Lënia në harresë e instrumenteve popullorë, tjetërsimi i muzikës popullore dhe i kostumeve tradicionalë shqiptarë, zhdukja e zejeve të ndryshme, zhdukja e riteve dhe e zakoneve, niveli i ultë i informimit të të rinjve lidhur me Trashëgiminë Kulturore Jomateriale etj., janë disa nga problematikat që u trajtuan dje në një tryezë të rrumbullakët nga specialistët e Trashëgimisë Jomateriale. Qëllimi kryesor i kësaj tryeze ishte organizimi dhe bashkëpunimi me institucionet, që kanë si pjesë të objektivave të punës së tyre edhe Trashëgiminë Kulturore Jomateriale.
Shpend Begu: Shteti dhe minibashkitë duhet të punojnë për edukimin e të rinjve
Shpend Begu, drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë Jomateriale, ndali kryesisht te pjesëmarrja në konkursin “Novelat Grafike”, që nuk është zhvilluar asnjëherë në 70 vitet e fundit. Nëpërmjet tij ai sjell si shembull një rast konkret, ku njëra prej pjesëmarrësve ka trajtuar temën e trafikimit të qenieve njerëzore. “Në konkursin, ‘Narracioni nëpërmjet novelave grafike’ u munduam që përpos Trashëgimisë Jomateriale të fusim edhe elemente të trashëgimisë materiale. Fillimisht ishte një aventurë nëse do të bëhej ose nuk do të bëhej ky konkurs, sepse organizimi i tij nuk ishte i thjeshtë. Por nga konkuruesit dua që të veçoj novelën e një vajze, që dëshiron të mbetet anonim, sepse është edhe pjesë e programit të qeverisë për mbrojtjen e qenieve njerëzore. Ajo nëpërmjet novelës grafike ka pasqyruar të gjithë eksperiencën e saj, por ka shfrytëzuar shumë mirë të gjitha kriteret e trashëgimisë materiale”.
Begu e prezanton këtë rast për të treguar se, qendrat e artit po shtohen shumë, aq shumë saqë nëse vazhdohet kështu rrezikohet që të dalin jashtë kontrollit për shkak të kulturave që sjellin. “Kështu mund të lindin kultura të tjera, që më vonë mund të jenë jashtë kontrollit dhe do të sjellin probleme të mëdha, sepse shteti nuk do të jetë në gjendje që t’i grumbullojë dot”. Kjo gjë sipas Begut, duket më së miri edhe në muzikë. “Ndotja e folklorit ndodh pikërisht për shkak të ndotjeve që vijnë nga periferia”. Ai tregon se, vetëm në Shkozë ka një shoqëri mjaft të gjerë heterogjene. “Nëse do të shihni evoluimin e gjithë organizmit shoqëror në Shkozë nga vitet 1990 dhe deri më sot, do të vini re se aty ka nevojë emergjente për edukimin nëpërmjet trashëgimisë kulturore. Ata njerëz kanë nevojë për edukim qoftë nga shteti, qoftë nga minibashkitë. Përveç bisedave që kemi ne në tryeza, është mirë që të koordinohet edhe minibashkia, sepse këto deformime mund të arrijnë në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare”, përfundon Begu.
Miaser Dibra: Pseudoartistët po deformojnë folklorin
Prof. dr. Miaser Dibra, drejtoreshë e Institutit të Antropologjisë Kulture dhe e Studimit të Artit, prezanton një panoramë të shndërrimeve që janë bërë përsa i përket instrumenteve popullore. Ajo sjell si shembull, lahutën që dikur ishte instrument bazë në muzikë dhe sot shikohet si një kujtim i lënë nga të afërmit. Vlerësohet si një dukuri tipologjike për të cilën shoqëria jonë është e vetëdijshme, sepse artistët bashkëkohorë e shprehin këtë fakt në mënyrë të drejtpërdrejtë. “Sot ekzistojnë mendime të gabuara përsa i përket folklorit, shikohet si ‘demode’, si diçka e prapambetur nga njerëzit. Sot edhe në media shikojmë tjetërsimin e folklorit që në duart e të paditurve vetëm keqpërdoret”, thotë ajo.
Zonja Dibra ndali edhe te ninullat, aq të dashura dikur për nënat, por që sot mund të përdoren tek-tuk vetëm në zona të thella të vendit. Kjo gjë sipas saj, nuk ndodh sepse nënat sot i duan më pak fëmijët e tyre, por sepse koha që ato kalojnë me ta, është më e paktë krahasuar me dikur. Gjithashtu përpos këtyre faktorëve ajo rendit si më kryesorin, shndërrimet që po ndodhin dita-ditës në teknologji. Një tjetër shqetësim që rendit drejtoresha e Institutit të Antropologjisë Kulturore është edhe ruajtja e muzikës folklorike. “Nuk duhet që një këngë të dalë nga hiçi dhe të interpretohet në skenë, sepse ajo ashtu sikurse del edhe humbet shumë shpejt. Prandaj fillimisht duhet që një këngë të ketë fituar publikun e saj, në mënyrë që t’i rezistojë edhe kohës në vazhdim. Unë e mendoj të arsyeshme që të ndiqet tradita e mëparshme, këngët që interpretohen në skenë të jenë vargje të njohura, që të ruhen edhe më tej”. Sipas Dibrës, kjo gjë duhet që të zbatohet duke nisur qysh nga viti që vjen në Festivalin Folklorik në Gjirokastër.
Suzana Shuteriqi: Ne nuk jemi të mangët në dhënien e ideve
Suzana Shuteriqi, muzikologe, ndali kryesisht në trajtimin që i bëhet trashëgimisë muzikore në auditore, duke filluar qysh nga fillorja, deri tek Universiteti i Arteve. Ajo u shpreh se trashëgimia muzikore për fat të mirë është akoma në gjendje vitaliteti. Por dy çështjet kryesore që i konsideronte si më shqetësueset ishin: Së pari, sistemi i edukimit të përgjithshëm, sidomos ai që ka të bëjë me formimin e brezave të rinj, fëmijët në shkollat e ciklit 9-vjeçar, por edhe më tej. “Studiohet muzika, nëpërmjet lëndëve mësimore dhe tekste të ndryshme shkollore, por duhet që të ketë bashkëpunim midis Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Kulturës. Trashëgimia muzikore duhet të vihet në shërbim të brezave edhe të vitalitetit të saj”, shprehet Shuteriqi. Sipas saj, nëpër shkolla fëmijëve u mësohet diçka, por tekstet mësimore kanë probleme të rëndësishme. “Shpresojmë që të tejkalohen problemet me tekste, por atje ku fëmijët jetojnë, atje ku ata bëjnë jetën, shpeshherë e gjejnë veten të huaj, në vend që të jenë mbartësit, që edhe shkolla t’i stimulojë për të ruajtur atë pjesë të trashëgimisë të zonave dhe të vendeve nga vijnë”.
Ajo shton më tej se, ne jemi të gjithë dëshmitarë të faktit, që jo vetëm vobekësia, pamundësia, por edhe format jo shpesh efektive, të veprimtarisë së shtëpive të kulturës, nuk bëjnë të mundur përdorimin, ushtrimin e folklorit dhe të instrumenteve, me qëllim vazhdimësinë e traditës. “Skolaçitizmi që ne përdorim në të gjithë këtë sistem edukimi, duhet tejkaluar me politika strategjike. Këto politika strategjike duhet bërë pikërisht në këto rrafshe diskutimesh, pastaj të kalohen nëpërmjet institucioneve”. Së dyti, ajo ndali në atë çka duhet që të përfaqësojë Universiteti i Arteve, Fakulteti i Muzikës. “Ne kemi ngritur së fundmi një program studimor që quhet ‘Pedagogji Muzikore’, që ka për qëllim të krijojë mësues të kualifikuar të Ciklit të Ultë”. Ky është një hap i rëndësishëm, është një mundësi jo vetëm për të shkolluar të rinjtë, por edhe për të ngritur cilësinë e arsimit 9-vjeçar në këto fusha, e cila padyshim është në fillimet e veta dhe po kërkon pasurime dhe përvoja të reja. “Programi mësimor i standardizuar, që ne kemi akoma në këtë fushë studimore, por edhe në tërësi në Universitetin e Arteve gjatë kësaj periudhe 20-vjeçare me konsekuencat, vështirësitë, periudhën e globalizimit, siç jemi në procesin e Bolonjës, apo të hyrjes në strukturat e saj, ka sjellë shumë problematika të shkollës. Midis tyre ka qenë një qëndrim shpeshherë i paqartë me trashëgiminë, apo në lidhje me folklorin. Duhet të shikohet gjithçka nëpërmjet detyrave konkrete. Ne nuk jemi të mangët në dhënien e ideve. Hartohen tekstet e muzikës, kurrikulat dhe vetëm Universiteti i Arteve nuk pyetet në këto 20 vjet”, përfundon Shuteriqi.
“Edukimi i brezave përmes trashëgimisë kulturore shpirtërore një proces që kërkon implementimin e standardeve të gjithëpranuara”
Vasil S. Tole
Çështja e edukimit përmes Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore është padyshim një hap në drejtimin e duhur. Siç dihet, Trashëgimia Kulturore Jomateriale-Shpirtërore në Shqipëri ka një realitet të lashtë të ekzistencës së saj, qysh në zanafillën e krijimtarisë gojore të njerëzimit; njëkohësisht ajo po përjeton realitetin më të ri që lidhet me pranimin dhe mbrojtjen ligjore të saj, si pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit.
Kur në vitin 2003, vendosëm për të parën herë konceptin e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në ligjin 7048 “Për trashëgiminë kulturore”, na u desh një përpjekje e madhe intelektuale dhe lobim institucional që, ky koncept të pranohej nga shumica e njerëzve si realitet.
Sot Trashëgimia Jomateriale po zë gradualisht vendin e saj në korpusin e trashëgimisë kulturore.
Edukimi përmes trashëgimisë është vetëm njëri prej elementeve që kanë të bëjnë me ruajtjen e Trashëgimisë Shpirtërore. Ato përfshijnë edhe jetësimin e trashëgimisë, me fjalë të tjera, mbajtjen gjallë të saj; transmetimin, ku përfshihet edhe edukimi përmes trashëgimisë; inventarizimin, i cili përfshin ndërtimin e disa llojeve inventarësh dhe katalogësh të TKSH-së, si dhe studimin shkencor dhe popullarizimin e vlerave të TKSH-së. Sigurisht që, transmetimi i TKSH-së është në thelb një nga angazhimet më serioze që mund dhe duhet të ndërmarrë shteti, shoqëria dhe aktorët e interesit.
Shqipëria sot është më e ekspozuar se kurrë ndaj rrezikut të humbjes dhe denatyrimit të trashëgimisë së saj mijëravjeçare, edhe për shkakun se familjet e mëdha shqiptare dhe zonat konservative të kësaj trashëgimie, janë dukshëm të ekspozuara ndaj ndikimeve të globalizimit, të emigrimit dhe migrimit të popullsisë krahas shkaqeve të tjera. Çmoj se është detyrim i përbashkët i Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Akademisë së Shkencave që të prodhojnë një “Policy Paper”, në këtë fushë i cili të përcaktojë modalitetet, hapat dhe detyrimet që duhen përmbushur për të kryer një proces esencial të edukimit përmes trashëgimisë.
Për sa më sipër, Shqipërisë i nevojitet krijimi i një standardi të “edukimit cilësor” përmes Trashëgimisë Shpirtërore, i cili duhet të mbështetet në principet e gjithëpranuara: edukim, i cili është i pranueshëm për subjektin, por që gjithashtu promovon vlera universale; edukim, i cili është i mundur të ndodhë në pikëpamje të aksesit publik ndaj tij dhe të mirave që sjell, duke garantuar gjithëpërfshirjen e subjekteve dhe jo përjashtimin e tyre; dhe së treti, një edukim, i cili reflekton dhe ndihmon përmbushjen e të gjitha te drejtave individuale. Përmasat e edukimit përmes trashëgimisë duhet të përfshijnë edhe tri elemente shumë të rëndësishme në planin pedagogjik, të cilat lidhen me: studimin e dukurisë së Trashëgimisë Shpirtërore; kontaktin e drejtpërdrejtë të subjektit me bartësit dhe artistët popullorë; përfshirjen e tij në procesin e gjallë të transmetimit të TKSH-së...
Edukimi përmes Trashëgimisë Shpirtërore duhet të përmbushë gjithashtu parimet që lidhen me njohjen e shprehjeve të larmisë kulturore, por edhe si rrugë aktive e komunikimit ndërkulturor mes njerëzve. Nuk është e tepërt të themi se si në shumë vende, trashëgimia kulturore dhe aspekte të saj materiale ose shpirtërore kanë shkuar drejt humbjes, sepse vlerat e tyre nuk u përfshinë në kurrikulat e edukimit shkollor...
Së fundi, po rendit edhe disa çështje të tjera që janë të ndërlidhura me edukimin dhe që kërkojnë zgjidhje të shpejtë si:
1. Hartimi dhe mirëpërcaktimi i parimeve të strategjisë dhe të politikave shtetërore në fushën e Trashëgimisë Shpirtërore.
2. Ripërkufizimi i kuptimit të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore dhe i vlerave përbërëse të saj.
3. Identifikimi i Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore përmes një shënjimi të veçantë të tipit të emblemës etj.
4. Rikonceptimi i skemës kombëtare të institucioneve përgjegjëse për Trashëgiminë Kulturore Shpirtërore në nivel qendror dhe vendor dhe reformimi tërësor i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike në një Institucion të Trashëgimisë Jomateriale-Shpirtërore.
5. Krijimi i një Komiteti Shtetëror për Gjuhën Shqipe si vektor i Trashëgimisë Shpirtërore.
6. Krijimi i muzeve të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore.
7. Krijimi i një fondi publik për ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore si zë më vete në buxhetin e shtetit për MK.
8. Përditësimi i “Listës kombëtare të dukurive shpirtërore”; krijimi i “Listës së dukurive shpirtërore në rrezik”; dhe plotësimi i “Listës së dukurive shpirtërore -UNESCO”, me elemente të reja nga Trashëgimia Kulturore Shpirtërore e Shqipërisë.
9. Krijimi i më shumë se një inventari katalogimi të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore.
10. Mbështetje për projekte kombëtare dhe vendore të ruajtjes së trashëgimisë, të tilla si: veprimtari të gjallimit, transmetimit, edukimit, të studimeve dhe kërkimeve mbi të;
11. Shpërblimi i vlerave artistike të bartësve dhe prodhuesve të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore.
12. Vendosja e standardeve për shumëfishimin dhe riprodhimin e certifikuar të dukurive të TKSH-së etj.
Takimi synonte
1. Evidentimin e problematikave në fushën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale që secili prej institucioneve ndesh.
2. Nxitjen e bashkëpunimit midis institucioneve me spektër të përafërt në sektorin e TKJ, të tilla si: Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit, Akademia e Shkencave, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, Universiteti i Arteve, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, Qendra e Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare si edhe nxitjen e bashkëveprimit me medien.
3. Ngritjen e strukturave mbrojtëse, informuese dhe ndërgjegjësuese. (Sipas Nenit 14 të Konventës së UNESCO-s për Mbrojtjen e TKJ).
4. Shndërrimin në praktikë të politikave kulturore.