Spiropali Do ti eliminojme cmimet e references ne dogana

Spiropali: Do t'i eliminojme çmimet e references ne dogana

Çmimet e referencës në dogana do të reduktohen deri në heqjen përfundimtare të tyre. Kjo pritet të realizohet janarin e vitit që vjen. Premtimi u bë nga Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, në takimin e zhvilluar dje me Dhomën Amerikane të Tregtisë, ku ajo prezantoi aktivitetin e “Crown Agents”, kompanisë britanike që do menaxhojë doganat. “Reduktimi deri në heqje të referencave me BE-në dhe SHBA-në. Është deklaruar edhe nga ministri i Financave data 1 janar 2015, si e mundshme, por nuk janë deklaruar asnjëherë çmimet e referencave do të zhduken plotësisht”, theksoi Spiropali.

 

Heqja e referencave ka qenë një kërkesë konstante e biznesit amerikan drejtuar Drejtorisë së Doganave. Spiropali bëri një prezantim të strategjisë së punës së “Crown Agent”, ku theksoi se puna e kësaj kompanie synon uljen e korrupsionit dhe minimizimin e kontrolleve. “Do mbulojë tri fusha të veçanta, efektin operacional të doganave, zhvillimin e burimeve njerëzore, antikorrupsionin. Rritjen në nivelin e të ardhurave që parashikohet edhe në kontratën që qeveria shqiptare ka nënshkruar me Crown Agents”, sqaroi drejtorja e Përgjithshme e Doganave. Duke sqaruar procesin, Spiropali deklaroi se çdo muaj do të bëhen 450 kontrolle, ku do të përfshihen kontrolle ndaj administratës doganore dhe operatorëve që nuk janë të rregullt.

 

“Nëse bëjmë inspektime dhe nuk gjenden shkelje, atëherë do të bëhet një analizë risku mbi bazën e së cilës do të operohet më tej. Gjatë këtyre inspektimeve nuk do të kontrollojmë sërish tregtarët legjitimë për të mos humbur kohë, por ata që shkelin ligjin”, deklaroi Kevin Atkinson. Sipas përfaqësuesit të “Crown Agent”, Kodi i ri Doganor që do t’i paraqitet Ministrisë së Financave e që synon thjeshtëzimin e rregullave dhe procedurave doganore, do të lehtësojë mjaft punën e administratës doganore. Kompania britanike “Crown Agent” ka nënshkruar një marrëveshje 2-vjeçare me qeverinë Shqipëria për menaxhimin e doganave shqiptare dhe rritje të ardhurave doganore me 1 për qind të GDP-së. Për këtë shërbim asistence, qeveria shqiptare ka paguar 8.5 milionë euro për dy vjet.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama