Spartak Ngjela Si i shpetoi Ismail Kadare goditjes se Enverit me ’82

Spartak Ngjela: Si i shpetoi Ismail Kadare goditjes se Enverit me ’82
“Më 1982 ishte vendosur të zhvillohej mbledhja e Byrosë Politike për linçimin e Ismail Kadaresë, por në Paris, miqtë e tij, të njoftuar për këtë fakt, kishin vendosur që, sapo Enver Hoxha të godiste Kadarenë, menjëherë ata do ta shpallnin disident. I njoftuar nga Sigurimi, Hoxha ndërroi tematikën e mbledhjes, duke theksuar: “Nuk i jap unë Perëndimit asnjë disident”

Bisedimet me francezët, Lubonja e Paçrami në grupin e Kadaresë

Spartak Ngjela shkruan në librin e tij “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare” se në vitin 1971, forcat liberale të PPSH-së nisën të organizoheshin rreth Kadaresë, ndërsa Enver Hoxha kishte pyetur se si mund të kapej në Tiranë sinjali i televizionit francez. “Kjo u zbulua në ’90, kur Zhak Shiraku u tha delegacioneve tona se e kishin pranuar Hoxhën në ’70-ën, por nuk e bënë dot hapjen sepse vuri veton Titoja”.

I gjithë viti 1971 kishte sjellë ndryshim në të gjitha qëndrimet dhe jeta në Tiranë, sikur po ndryshonte sërish në favor të kulturës europiane. Nuk dukeshin më aq shpesh sekretarët e rinisë dhe ata të Partisë, por mbi të gjitha, nuk po dukej më as fletërrufeja e tmerrshme që godiste avanguardën në Tiranë. Programet e televizionit italian po bëheshin edhe më moderne, sepse sikur po largoheshin nga tradita italiane e skenës. Edhe në treg po shitej një numër i madh televizorësh, të cilët kishin nisur të prodhoheshin në Durrës; të gjithë me pikësynim RAI-n, sepse ende nuk kishte një stacion të mirëfilltë shqiptar. Dhe jeta sikur po liberalizohej, sidomos në gjysmën e dytë të vitit 1971. Por, mendoj se jo nga rasti, kjo periudhë koincidoi me botimin e romanit të Ismail Kadaresë, “Kronikë në gur”. Ai u botua në fund të vitit 1970, por doli e u përhap shumë gjatë muajve të parë të vitit 1971.

Botimi i “Gjeneralit” në Francë

Ky libër menjëherë krijoi një pështjellim te barbarët e 6 shkurtit, të cilët nuk po e pranonin dhe bashkë me ta edhe qarqet e shkrimtarëve ultramediokër të regjimit, të cilët ishin shtuar shumë në katër vitet e fundit, si refleks i goditjes së frymës europiane në Shqipëri. “Kronikë në gur”, pa diskutim që ka hapur një epokë të re në kulturën shqiptare dhe sidomos në vizionin për letërsinë. Ai roman nuk kishte asnjë lidhje me propagandën e atëhershme dhe dukej se, po të kalonte pa një kundërshtim zyrtar, diçka do të ndryshonte në Shqipëri. Por me vetë Ismail Kadarenë, që në vitin 1969 kishte ndodhur një gjë e rrallë. Gjatë gjysmës së dytë të vitit 1970, në Francë u botua romani i tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, një roman që këtu në Shqipëri ishte lënë në hije, por që kritika e lartë franceze e priti si një triumf. Nga lajmet e atëhershme lexuam me shumë kureshtje, por edhe me optimizëm këtë pritje prej best-selleri që iu bë “Gjeneralit” të Kadaresë dhe rrethi ynë mendoi se diçka po lëvizte. Romani kishte shkuar në Paris krejt nga rasti dhe Hoxha, kur e kishte lexuar në agjenci lajmin e botimit dhe pritjen e mahnitshme që iu bë, ishte habitur. Madje ishte mërzitur në fillim, por si dinak që ishte e kuptoi se Kadareja i kishte shpëtuar nga duart.

Regjimi i Hoxhës i kishte mbyllur të gjithë kufijtë shqiptarë për të dalë në Perëndim, kur, befas, Ismail Kadare qe bërë i famshëm në Francë, në një kohë kur Enver Hoxha ishte maniak patologjik për izolimin e Shqipërisë. Për maninë e tij izolacioniste, ai nuk falte kërkënd, se mezi e kishte arritur. E kishte rrethuar Shqipërinë me tel gjembaç dhe i dukej si një poshtërim për atë vetë, qoftë edhe largimi i një shqiptari jashtë kufijve, si i arratisur. I dukej se ky person i kishte shpëtuar nga kthetrat. Ndjehej me siguri komod dhe i qetë së brendshmi tek kujtonte se e kishte skllavëruar gjithë një popull, veçse pikërisht për këtë, tërbohej për largimin e një skllavi: “Më shpëtoi”, thoshte me vete dhe u sokëllinte me tërsëllimë hierarkëve të Sigurimit të Shtetit. Por, në këtë rast, edhe pse Kadareja nuk kishte dalë për të kaluar kufirin, se nuk ishte arratisur fizikisht, Hoxha e ndiente se nëpërmjet suksesit të librit të tij, Kadareja në fakt kishte dalë nga kthetrat e tij. Kjo ishte e rëndë për Hoxhën, aq e rëndë sa thellë-thellë, kurrë nuk e pranoi si ngjarje, sepse ai tani e kishte krejt të pamundur që ta kthente shkrimtarin Kadare në një armik të popullit, ta ndëshkonte, ta poshtëronte e ta likuidonte në përmbushje të urrejtjes së tij.

Hoxha heshti për dy muaj rresht. Kishte thirrur në raport edhe Kadri Hazbiun, Ministrin e Brendshëm, edhe ambasadorin shqiptar në Paris dhe e kishte marrë vesh se e gjitha kishte qenë vepër e kritikut dhe e shkrimtarit të njohur francez, Robert Eskarpit, i cili i kishte bërë librit një parathënie ku theksonte titullin e saj: “Zëri i Shqipërisë mijëvjeçare që po rilind”. Ishte një parathënie shumë shprehëse, e cila i hapi rrugën një kritike shumë të gjerë, në një kohë që romani në frëngjisht ishte përkthyer nga Jusuf Vrioni, i cili sot është i radhitur në elitën e eruditëve dhe njohësve të thellë të gjuhës franceze.

Midis kritikave, në mendje më kanë mbetur këto: “Gjenerali është një roman, i cili nuk ka fare në kompozimin e vet tiparet e realizmit socialist”… “Ismail Kadare tregon me romanin e tij idenë themelore të vet se, kjo paqe që kemi, s’është veçse një aparencë, sepse ajo mban në gjirin e vet luftën, ashtu sikundër mban toka kufomat”. Dhe ndërkaq, në kritika theksohej gjithnjë se, “kemi përpara një përkthim të shkëlqyer, por fatkeqësisht anonim”, sepse Jusuf Vrionit nuk i ishte vënë emri i përkthyesit në tekstin që kishte marrë me vete Eskarpiti. Vrioni quhej atëherë një person i deklasuar, ngaqë kishte qenë një ish i burgosur politik.

Plani për të linçuar Kadarenë

Kishte shumë përcaktime të tilla dhe e gjithë kritika e quante romanin një triumf të Kadaresë. Kurse regjimi heshtte, derisa Hoxha sikur e përmendi shkarazi në Klubin e Rrethit të Parë se, “ishte sukses ai që kishte arritur Ismaili në Francë”. Kaq, vetëm kaq. Por kjo ishte e mjaftueshme që gjithkush të heshtte, e sidomos barbarët e 6 shkurtit. Askush nuk e kuptoi atëherë se përse kishte heshtur Hoxha në atë dimër, por kjo u kuptua, në fakt, shumë vjet më vonë, në vitin 1982. Ky ishte viti kur Hoxha, pasi e kishte mbyllur ciklin e dinastisë dhe ia kishte dhënë pushtetin hordhive të 6 shkurtit, mendoi të lante hesapet edhe me Ismail Kadarenë. Romani i tij “ Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, kishte sjellë pështjellim serioz për dinastinë e sapovendosur. Një frymë universale e kishte shtyrë Kadarenë të shkruante morfologjinë metafizike të tiranisë orientale shqiptare. Simbolika e këtij romani i kishte dhënë të kuptonte Hoxhës se oksidentalizmi shqiptar e kishte dërmuar arketipin otoman që kishte vendosur të përjetësonte Enver Hoxha në Shqipëri. Në ora 19 ishte vendosur që të zhvillohej mbledhja e Byrosë Politike për linçimin e Ismail Kadaresë, por, në Paris, miqtë e tij, të njoftuar për këtë fakt, shkrimtarë, filozofë dhe artistë të njohur ishin mbledhur dhe kishin vendosur që, sapo Enver Hoxha të godiste Kadarenë, menjëherë ata do ta shpallnin disident. I njoftuar nga Sigurimi për grupimin pro Kadare që ishte formuar në Paris, befas, Hoxha e ndërroi tematikën e mbledhjes, duke theksuar: “Nuk i jap unë Perëndimit asnjë disident”. Ja, pra, kjo paskësh qenë frika e Hoxhës dhe kjo ka qenë substanca që ka krijuar përmbajtjen dhe heshtjen e tij, kur pa suksesin e “Gjeneralit” në Francë gjatë vitit 1970.

Veçse, nuk mjaftoi kjo, kur në tregun shqiptar, në të gjitha libraritë shpërtheu suksesi i romanit të ri të Kadaresë, “Kronikë në gur”. Për të gjitha forcat liberale, ai libër ishte një habi; i shkruar me një stil magjik dhe i paanshëm, krejt i paanshëm dhe vetëm ekspozues. Unë atëherë isha duke lexuar të gjitha shkrimet e Lajton Streçit dhe në dorë kisha “Eminet Victorian” e tij, ku ai shprehej frëngjisht në parathënie duke cituar një maksimë të Masterit: “Je n’impose rien; je ne propose rien: j’expose” (Unë nuk imponohem; unë s’propozoj asgjë; unë ekspozoj). Ne atëherë e bëmë si devizën tonë këtë, sepse na leverdiste edhe për t’u ruajtur kundrejt regjimit dhe Sigurimit të Shtetit. Por “Kronikë në gur” ishte tamam një ekspozim artistik i tharmit mesjetar shqiptar, i një tradite të një kulture të harruar dhe i stigmatizimit të një jete orientale. Në Shqipëri, në kulmin e orientalizimit dhe të antikulturës që po servirej si traditë, doli më në fund një libër, i cili kishte aspiracion thellësisht perëndimor për një kulturë të re. Ne u entuziazmuam dhe e përkrahëm atë libër, duke sjellë si gjykim faktin se situata sikur po balancohej sepse, më në fund, një vepër e mirëfilltë letrare po i kundërvihej haptazi antikulturës që kishte ardhur që nga 6 shkurti i vitit 1967. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, me suksesin e tij në Francë sikur donte të na shkëpuste nga izolimi i detyruar që na kishte krijuar Enver Hoxha, kurse, “Kronikë në gur” sikur na tha se kemi ende shpresë që ta mposhtim antikulturën e imponuar nga hordhitë e 6 shkurtit. Po ta shohësh nën një kontekst historik, e kupton se, pikërisht këtu, në këtë kohë e me këtë libër, nis në Shqipëri një periudhë e shkurtër liberalizimi, e cila, siç do të analizojmë, e arriti kulmin përgjatë vitit 1972.

Lubonja e Paçrami, në grupin e Kadaresë

Menjëherë u pa një grup njerëzish që vinin nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës dhe të cilët u afruan me Ismail Kadarenë. Ata ishin së pari, Todi Lubonja, një njeri i kulturuar dhe demokrat, i cili kuptohej se nuk e pranonte gjendjen. Ai kishte qenë për shumë vite Sekretar i Parë i Bashkimit të Rinisë, një organizatë masive që i bashkëngjitej Partisë së Punës. Më pas, ai ishte bërë kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit” e pastaj kishte shkuar si sekretar për ideologjinë në qytetin e Korçës. Por befas, nga fundi i vitit 1971, ai u emërua Drejtor i Radiotelevizionit Shqiptar. Ishte shumë i afërt me Kadarenë, e kishte mbrojtur prej vitesh atë, e donte dhe e respektonte jashtë mase. Por edhe Fadil Paçrami, një nga sekretarët e Komitetit të Partisë së Tiranës, dramaturg dhe ish Ministër i Kulturës ishte pranë Kadaresë dhe, pas “Kronikës” u pa se u afruan edhe shumë të tjerë në rangje më të ulëta se këta, të cilët kishin qenë prej kohësh forca liberale brenda PPSH-së.

Që të gjithë kishin filluar të organizoheshin. Po dukej se brenda Partisë së Punës, sikur po plazmohej sërish një periudhë kohore e ngjashme me Konferencën e Tiranës. Dhe sigurisht që kishte edhe një ngjasim historik sepse, nëse Konferenca e Tiranës ishte refleks direkt i Kongresit të XX me kërkesën normale për demokratizimin e Partisë së Punës, kjo lëvizje e re ishte, pa dyshim, refleks i krijimit të marrëdhënieve të reja midis Pekinit dhe Uashingtonit.

Agim Myftiu atëherë ishte shumë pranë me Ismail Kadarenë, prandaj ne ishim të mirinformuar se të gjithë këta drejtoheshin nga Kadareja. Dukej sikur gjithçka do të shkonte drejt riparimit të asaj që ishte bërë në vitin 1967 e që kishte vazhduar deri në vitin 1970, prandaj gjithkujt iu hap një dritare shprese. Dukej sikur do të hiqej dorë nga antikultura dhe politikanët dhe hordhitë e 6 shkurtit dukeshin disi të tulatur. Nisi të fryjë një erë e re për të lexuar letërsinë moderne perëndimore, sidomos romanin e ri. Të gjithë shkrimtarëve që dinin gjuhë të huaja iu la e drejta që, nëpërmjet Lidhjes së Shkrimtarëve, të porosisnin libra në gjuhë të huaj dhe kjo po kthehej në një fenomen. Madje, ai që besoj se arriti më në fund një tjetër kulm në këtë vit ishte romani brilant i Dritëro Agollit, “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo”. Një humor i nivelit të lartë dhe një sarkazëm e tallje e madhe me administratën e shtetit të atëhershëm. Ishte një gjë krejt e paimagjinueshme për Shqipërinë e atyre viteve një roman i atillë, por historia na ka treguar se, talenti dhe koha ecin paralel. Forca artistike e dy shkrimtarëve të nivelit të lartë në Shqipëri, Kadaresë dhe Agollit, e kishte kapur ndryshimin që duhej të vinte për të shpëtuar gjendjen dhe ishte hedhur përpara shoqërisë dhe vetë regjimit. “Zyloja” i Dritëro Agollit ishte parodia e saktë e një regjimi shterpë, antiintelektual e me një administratë të kalbur dhe injorante. Shpesh “Zyloja” i tij të dukej edhe si servilët e afërt e injorantë që kishin rrethuar Enver Hoxhën, por edhe si Enver Hoxha vetë, kur ky u ishte servilosur me padijen e tij jugosllavëve dhe sovjetikëve, njëlloj si Zyloja. Kjo, pra, ishte e vërteta, Zyloja ishte fenomeni banal i regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri, sepse Enver Hoxha ishte vetë një Zylo në ndërtimin e tij psikik. Mjafton të mendojmë pretendimin e tij prej një lloj njohësi të thellë të marksizmit, kur nga Marksi nuk kishte lexuar asgjë dhe nuk e njihte fare doktrinën. Veçse, njëlloj si Zyloja, llomotiste pikërisht ato që nuk dinte, por që ia përgatisnin Demkat e tij sepse Demka, pa dyshim, është personazhi me i spikatur i këtij romani. Demka ishte ai që i përgatiste fjalimet Zylos. Agolli kishte kapur esencën e gjërave, krizën morale të shoqërisë, kurse romani, ndonëse u botua, mbeti gjithmonë në hije dhe u përkrah sigurisht vetëm nga avanguarda e atëhershme, e cila nuk ishte e madhe në numër.

Çlirimi në art

Edhe piktorët modernë si Edison Gjergo, Edi Hila e ndonjë tjetër, sikur u çliruan për të sjellë diçka të re, e po kështu edhe poezia sikur po afrohej disi me erotikën. Në të vërtetë, poezia shqiptare, që pas Lasgush Poradecit nuk kishte më lirikë dhe erotika apo dashuria ishte thuajse e huaj për të. Por në këtë kohë, diçka nisi të lëvizë, ndonëse në të vërtetë letërsia shqiptare e atyre viteve, sikurse deri diku edhe sot, ishte krejt mediokre. Kishte vetëm dy prozatorë: Ismail Kadarenë e Dritëro Agollin, të cilët edhe sot janë ende prozatorët më të mirë, dhe pastaj vinte një vakum heshtjeje. Kishte edhe një poet të madh, i cili ishte ende gjallë, Lasgush Poradecin, por ai ishte në heshtje; e shihte gjëmën me sytë e një poeti dhe nuk shkruante më. E çfarë të shkruante? Ai e kishte bërë të vetën për letërsinë shqipe. Tani jetonte mërzitjen e tij duke parë shoqërinë e vet jo të lirë. “Nuk ka gjë më të rëndë, - kishte thënë ai dikur, - se të jesh poet e të mos jesh i lirë”.

Në të vërtetë, kjo gjendje ishte rezultat i antikulturës që kishte ushtruar regjimi i Tiranës, sidomos gjatë gjysmës së dytë të viteve ’60, por që sigurisht që lidhej edhe me antikulturën që kishte sjellë vetë stalinizmi në historinë e komunizmit. Regjimet totalitare që u mbështetën në një ideologji, e luftuan për vdekje letërsinë dhe artin dhe gjithçka që kishte të bënte më lirinë. Ato deshën ta dominonin letërsinë dhe artin në përgjithësi e pasi ta shkëpusnin atë nga ndjenja dhe liria, ta përdornin si veglën e tyre. Dhe në fakt e përdorën. Ndër letërsitë e vendeve totalitare, letërsia shqipe e periudhës komuniste do të hyjë në historinë e letërsisë botërore si letërsia më e shëmtuar dhe më shterpë që ka pasur ndonjëherë ndonjë popull. Por gjithsesi, brenda saj, koha bëri ca përjashtime dhe ne po flasim tani për përjashtimet e jo për rregullin, të cilat, ndonëse të pakta, hyjnë në historinë e kulturës tonë si kolona që e mbajtën gjallë kulturën e europiane në Shqipërinë e dekadave komuniste, kur Enver Hoxha e sulmonte atë për ta varrosur.

Bisedimet e Hoxhës me francezët

Të gjithë ne që nuk ishim me regjimin e Tiranës dhe e shihnim atë si një gjëmë, menduam se diçka po lëvizte. Megjithatë, të gjithë kishin dyshime dhe nuk mendonin se me Enver Hoxhën do të bëhej ndonjë gjë e mirë ndonjëherë në Shqipëri. Ai tani për ne ishte një demon dhe nuk kishim asnjë lloj besimi, por, unë të paktën, po mendoja se ai tani ishte në hall, e kushedi se ku kërkonte që të kapej. Ndryshimet që po vinin në Kinë, kuptohej se do të rrëzonin Revolucionin Kulturor dhe ringjitja e plotë e grupit të Çu En Lait e kishin vënë Enver Hoxhën në sikletin permanent që kishte mendja e tij. I duhej një hapje e një tjetër lloji dhe, që atëherë, ne menduam se diçka po bënte në Perëndim. Morëm një sinjal nga Agim Myftiu dhe nga ndonjë inxhinier elektronik se Enver Hoxha kishte pyetur se si mund të sillej në Tiranë sinjali për të parë programet e televizionit francez, por nuk e kuptonim se çfarë po luhej në të vërtetë. Vonë, shumë vonë, vetëm përgjatë viteve ‘90 e kuptuam, atëherë kur Zhak Shiraku apo ndonjë tjetër nga politikanët e vjetër të Francës, u tha delegacioneve tona se, “Ne e pranuam Enver Hoxhën në fillim të viteve ‘70, por nuk e bëmë dot hapjen sepse na vuri veton dhe na kërcënoi Titoja”.

Siç duket, kjo ka qenë gjendja sepse nga këto të dhëna që kemi, francezët në bisedime, u kishin thënë atëherë shqiptarëve se duhej njëfarë zbutje e brendshme në lidhje me liritë e individit dhe kulturën perëndimore në Shqipëri. Kështu që, ajo lëvizje që Enver Hoxha po e përkrahte në hije, kishte lidhje me atë që atij po i kërkonin francezët. Dhe kemi të dhëna, gjithashtu, se bisedimet me francezët, Enver Hoxha i ka bërë kryesisht me Gafur Çuçin, i cili, sipas materialeve që janë në Shërbimin Inteligjent shqiptar, e ka takuar rregullisht Sekretarin e Ambasadës Franceze në Tiranë, për disa vjet rresht. Gjithashtu, im atë më ka rrëfyer saktësisht se, në atë kohë, pra në fillim të vitit 1972, një delegacion jo i vogël francez, me specialistë në fushën e investimeve, ndenji gjatë në Shqipëri, studioi dhe paraqiti edhe një plan për investime dhe kredi. Delegacioni nuk ishte i nivelit të vogël dhe për të kishte qenë në dijeni dhe ishte interesuar drejtpërsëdrejti vetë Enver Hoxha.

Domethënë diçka po lëvizte dhe forcat liberale brenda Partisë së Punës po grupoheshin. Filloi të spikasë një fluks i kulturuar që po i trembte mediokrit, të egrit dhe të pakulturuarit. Ata sikur ishin strukur, por nuk flisnin. Fundi i vitit 1971 po hapte në fakt një dritë jeshile për modë, letërsi, për njëfarë jete të ndryshuar dhe kjo u pa edhe në fund të dhjetorit në Festivalin e X të Këngës në Radiotelevizion, i cili tentoi të krijonte një tjetër frymë dhe, jo vetëm kaq, por edhe muzika edhe tekstet kishin një diksion erotik, gjë kjo që kishte shumë vjet që ishte larguar nga Shqipëria.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama