Spiropali Jane larguar kreret e doganave ne pikat kufitare

Spiropali: Jane larguar kreret e doganave ne pikat kufitare

Shehaj: Përplasja ime me Bashën para zgjedhjeve. Spiropali: Kam ulur kokën zbatoj ligjin, jo punësime për FRESSH

Konomi - Spiropali bëri të ditur se ka komanduar në Drejtorinë e Doganave në Durrës, ish-deputetin e PS-së, Edison Konomi

Jakaj - Presidenti i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, tha dje se “Tendenca e qeverisë dhe Kryeministrit të ri janë pozitive që realisht duhet të integrojnë politikën dhe duhet t’i përkrahin këto tendenca të reja. Është sakrificë për drejtoreshat për detyrën që kanë marrë përsipër”


Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Erisa Spiropali, deklaroi dje se janë larguar të gjithë krerët e doganave në pikat më të rëndësishme kufitare të vendit siç janë Rinasi, Kakavija, Durrësi, Tirana etj. Dy drejtueset kryesore të institucioneve financiare, Erisa Spiropali, në krye të Doganave dhe Briseida Shehaj në krye të Tatimeve janë rrëfyer dje në emisionin “Shqip” në “Top Channel” të Rudina Xhungës për sprovën e madhe të tyre në menaxhimin e të ardhurave dhe të financave shqiptare. Spiropali dhe Shehaj u rrëfyen dhe mbi sulmet që përjetuan nga mediat e djathta për emërimet. “I kam parë shkrimet në gazeta, më shumë i ka ndjekur familje ime, rrethi im shoqëror, më vjen keq, jo për fotot, por për mënyrën se si përdoren ato. Unë nuk kam “Facebook”, janë përdorur fotot e miqve të mi, që s’kanë asnjë lidhje.

 

Nuk është se kam kompleks apo frikë që fotot e mia të botohen, ato datojnë në 2006, nuk e di se si shkojnë njerëzit në plazh apo gazetarët e RD, apo në një lokal në Dhërmi. Kam bërë jetë më se normale, jam shumë e lumtur që dal me miq të vjetër. Për pjesën e punës kanë akoma më shumë për të hulumtuar”, shprehet Shehaj. Drejtoresha e Tatimeve rrëfen gjithashtu përplasjen me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, në zyrën e elektorale të kandidates së PS-së, Lindita Nikolli. “Ishim në zyrën elektorale të njësisë 1, hyn kryetari i bashkisë në zyrën me atë buzëqeshjen që e karakterizon dhe thotë: fitoftë më i miri! Sigurisht i them që do të fitojmë ne, ne jemi më të mirët. Dua të shtoj se pavarësisht se ne kemi bindjet tona politike, do të zbatojmë ligjin, jo bindjet tona politike”, thekson Shehaj.

Punësimet

Spiropali shprehet se nuk do të jetë “rebele” siç ishte në kohën kur drejtonte FRESSH-in, pasi do të ulë kokën dhe do t’i bindet vetëm zbatimit të ligjit. Ndërsa shton se nuk do të ketë punësime masive për FRESSH-in. “Kam ulur kokën përpara ligjit, jo përballë askujt. Nuk është parti politike, s’jemi duke bërë debate politike për statutin e PS-së. Kryeministri i vendit nuk është i socialistëve, por është i vendit. Shëndoshja e buxhetit rimëkëmbja e shtetit është kryesorja. Kritikët e investiguesit e medias duhet të fokusohen te puna jonë se si po e kryejmë atë e jo te veshja apo mosha jonë. S’kemi asnjë synim të errët për t’u pasuruar shpejt, apo për të vazhduar avazin e vjetër. Përkundrazi, do të jemi të ndershëm në punën tonë. Do të jemi partner me biznesin, që ai të bëjë punën e vet. Absolutisht jo FRESSH në punë.

 

Ata që meritojnë e japin do të jenë atë që promovohen. Do të jetë një konkurs i hapur ku të gjithë të rinjtë  që kanë shkollim mund të punësohen”, theksoi Spiropali. Drejtoresha e Doganave shton se po punohet për një agjenci ndërkombëtare të doganave, ku përflitet emri i “Crown Agents”, por janë ende në negociata. Drejtoresha e Tatimeve ndërkohë theksoi se nuk do të ketë spastrime masive në Tatime, ashtu siç është përfolur apo i ka hyrë frika administratës tatimore. “Nuk do të ketë spastrim në administratë dhe nuk e kuptojmë pse është perceptuar një gjë e tillë. Një njeri ka dhe profil pune e arsimi, për sa kohë nuk përputhet me profilin e punës apo arsimin nuk ka si të qëndrojnë në punë.

 

Aktualisht janë 300 veta me kontrata të përkohshme, në periudhën janar-shtator të këtij viti. Ne do të hapim konkursin, do të bëhen grupet e punës e do të hapen konkurset. Nuk janë bërë punësimet me konkurse, me justifikimet se kemi qenë në ristrukturime. Një institucion që punësimin e ka me statusin e nëpunësit civil”, shprehet Shehaj. Ndërsa Spiropali shtoi se në punën e saj ka pasur pezullime dhe emërime të reja e kjo për arsye të rezultateve të dobëta të konstatuara. Aktualisht janë komanduar njerëz në pothuajse të gjithë degët e drejtorive të doganave. “Ka pasur pezullime të tjera, në degën e Kapshticës, Tiranës, në Durrës, në Kakavijë dhe do të vazhdohen.

 

Të ardhurat në dogana do të rriten të paktën 50% brenda katër viteve, kështu e kemi bërë në plan paraprakisht, kjo varet dhe nga rritja ekonomike. Është ngritur një Këshill Ekonomik, ku do të jetë Kryeministri, ministri i Financave, drejtori i Tatimeve, grup që do të shqyrtojë realisht shifrat e statistikat. Në doganën shqiptare nuk do të bëhet më lekë, kushdo që shkel ligjin dhe sjell dëm do të kapet. Kushdo që i bie në qafë padrejtësisht biznesit do të shkojë para drejtësisë”, theksoi Spiropali. Dy zyrtaret e larta theksuan se brenda kësaj jave do të përcaktohen rregullat se do të bëhen konkurset për punësimet jo vetëm për Doganat dhe në Tatime, por edhe në institucionet e tjera.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama