Drejtori i Drejtorisë së Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës në Tiranë, Olsi Lafe, ka propozuar në këtë takim miratimin e një ligji të veçantë për të gjithë punëtorët e galerive dhe muzeve, i cili do t’i obligojë ata që të respektojnë strikt ligjet muzeore, ose përndryshe duhet të burgosen dhe të përgjigjen penalisht. Për përvojat e Muzeut Nacional të Sllovenisë, i cili ka një veprimtari të suksesshme mbi 190 vjet, ka folur drejtoresha Barbara Ravnik, e cila në fjalën e saj u përqendrua kryesisht në koleksionin arkeologjik.
Samir Hoxha, drejtori i Drejtorisë për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik në Prizren, e cila së bashku me përfaqësuesit e projektit PEM organizon këtë trajnim, ka thënë se ky takim është bërë për të ngritur kapacitetet e personelit teknik, të cilët punojnë në menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe në veçanti në menaxhimin e muzeve.
Gjatë këtyre 10 ditëve, programi përqendrohet në paraqitjen e menaxhimit të strategjive dhe praktikave të muzeve, konservimit, inventarit dhe dokumentimit të koleksioneve, aspektet ligjore; qasjen në koleksionet e muzeve, parimet e muzeologjisë dhe teknologjive moderne; interpretimin dhe komunikimin e koleksioneve e planeve të marketingut të muzeve dhe në muzetë dhe rolin e tyre në zhvillimin lokal, si agjentë të edukimit e rritjes shoqërore për komunitetet lokale.