Spanja dhimbja qe rrezikon Eurozonen

Spanja, dhimbja qe rrezikon Eurozonen
Nëse javës së kaluar ishte Greqia në qendër të ankthit të tregjeve ndërkombëtare financiare, këtë javë ka pasur zhvendosje në një cep tjetër të Mesdheut. Financat publike të Spanjës nuk janë në një situatë aq të errët sa ato të Greqisë, por përkeqësimi i krizës bankare në këtë vend kërcënon për thellimin e një recesioni të dhimbshëm që ka filluar në këtë vend dhe për pasojë, do të vërë në rrezik të ardhmen e Eurozonës.

Rasti imediat i dhimbjes së Spanjës është nevoja për të rikapitalizuar bankën e katërt më të madhe në vend – që në vetvete është një amalgamë bankash dhe institucionesh financiare problematike dhe në prag të dështimit. Banka i ka kërkuar qeverisë një shumë tepër të madhe, 19 miliardë euro javën e kaluar. Sipas bankës, kjo shumë do ta nxjerrë nga kolapsi dhe do të shmangë rrezikun e shembjes së saj.

Ndërkohë, shteti spanjoll ka “pompuar” 20 miliardë euro në sistemin bankar të vendit, të përfshirë tërësisht nga një situatë e rëndë borxhesh, pjesa më e madhe e të cilave ka të bëjë me tregun e pasurive të patundshme. Nëse sistemi bankar nuk do të ndihmohet, sipas specialistëve, rreziku i një efekti domino në të gjithë ekonominë e vendit dhe më tej është shumë i madh. Për të dhënë një ndihmë të mëtejshme, qeveria spanjolle do të duhet që të emetojë më shumë bono, duke përkeqësuar financat. Tashmë interesi ka kapur shifrën e frikshme të 7%, që konsiderohet nga tregjet ndërkombëtare si prag falimentimi dhe rreziku shumë i madh.

Portugalia, Greqia dhe Irlanda kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtare, pra nga fondi i Eurozonës për raste të tilla, në momentin që kostoja e huamarrjes së tyre arriti këtë shifër të rrezikshme. Për vendet e Eurozonës, situata e Spanjës nuk është e njëjtë me atë të Greqisë. Sipas disa analizave, edhe pse Spanja mund të konsiderohet një shtet “shumë i madh për të falimentuar”, nga ana tjetër mund të konsiderohet pa frikë ende “shumë i madh për t’u shpëtuar”. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Prodhimi Kombëtar Bruto i Greqisë është 271 miliardë dollarë, ndërsa ai i Spanjës është 1397 miliardë dollarë.

Dhe për këtë arsye, ky shtet i madh mund të jetë përtej mundësive të Gjermanisë dhe vendeve të tjera të fuqishme të Eurozonës për t’u shpëtuar dhe kolapsi i tij do të ishte pa dyshim një fund për euron. Nëse Greqia ishte duke jetuar për një kohë të gjatë përtej mundësive të saj ekonomike reale, problemi i Spanjës vjen nga çështja e bumit të blerjes së pasurive të patundshme, që pasoi futjen e vendit në Bashkimin Europian. Europianoveriorët u sulën në brigjet e Spanjës dhe kjo bëri që në to të ndërtoheshin një sasi jashtëzakonisht e madhe hotelesh dhe shtëpish pushimi. Një pjesë e madhe e këtyre ndërtimeve janë ende në gjendje skeleti, edhe pse kanë kaluar shumë vjet nga fillimi i punimeve. Shkaku është mungesa e parave, ose pafuqia për të paguar kreditë. Për këtë arsye janë në shitje me çmime shumë më të ulëta nga sa kanë kushtuar. Bankat janë të mbushura me dështime të tilla, me pasojat e tyre dhe situata sa vjen e rëndohet gjithnjë e më shumë.

Mbi të gjitha, ajo që mungon në rastin e Spanjës është transparenca nga vetë bankat, të cilat nuk e bëjnë të ditur realisht situatën në të cilën ndodhen. Spanja është duke u vëzhguar nga afër për të parë nëse masat e shtrëngimit financiar që janë marrë në këtë vend si dhe në vende të tjera problematike ishin vërtet të duhurat dhe të mira, apo ky dënim ishte një gabim, pra e përkeqësoi situatën.

Qeveria e re konservatore e vendit e vuri theksin në reduktimin e shpenzimeve, por pikërisht kjo lloj politike ekonomike e ka çuar vendin me shumë shpejtësi në një situatë të rëndë recesioni të pashpresë dhe ka shkatërruar thuajse plotësisht kërkesën e konsumatorit, e cila në muajin prill, preku pikën më të ulët. Një cikël shumë negativ ka nisur dhe një ekonomi e kontraktuar dhe në kontaktim gjithnjë e më të madh po shkakton dëme të mëdha në zhvillimin afatshkurtër dhe afatmesëm të vendit. Një problem i madh është edhe zvogëlimi i taksës së të ardhurave, duke qenë se të ardhurat janë pakësuar dhe kjo taksë, për pasojë ka shënuar rënie të mëdha dhe nga kjo vuan buxheti i shtetit.

Kjo situatë e shton edhe më tej dyshimin e investitorëve dhe rrit përqindjen e huamarrjes, duke çuar në një shkallë më të thelë kontraktimin e ekonomisë. Presidenti i Komisionit Europian, Barroso, kërkon një mënyrë ambicioze dhe strukturore të zgjidhjes së problemit dhe përfshirjen e një plani të përcaktuar nga afate të sakta, për një bashkim të plotë monetar dhe ekonomik në Eurozonë. Por është një moment i keq për parashikime dhe për caktim asetesh ndërkohë që situata është e rrëmujshme dhe e vagullt në shumë vende problematike të Eurozonës. As vetë shtetet dhe as Eurozona, si dhe as ato vende të tjera anëtare të BE-së që janë aktualisht jashtë Eurozonës, nuk duan që të investojnë kapital politik në lidhje me një integrim të mëtejshëm, që në fakt ka shumë kosto ndërkohë që votuesit e kanë humbur besimin në projektin europian.

Një sondazh i ndërmarrë nga “Pew Research Center”, i publikuar këtë javë, tregoi se spanjollët, të cilët vetëm pak vite më parë ishin ndër proeuropianët më të zjarrtë të të gjithë kontinentit, tani besojnë shumë më pak në këtë projekt të madh. Rënie të ndjeshme të besimit në projektin europian kemi edhe në Itali, në Greqi e kështu me radhë. Bëhet fjalë për përqindje shumë të mëdha.

Banka Qendrore Europiane i ka furnizuar bankat me kredi me përqindje të ulëta interesi dhe ka blerë bonot sovrane të shteteve me probleme, në mënyrë që ta qetësojë dhe shtendosë pak situatën. Por ekonomistët besojnë se Europa aktualisht ka mungesë të një mjeti, apo të mjeteve dhe masave reale për të përballuar dhe për të menaxhuar krizën aktuale në të cilën është futur Eurozona. Dhe mbi të gjitha, disa mendojnë se Europa ka nevojë për llojin e sigurimeve amerikane. Disa mendojnë se është e nevojshme ndërmarrja e dy hapave drastikë në Europë, në mënyrë që situata të përmirësohet ndjeshëm.

Së pari, do të ishte injektimi i kapitalit në bankat spanjolle në rrezik, në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Mekanizmi i Stabilitetit Ekonomik, që do të hyjë në fuqi këtë muaj. Por kjo mund të kërkojë një ndryshim të traktateve aktuale të Europës dhe një punë me të gjitha Parlamentet e vendeve anëtare të BE-së. Avantazhi i përdorimit të këtij mekanizmi është se “në vend që shteti spanjoll të shkojë në treg dhe të paguajë 7% interesa për huatë, mekanizmi mund t’i marrë në emër të Spanjës me 3%. Më pas vjen ai që mund të quhet “parimi NATO” – një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve. Për shembull, në situatën aktuale bankat gjermane, duke qenë se janë më të sigurta, mund të krijojnë hemorragji të mëdha nga bankat e vendeve problematike. Pra duhet një mekanizëm që ta ndalojë këtë gjë. Dhe për hir të së vërtetës kursimet janë duke u zhvendosur nga bankat spanjolle në ato gjermane me një ritëm marramendës, duke e futur në këtë mënyrë sistemin në një hall dhe krizë edhe më të madhe. Alternativat janë më të rënda. Nëse sistemi bankar në Spanjë do të falimentojë, atëherë vëmendja do të shkojë tek Italia, vend në të cilin një nga bankat më të mëdha është në pronësi të një banke franceze. Katastrofa nis zakonisht në periferi dhe më pas vjen e përhapet në qendër.

Ndoshta, ndërkohë, Spanja mund të ngushëllohet me Sanço Pançon dhe fjalët e tij të fundit drejtuar Don Kishotit: “Kam dëgjuar se fati është një grua e dehur dhe kapriçioze dhe çka është edhe më keq, e verbër, ndaj ajo nuk sheh se ç’bën dhe as që e di se kë rrëzon dhe kë ngre”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama