Ish-shefi i Antikontrabandës, Denion Meidanit është pezulluar për paaftësi. Kështu shkruan drejtoresha e hekurt e Doganave, Elisa Spiropali në një letër publike. Ndërsa ironizon për komentet e Meidanit lidhur me njohjen e Kodit të Etikës, Spiropali shton se masa e dënimit me pezullim ka qenë shumë e lehtë për të. Reagimi i saj, i bërë nëpërmjet rrjetit social, facebook, vjen pas reagimit të djalit të ish-Presidentit Meidani. I ftuar në një emision televiziv ai ka pohuar se: “Një muaj më parë unë me stafin tim kam arritur rezultate që të tjerë si kanë arritur për një vit por më hoqën pa të drejtë nga puna për shkelje të Kodit të Etikës që unë as sot nuk e kuptoj çfarë lloj shkelje është”. Ai ka deklaruar gjithashtu se vendimi për pezullimin e tij erdhi pas një gjobe vendosur një kompanie të madhe turke, pronari i së cilës erdhi në Shqipëri dhe komunikoi me Spiropalin.
Letra e plotë
Ish-shefi i Antikontrabandës në administratën doganore, ai të cilin asnjë gazetë dhe asnjë televizion nuk harron ta cilësojë çun i cilit babi është, nuk mban mend kur, si dhe pse, është pezulluar. Nëpër tym përmend "Kodin e Etikës".
Ky është një problem i madh. Jo për ish-shefin e Antikontrabandës, se ish-shefi, meqenëse shkelësi është vetë ai, flet si i intereson. Problem është për gjithë të tjerët që zënë kokën me duar kur shohin dhe dëgjojnë cilin paskan pasur shef të Antikontrabandës, emëruar në të ngrysur të qeverisë që na la të gjitha përveç shëndetit. Kur Etika respektohet, harrohen shkeljet e rralla të saj. Kur Etika nuk respektohet harrohen shkeljet e shpeshta. Ky i dyti është rasti me ish-shefin. Pas këtij "harrimi" të ish-shefit, kemi plotësisht të drejtë të mendojmë se ky ish-shef rastet e respektimit të Etikës i ka pasur aq të rralla sa i mban mend, ndërsa rastet e shkeljes së Etikës aq të shpeshta sa nuk i mban mend. Por ish-shefi i Antikontrabandës s'mjaftohet me shkeljet e shumta që nuk i mban mend, shkon edhe më larg. Si shkelës i regjur i çdo kodi detyre, si në disa detyra të larta ku ka qenë dhe është shkarkuar vazhdimisht, me shkeljet s'ka të sosur. Del, për shembull, në televizor, ku, mes tjerash, dy vaporë me rrena deshi t'i shesë për dy vaporë me skrap. Në atë dalje televizive ku provoi me gojën e vet marrëdhënien e deformuar që ka me etikën dhe logjikën, mua si Drejtore e Administratës Doganore më bëri të reflektoj lidhur me masën e dënimit aq të lehtë që i dhashë vetëm duke e pezulluar. Por vrapi i ish-shefit të Antikontrabandës për të shkelur të gjitha kodet duke shqiptuar vaporë me rrena, s'ka të ndalur.
Atë mbrëmje në televizor, jo vetëm gënjeu, por gënjeu si një mashtrues i regjur, buzagaz, duke ngatërruar përmes kombinacionesh delirante, deri edhe kompani të mëdha, madje deri edhe shtete të mëdha, e të tjera e të tjera. Nuk më përket mua t'i kujtoj ish-vartësit tim atë që ish-vartësi im e ka harruar. Unë nuk jam Drejtore e Doganave për t'u kujtuar vartësve në administratën doganore shkeljet. Unë këtë detyrë e kam, ndër të tjera, edhe që vartësit për shkeljet t'i dënoj. Ish-shefi dhe ndonjë tjetër që ende nuk e di, le ta mësojë se edukatën e jep familja dhe dijet i jep shkolla. Kur nis një punë është e nënkuptuar se je edhe i edukuar edhe i mësuar. Puna nuk është familje që të edukon, as shkollë që të mëson. Nëse ndodh, si në rastin e ish-shefit, që gjatë punës nuk rezulton të jesh fort i edukuar dhe as fort i mësuar, jo vetëm unë, cilido drejtor merr masa. Sado shkolla të kesh bërë, sado tituj të të kenë dhuruar, sado vaporë me rrena të përhapësh me anë të televizorit. Me këtë rast dua t'i bëj publikut të ditur disa gjëra.
Numri i bashkëshortëve, bashkëshorteve, bijve, bijve, kunatave, nipave dhe stërnipave, xhaxhallarëve, dajave, hallave, që ende përkohësisht vazhdojnë të jenë të punësuar në dogana, është pabesueshmërisht i madh. Numri i telefonatave që po më bëhen për të mbajtur në punë këtë oqean nepotizmi dhe klientelizmi, është gjithashtu tej çdo përfytyrimi. Botëkuptimi im si njeri që çdo milimetër të rrugës së jetës e kam bërë me forcat e mia, është në kundërshtim të hapur dhe flagrant, totalisht i kundërt me sa po më shohin sytë e po më dëgjojnë veshët. Përgjegjësia ime intelektuale, humane, profesionale, nuk e pranon kurrsesi këtë gjendje. Kjo gjendje është, pak të thuash, e padurueshme. Brenda kësaj tabloje rasti i ish-shefit, jo duket, është qesharak.
Pohimet publike të Denion Meidanit, gjoja i pezulluar prej meje për shkak të lidhjeve të mia të errëta ekonomike krijuar me kompaninë në fjalë, janë thjesht broçkulla të neveritshme. Me këtë rast dua t'i bëj me dije publikut se ish-shefi nuk ka asnjë talent tjetër veç të përdorurit pa vend të mbiemrit të tij të nderuar. Ai është pezulluar nga detyra për paaftësi, mungesë profesionalizmi, dëmtim të imazhit të institucionit. Denion Meidani është krejt i papërshtatshëm për t'i shërbyer shtetit në atë detyrë të lartë e delikate. Me pezullimin, jam plotësisht e bindur se ndaj tij kam marrë masën e duhur. Denion Meidani do kalojë në komision disiplinor ku do gjykohet për performancën e tij etike-profesionale. Lidhur me pretendimet e tij për kompaninë në fjalë, Kurum do paguajë një më një të gjitha detyrimet ndaj shtetit shqiptar. Unë vetë, në shembullin e prindërve të m'i, të edukatës me të cilën ata më kanë brumosur, po jetoj dhe do jetoj me atë që siguroj vetëm dhe vetëm nga puna e pareshtur. Kjo letër nuk i drejtohet kurrsesi personit apo personave të sipërpërmendur. Këtë letër unë i’a adresoj kurrkujt tjetër përpos të vetmit ndaj të cilit kam borxh. publikut.
Spiropali: Kufirin me Kosovën ta kthejmë në virtual
Kufiri mes real mes Shqipërisë dhe Kosovës do të kthehet në një vijë kufitare thjesht virtuale. Kështu pohon drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali pas takimit të zhvilluar me drejtorin e sapozgjedhur të Doganave të shtetit të Kosovës, Lulzim Rafuna. “Angazhim teknik konkret për ta kthyer kufirin real në një kufi virtual”- vlerëson Spiropali pas takimit, duke shkruar në profilin e saj në facebook. Gjatë takimit, ata kanë thënë se do të thellojnë bashkëpunimin dhe se barrierat midis dy vendeve duhet të vijnë duke u shuar dhe kufiri mos të shërbejë si një pengesë, por si një urë lidhëse midis të dyja vendeve. Drejtuesit e Doganave të Kosovës dhe ata të Doganave të Shqipërisë janë pajtuar që të marrin masa në mënyrë që të largojnë të gjitha problemet që kanë hasur bizneset e të dyja vendeve. Dy drejtuesit e rinj të doganave nga të dy vendet kanë thënë se do të punojnë që kufirin ta shndërrojnë nga një kufi real në atë virtual. Drejtoresha e Doganave të Shqipërisë ka bërë të ditur se ka marrë garanci që nuk do të ketë asnjë pengesë në realizimin e këtij synimi për shkak të interesave të politikës. Në takimin e mbajtur në Prishtinë, palët janë pajtuar që të takohen çdo dy muaj dhe të formojnë grupe të posaçme me qëllim të eliminimit të barrierave. Vitin e kaluar bizneset e të dy vendeve janë përballur me procedura të shumta të vendosura nga doganat e të dy vendeve. Ky ishte takimi i parë Rafunës me një homolog që nga emërimi i tij si drejtor i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, ndërsa ai dhe homologia e tij nga Shqipëria kanë rënë dakord që të takohen nga një herë në dy muaj.
Mejdani: Ju rrëfej të vërtetën e aksionit në Lezhë
“Puna e Antikotranandës e shkëlqyer, flasin faktet dhe shifrat”
Ish-shefi i Antikotrabandës, Denion Meidani, reagon pas letrës publike të kryedoganieres, Erisa Spiropali, e cila ka deklaruar se pezullimi është bërë për paaftësi, ndërsa e akuzon Meidanin për shfrytëzim të mbiemrit. Ai i kthen përgjigje Spiropalit për akuzat e ngritura, ndërsa shpjegon rrugën që do të ndjekë.
Përgjigjja
Doja t'i bëja me dije zonjës se jam krenar për mbiemrin tim dhe se nuk e kam përdorur askund me apo pa vend dhe nuk i bën aspak nder që mendon se mund të abuzojë duke pretenduar që unë e paskam çdo gjë të dhuruar. Kam studiuar vetëm jashtë ku mbiemri i asnjërit nuk merret parasysh, por gjykohet vetëm nga dijet, puna dhe kapacitetet. Kam punuar si në sektorin publik dhe atë privat me rezultate e arritje të dukshme dhe ndryshe nga ajo, edhe në doganë nuk jam katapultuar, por kam hyrë me konkurrim dhe rezultate. Është fatkeqësi që një institucion shtetëror kaq i rëndësishëm ka për titullarë një vajzë të paditur e të pamësuar që fshihet mbas arrogancës dhe agresivitetit të saj për të mbuluar defektet që zotëron. Ajo që ditën e parë të punës në administratën publike e filloi si Drejtoreshë e Përgjithshme pa pasur asnjë eksperiencë të mëparshme në sektorin privat apo administratën publike që do i duhej minimalisht çdo personi të përgjegjshëm për të kuptuar nivelin e mjaftueshëm të nevojshëm të një detyre shtetërore të këtij kalibri.
Për akuzat që ka ngritur ndaj meje me paturpësinë më të madhe duke thëne se "...ish-shefi i Antikontrabandës s'mjaftohet me shkeljet e shumta që nuk i mban mend, shkon edhe më larg. Si shkelës i regjur i çdo kodi detyre, si në disa detyra të larta ku ka qenë dhe është shkarkuar vazhdimisht, me shkeljet s'ka të sosur..." Doja të më thoshte se ku i kam këto shkelje të shumta si në detyrën e fundit dhe ato paraprake sepse i konsideroj si shpifje të ulëta dhe asgjë më shumë. Gjithashtu doja të pyesja zonjën se nga cilat detyra jam shkarkuar në vazhdimësi sepse kjo është qesharake dhe nuk i lejohet drejtueses së institucionit ku unë punoj dhe ka dosjen time të plotë, përfshi këtu edhe librezën time të punës. E këshilloj këtë vajzë të nxituar të konsultohet më shpesh me letrat në institucion sepse nuk punon më në OJQ.
Megjithëse institucionalisht nuk i është përgjigjur akoma kërkesës time me shkrim për të më informuar se cila ishte shkelja ime e Kodit të Etikës për të cilën me ka pezulluar, shoh se po ma kthen në formën e akuzës publike nëpërmjet letrës se saj se paskërkam qenë "pezulluar nga detyra për paaftësi, mungesë profesionalizmi, dëmtim të imazhit të institucionit". Shpresoj vetëm që zonja ka qenë e aftë të dokumentojë paaftësinë dhe mungesën e profesionalizmit tim gjatë këtij një muaji të shkurtër që unë kam qenë në detyrë (dhe akoma më pak kohë nën drejtimin e saj) kur shifrat dhe faktet flasin për një punë të shkëlqyer të Antikontrabandës gjatë kësaj kohe. Kemi vënë gjatë këtij një muaji aq gjoba sa Antikontrabanda nuk i kishte vënë ndonjëherë në një vit të tërë kalendarik.
Mendoj se asnjë nga publiku nuk e besoi kryeministrin kur tha që Elisa sapo erdhi tek dogana brenda natës e bëri të dukshme punën e saj duke i vënë gjobën tek depozitat e kompanisë Ada Petrol në Lezhë. Forcat e Antikontrabandës kishin shkuar dhe po punonin që në ora 11.00 tek depozitat në fjalë, ndërkohë që vetë zonjusha Spiropali u prezantua në ora 13.00 nga Ministri i Financave në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Refuzoj gjithashtu të pranoj që paskam dëmtuar imazhin e institucionit dhe pres nga zonjusha që ta ketë dokumentuar dhe këtë gjë me seriozitet, por ama nuk besoj se është kaq naive sa të mendojë se mund të hidhte baltë në media, mbi mua dhe emrin e familjes time dhe mos merrte asnjë reagim.
Më bëjnë të qesh ofertat e saj të ndryshme të mëparshme për vende alternative apo kur mendon se mund të më kërcënojë duke më thënë se "mua si Drejtore e Administratës Doganore më bëri të reflektoj lidhur me masën e dënimit aq të lehtë që i dhashë vetëm duke e pezulluar" dhe ja përsëris sërish se në çdo rast nuk do doja të isha në marrëdhënie pune e të bashkëpunoja me një drejtuese pa eksperience, të panxënë e të papërgjegjshme si ajo.
Ngelem në pritje që të më serviren në Komitetin Disiplinor prova e fakte e jo lloqe pazari.