Sot pritet të ngrihet një grup me njohës të veprave të artit. Hetimet ende nuk kanë të dyshuar
Policia nuk arrin të verifikojë 1000 veprat e Xegës
Pikturat që janë gjetur në shtëpinë e Sotiraq Xegës mbeten ende të paverifikuara. Policia ngriti dje një grup teknik që të merrte në shqyrtim rreth 1000 piktura të gjetura në shtëpinë e ish- përgjegjësit të galerisë “Guri Madhi”, por ka dështuar.
Ky grup nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë nëse mes pikturave të gjetura në shtëpinë e Xegës gjendeshin edhe piktura që mungojnë në fondin e galerisë. Për këtë arsye, policia ka kërkuar që sot veprat të shqyrtoheshin nga specialistë të veprave të artit. Thuhet se do të jenë dy piktorë nga Pogradeci, por emrat nuk bëhen të ditur, ndërkohë që duket se artistët nuk duan të jenë pjesë e këtij verifikimi. Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me situatën dhe me neglizhencën e strukturave shtetërore për të ruajtur një pasuri të tillë. “Më vjen keq që unë nuk do t’i shoh më ato vepra, sepse nuk do të ekspozohen më”, shprehet piktori i njohur pogradecar Anastas Kostandi, ndërsa mohon se ai është pjesë e komisionit që do të marrë në shqyrtim veprat. Fjalët e tij të lënë të kuptosh se shpresat që ato vepra mund të kthehen përsëri në fondin e galerisë janë të shuara.
Nga ana tjetër, policia ka konfirmuar se Sotiraq Xenga nuk është personi i vetëm që ka pasur çelësat e galerisë “Guri Madhi”. Në pyetje janë marrë edhe punonjës të tjerë të galerisë, por deri më tani nuk është zbuluar asgjë. Sotiraq Xega deklaroi se veprat e gjetura në shtëpinë e tij në Drenovë i ka krijuar vetë, ndërkohë që ka lëshuar akuza se veprat e fondit përdoreshin si dhurata. Ndërkohë që nga inventari është verifikuar mungesa e 61 pikturave, lista e tyre ende nuk ka mbërritur në Qendrën e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, ku ruhen edhe pasaportat dixhitale të këtyre pikturave. Në fakt, nga rreth 600 piktura që janë në fondin e galerisë “Guri Madhi”, vetëm 440 prej tyre janë të kataloguara, ndërsa të tjerat jo.
Nuk dihet se për çfarë arsye është një diferencë e tillë dhe se pse është shmangur QKIPK-ja në këtë mes. Ky institucion është ngritur si një hallkë që shërben për transmetimin e informacionit në Interpol dhe në pikat kufitare, përmes një sistemi elektronik të ngritur për të parandaluar trafikimin e veprave të artit, përmes identifikimit me pasaportat e tyre (fotografitë dhe përshkrimi i hollësishëm i veprës). Megjithatë specialistët nuk i druhen kalimit të këtyre veprave në kufi, ku gjithsesi ekziston një kontroll sado minimal. Ata flasin për rrezikun e kalimit të këtyre veprave në mënyrë të jashtëligjshme jashtë kufirit dhe përmes rrugëve të tjera. Ky shqetësim është prezent nëse një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, pasi në mungesë të një inventari, është e pamundur të përcaktohet koha se kur veprat janë zhdukur nga galeria e arteve “Guri Madhi” në Korçë.
Mendohet se një gjë e tillë mund të mos ketë ndodhur në vitin 2011, por edhe më përpara. Në këtë rast, përvetësuesit kanë vepruar pa u shqetësuar nga zhurma që është krijuar ditëve të fundit. Sot pritet të ketë zhvillime të mëtejshme në lidhje me verifikimin e veprave, ndërkohë që ende nga policia nuk bëhet e ditur ndonjë pistë hetimi. Drejtori i Qendrës Kulturore “Vangjush Mio”, Vladimir Topi, ka bërë përgjegjës Sotiraq Xegën, i cili nuk i ka pranuar këto akuza dhe ka thënë se do të mbrohet me avokat. Ngjarja e Korçës ka ngritur edhe njëherë alarmin te specialistët për nivelin e ruajtjes dhe vlerësimit të fondeve të trashëgimisë.