëm para tyre ngjajnë si materialistë të bezdisshëm, fjalamanë të sëmurë. Ne ende nuk jemi gati për muzeume të tilla se mendësia jonë apo më saktë ndjesia e mendësive tona prapë do të donte që ish të burgosurit politikë të mbeten po ashtu siç ishin dhe ish sundimtarët prapë sundimtarë, por me pasuri më shumë dhe të pandëshkuar.

Thashë si ndjesi e mendësisë, se në fakt ka ndryshime plot, të rëndësishme, ngritje dhe përparime për vendin në përgjithësi dhe për ish të persekutuarit në veçanti, por ato që ndryshojnë më pak janë ndjesitë dhe pastaj mentaliteti. Të vështira për t’u futur në programe partish“.   

Krijimet tuaja janë nga më të plotat që lidhen me Spaçin dhe kujtimin e vet. A mendoni se shoqëria shqiptare i detyrohet shumë kujtimit të trishtë të këtij vendi?

“Natyrisht dhe është detyrim njëkohësisht ndaj vetvetes kolektive. Nëse në botë Aushvici është muze apo ka muzeume të tilla të ngjashme, për holokaustin, genocidin, krimet staliniste, etj, kemi një lartësim të ndërgjegjes, njohje të vetvetes, shpresë për siguri të një bote më të mire, përkushtimit human nga kushdo dhe të gjithë së bashku. Dhe niveli i masës, sipas Franc Kafkës, varet nga vetëdija e njëshave, krerëve.

Ju kujtuat librat e mi, atëherë unë po marr në ndihmë shkrimtarë për të folur për këtë çështje. Ja, po shfletoj një libër, “Shekull i palumtur” që ende nuk është përkthyer në shqip. Sipas nobelistit hebreo-hungarez, Imre Kërtesz: Holokausti është një përvojë universale, e cila nuk ndan, përkundrazi bashkon. Ai thekson se holokausti tani ka krijuar një kulturë, po e nënvizoj, kulturë, e cila tashmë s’mund të mohohet se ka ardhur dhe vjen ende, dhe letërsia e kësaj kulture mundi të frymëzojë Shkrimet e Shenjta dhe tragjedinë greke - dy kolonat e kulturës evropiane, - në mënyrë që realiteti i pafalshëm të mund të lindë faljen ose vetë shpirtin dhe katarsisin. 

Kur lexojmë hebre dhe holokaust, kam të drejtë të nënkuptoj i burgosur dhe masakër burgu. Po vazhdoj të lexoj: Evropa nuk është vetëm treg i përbashkët dhe bashkim doganor, por dhe frymë dhe spiritualitet i përbashkët. Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet të tejkalojë, midis shumë provave, dhe atë të përballimit moral dhe ekzistencial me holokaustin. Pra me burgun. Shoqëria shqiptare është para kësaj prove. Gjithmonë ka kohë për t’u bërë më e mira”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama