Spekulimet per zhdukjen e thesareve arkeologjike te Shqiperise jane bere nga ata persona qe kane qellimet e veta politike

Spekulimet per 'zhdukjen' e thesareve arkeologjike te Shqiperise, jane bere nga ata persona qe kane qellimet e veta politike

Çështja e përfolur shumë në media ditëve të fundit, rreth “zhdukjes” së thesareve të Shqipërisë, që u morën e s’u kthyen akoma atje, duket se ka ngjallur interesim të jashtëzakonshëm në Muzeun e Kosovës, në vendin ku ato thesare rrinë të ekspozuara qe pothuajse një muaj. Nga ky institucion thonë se muzeu ka shënuar numrin më të madh të vizitorëve që ka pasur ndonjëherë, falë ekspozitës së përbashkët në mes të Kosovës dhe Shqipërisë me titull “Një komb, një kulturë”.

Por, e hëna është dita më pak e zhurmshme në muze, për faktin se në ditën e parë të javës, dyert e muzeut janë të mbyllura për vizitorët, ngaqë e hëna për këtë institucion është ditë pushimi, duke marrë parasysh se çdo ditë tjetër e javës për punëtorët e atyshëm, është ditë pune. Të hënën ciceronët janë në pushim, ndërkaq në oborr mund të vëresh sigurimin që ruan ndërtesën.

Por drejtori i muzeut ishte aty. Shafi Gashi, i cili ka disa muaj që ka marrë këtë pozitë, thotë se shqetësimet e ngritura javën e shkuar në mediat e Shqipërisë janë të tepërta. Është fat i mirë, sipas tij, që këto thesare të kombit i janë ekspozuar qytetarëve të Kosovës: “Kjo është ekspozita më e mirë që ka pasur muzeu ndonjëherë. Është shumë me fat që ne si muze i Kosovës e kemi atë, sepse jo gjithherë mund të ndodhë kjo. Të gjithë duhet të jenë të kënaqur që ajo është hapur këtu e të mos ngremë shqetësime”, ka thënë Gashi.

Megjithëse nuk ka dhënë ndonjë statistikë, drejtori Gashi ka treguar se stina e verës është goxha e “bereqetshme” për muzeun, e sidomos ekspozimi i artefakteve kaq të rëndësishme me ekspozitën e fundit ka rritur shumë numrin e vizitorëve.

“Numri i vizitorëve është dy apo trefish më i madh ose edhe më shumë. Vijnë grupe deri në 200 vetë në formë të organizuar, vijnë ndërkombëtarët, si KFOR-i amerikan dhe ai gjerman, pastaj kemi pasur edhe disa vizita të nxënësve që janë organizuar, si dhe grupe të vogla e familjarë që janë të shumtë”, ka thënë ai.

Shafi Gashi, drejtor i Muzeut të Kosovës, i ka thënë gazetës se për ekspozitën “Një komb, një kulturë”, janë marrë masa të veçanta sigurimi, dhe ndër të tjera, ka shtuar se spekulimet e dhëna në mediat shqiptare, janë bërë kryesisht nga ata persona që kanë qëllimet e veta politike.

“Siguria është në nivel, ekspozita sigurisht është në vëzhgimin e kamerave, kemi dy lloj sigurimesh në sallë, personat e angazhuar për siguri fizike, dhe ciceronët që japin sqarime, ndërsa në oborr është edhe sigurimi i muzeut. Pjesa më e madhe e artefakteve janë në vitrina, po ashtu në pjesët ku janë ekspozuar artefaktet kemi vendosur barrikadë që nuk lejojnë t’u afrohen veprave të rralla. Nëse disa ikona nuk janë të futura në vitrina, kjo është bërë pasi kuratori e ka menduar ashtu”, ka thënë Gashi për “Zërin”.

Gashi ka shtuar se ky institucion ka një kontratë dhe siç thotë ai, ata i kanë përmbushur të gjitha kushtet për ekspozitë, ashtu siç i ka kërkuar huadhënësi.

Ndërkaq gazeta ka mësuar se kompania që bën ruajtjen e tyre fizike është kompania “Luani”, por nëse ka ose jo një kontratë me një kompani sigurimi që bën atë që quhet polisë sigurimi, e cila në rast dëmtimi apo tjetërsimi do të duhej të merrte përsipër ndonjë humbje, Gashi ka lënë të nënkuptohet se një dokument i tillë sigurimi nuk ekziston, duke u përgjigjur se nuk kanë bërë kontratë të detajuar: “Nuk kemi bërë një kontratë të detajuar, por në rast nevoje kemi paraparë që të rriten masat e sigurisë, e të thirren njerëz shtesë”.

I pyetur po ashtu nëse temperaturat e larta që këto ditë po mbretërojnë në Kosovës i dëmtojnë artefaktet, Gashi ka thënë se salla ka një temperaturë konstante.

“Salla realisht nuk ka sistem klimatik, mirëpo për fat godina është e shumë e vjetër dhe temperatura brenda sallës nuk varion shumë. Ka pak a shumë një temperaturë konstante, natyrisht tash verës, shkon mbi 22 gradë mirëpo nuk është shumë e lartë, artefaktet të cilat i kemi nuk i dëmton”, ka shtuar Gashi.

Drejtori i muzeut ka bërë edhe një krahasim rreth ekspozitave të fundit dhe interesimit të shfaqur për to, duke treguar se muajt e verës kanë sjellë ekspozita shumë interesante si: “World Press Photo’ që ka qenë e hapur mbi dy javë, pastaj tashmë është hapur ekspozita ‘Një komb, një kulturë’ e cila ka shënuar numër të madh të vizitorëve, në raport me ekspozitat e tjera që i kemi pasur. Dhe natyrisht vërehet fluks më i madh edhe në ‘Kompleksin e Menxhikut’ të vizitorëve, qoftë të huaj dhe shqiptarë që jetojnë në diasporë. Qëndron e hapur edhe ekspozita ‘Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë’ e cila po ashtu është mjaft e vizituar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama