Paro Laçi ka përfunduar sërish në qeli, pasi kishte rreth një vit që ishte shpallur në kërkim për llogari të drejtësisë italiane. Ish-administratori i klubit “Partizani” është në proces gjykimi për ekstradimin e tij në Itali, ku është dënuar me 10.5 vite burg për trafik droge. Burimet policore bënë të ditur se rreth orës 20:00 të së djeshmes, nga shërbimet e sektorit të operacioneve speciale dhe kërkimit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.3 Tiranë, duke vlerësuar në kohë informacionet e grumbulluara, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Paro Destan Laçi, 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar në Itali. “Arrestimi i tij u bë, pasi Laçi është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, në bazë të urdhrit të Prokurorisë së Apelit Tiranë, për ekzekutimin e vendimit datë 3 prill 2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila ka shfuqizuar masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ dhe ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për efekt ekstradimi në shtetin e Italisë”, deklaroi policia.
Burimet policore bënë të ditur se Paro Laçi është kapur në një lokal te Rruga e Durrësit në Tiranë, ku qëndronte nën shoqërinë e disa personave të tjerë, të njohur të tij. Agjentët kanë ndërhyrë, sapo kanë rënë në gjurmët e tij dhe e kanë shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Aty, ai është njohur me urdhrin e prokurorit, të lëshuar që prej prillit të vitit 2013. Laçi është në proces gjykimi për ekstradimin e tij në Itali që prej më shumë se një viti.
Më 8 dhjetor të vitit 2012, ai është arrestuar për llogari të drejtësisë italiane. Por, në fillim të muajit mars të vitit 2013, ish-administratori i klubit të futbollit “Partizani”, u lirua nga qelia e paraburgimit dhe u dërgua në shtëpi, ku i duhej të priste një vendim të Gjykatës së Lartë, për një çështje korrupsioni e nisur disa vite më parë. Pikërisht më 8 mars të 2013-s, Gjykata e Tiranës vendosi të pranojë kërkesën e palës italiane për ta ekstraduar, por sipas saj, gjithçka do të fillojë në momentin që ky person të ketë përfunduar proceset gjyqësore në Shqipëri. Ka dyshime se ish-administratori i klubit të futbollit Partizani, Paro Laçi, ka kryer trafik droge në vitet 1997 deri në vitin 1999 në Itali. Ai është dënuar me 10.5 vjet burg, ndërsa gjatë pjesëmarrjes në organizatë kriminale ka përdorur edhe identitete të tjera, krahas emrit të tij. Prokuroria e Tiranës pohon se Laçi është dënuar nga gjykata italiane për dy episode të trafikut të drogës, në njërin rast për 31 kg heroinë dhe në tjetrin për katër kg kokainë.
Ai del i implikuar për çështje droge të ndodhura gjatë 1997-1999. Akuza pohon se i pandehuri ka përdorur dy emra të tjerë, Sejdin Krasniqi dhe Paro Beshiç, gjatë trafikimit të ngarkesave të drogës drejt Italisë. Më herët, gjatë përballjeve në gjykatë, Laçi do të pohonte se “nuk i kam pasur kurrë këta emra, unë jam quajtur gjithmonë me emrin Përparim apo Paro Laçi”. Ai u shpreh se “kam jetuar në Belgjikë me identitetin tim dhe s’kam pasur probleme. Nuk ka arsye pse të bëj burg, më është dëmtuar imazhi”. Ish-zyrtari i klubit të futbollit “Partizani” ka të tjera probleme me drejtësinë, krahas dosjes nga Italia. Ai la qelinë dhe u çlirua nga akuzat për korrupsion vetëm pak kohë para se të arrestohet për llogari të Italisë, ndërkohë që qëndroi nëntë muaj i izoluar.