"Aleanca Kuq e ZI" e drejtuar nga Kreshnik Spahiu ka përvetësuar protestën paqësore të një grupimi rinor duke e shndërruar në protestë antiqeveritare.
Këtë akuzë e ka ngritur ndaj kreut të AK-së, vetë organizatori i protestës, Indrit Murati, që kryeson grupimin "Shqipëria ime" në internet. Murati (në foto) në mesazhet drejtuar Spahiut pohon se e ka organizuar "me zemër" këtë protestë, e cila është shfrytëzuar nga kreu i AK-së, Spahiu. Vetëm pak çaste pas transmetimit të protestës, duke dëgjuar mediat që e njoftonin si një organizim të "Aleancës Kuq e Zi", Murati i ka shprehur shqetësimin e tij, kryetarit të AK-së, Kreshnik Spahiut nëpërmjet mesazheve në celular. Ai vetë vuri në dispozicion të "A1Report", mesazhet e shkëmbyera dje me Spahiun.
MESAZHET E ORGANIZATORIT TE PROTESTES ME SPAHIUN
Murati: Jam ... Kam faqen SHQIPËRIA IME. Jam unë organizatori i protestës dhe jo ju. Më njoftuan disa redaksi televizive që po çohen njoftime nga strukturat e AK-së si organizatorë. Nuk më duket e ndershme.
Spahiu: S’po të kuptoj. Më fol më drejtpërdrejt.
Murati: Po thuhet që protestën e ka organizu AK kur në të vërtetë e kam organizu unë në bashkëpunim me disa tifogrupe.
Spahiu: Pa merak. Më dëgjo pak me vëmendje. Nuk të heq askush meritën, përkundrazi do të të ndihmojmë me çdo gjë. Duhet vetëm pak koordinim. Ku je tani? Madje, do të të bëjmë edhe reklamë. Vjen dot të më takosh vetëm dy minuta. Eja përballë Ministrisë së Arsimit! Hajde dhe mos u bëj merak se gjithë organizimi dhe protagonizmi do u lihet ju!
Murati: Dua thjesht të mos lihem i padukshëm se e kam bërë me zemër, madje ju kam mbështet edhe në fushatë.
Spahiu: Eja, eja se ke ditën tënde. Pak kohë më vonë...
Spahiu: Duhet para ministrisë që të kërkojmë dorëheqjen e Saimir Tahirit. Na kanë arrestuar gjithë njerëzit.
Murati: Mos na harroni si organizatorë. Nesër dalim... Jemi “SHQIPERIA IME”. S’e ke përmend askund.
Spahiu: Në çdo postim e kemi vënë. Kontrolloje.
Murati: Mua po më thonë që jo. Madje as ti në deklaratë për shtyp. Spahiu: Shihe vetë dhe mos beso. Unë nuk kam dal akoma në konferencë, vëlla. I kontaktuar nga “Shekulli”, Organizatori rrëfen: “AK thjesht mund të ketë qenë prezente si qytetar, duke u prezantuar si qytetar. Çdokush mund të vijë në protestë, por kurrsesi për arsye politike ose, duke marrë meritat e një organizimi qytetar dhe patriotik.
KRYETARI I AK ASHPERSON PROTESTEN: NESER, TE RREZOJME MINISTRIN TAHIRI
Kreu i AK-së, edhe pas denoncimit për përvetësimin e protestës së të rinjve, ka vazhduar aksionin e tij politik, duke kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Ai ka deklaruar sot se "Dhuna ndaj qytetarëve dhe ndaj aktivistëve të Aleancës KuqeZi legjitimon vazhdimin e protestave tashmë jo kundër ambasadave, por ndaj Minsitrit Saimir Tahiri që i trajtoi protestuesit paqësorë në mënyrë të njëjtë si kryegardiani burgjeve greke. Për këto arsye Aleanca KuqeZi bëjmë thirrje aktivistëve të saj ti bashkohen nesër ora 13.00 ora zyrave të Ministrit Brendshëm për të kërkuar dorëheqje të parevokueshme të Saimir Tahirit.