Një i vdekur nuk dëshmon. Një i vdekur nuk akuzon. Kësaj here nuk bëhet fjalë për një individ të vdekur, por për një institucion nga më të njohurit në vend, “i planifikuar” për ironi të fatit që të shpëtojë jetë. Kësaj here bëhet fjalë për Spitalin Ushtarak, i cili praktikisht ka vdekur. Institucioni në periferi të Tiranës, që nisi të ndëtohej në vitet 30’, ka mbërritur në muzg të veprimtarisë së tij. Sot, në mënyrë paradoksale, në këtë spital mungojnë ilaçet bazë duke nisur me alkoolin, bisturitë apo ultrakorteni, por nuk mungojnë kafet e shumta të shpërndara në të gjithë territorin e tij. Vërtet nuk mund të gjendet shpresë për shërim, por kushdo mund të lajë makinën në lavazhin e hapur apo të gjejë parkim “të garantuar”. Një mjerim i thellë, një krim që nuk ka vetëm një autor.
Tek urgjenca
Një Mercedes i vjetër më shumë bën tym e zhurmë me burinë e takuar sesa lëviz me shpejtësi drejt portës së madhe hyrëse në fund të rrugës së Laprakës. Eshtë një nga urgjencat e zakonshme; një fatkeq po vjen të provojë fatin dhe bastin e madh mes jetës dhe vdekjes mbas një aksidenti në aksin rrugor të Fushë-Krujës. Portieri, pjestar i policisë ushtarake nxiton të hapë derën. Eshtë i shëndoshë dhe indiferent. Bën thjesht me dorë duke treguar drejtimin që duhet të marrë makina. Një tufë qensh bastardë që ngrohen në diell nuk shqetësohen nga zhurma e makinës. Duken të mësuar me ambientin e tyre që e ndajnë me mjekë, pacientë apo familjarë pacientësh. Mercedesi kthen për në godinën e urgjencës në të majtë të hyrjes kryesore. Aty pastaj, fatkeqi i aksidentit duhet të llogarisë ndihmën e Perëndisë. Natyrisht edhe të mjekëve, por këta i kanë duart e zëna. Sepse i kanë lënë me duar bosh. Pacienti është me politraumë. Dhe për t’i ardhur në ndihmë, duhet të ketë mbi kokë mjekë të specialiteteve të ndryshme. Që nga ortopedi, tek kardiologu, kirurgu torakal, kirurgu vazolog e të tjerë, deri tek okulisti. Pak minuta më pas, në spital vijnë dhe dy të aksidentuar të tjerë në të njëjtin episod. Dhe vetëm gjysëm ore mbasi pacienti i parë ka hyrë në sallën e operacionit, një infermiere del jashtë dhe kërkon të afërmit e tij. I gjen. Ju lë në dorë një recetë që duhet të “ekzekutohet” në një nga farmacitë e shumta jashtë rrethimit të spitalit. Tmerr! Ju ka kërkuar të blejnë edhe ujë fiziologjik. Gjaku nuk diskutohet. “Cili nga të afërmit do të japë gjak”, pyet dhe ata binden sepse ndërkohë e kanë hedhur shortin për tre vullnetarët e parë “dhurues”. Japin 1200 mililitra gjak. Nuk ka rëndësi grupi i gjakut; aty fuksionon sipas parimit, jep tre qese me gjak, merr tre te tilla nga banka e Gjakut.
Trauma e traumës
Nga kjo javë, qendra e traumës, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes do të kalojë në varësi të ministrisë së Shëndetësisë. “Një absuurditet”, thotë një nga mjekët reanimatorë. Nuk do që të japë emrin ndonëse mban gradën e Profesorit. Eshtë thjesht i frikësuar. “Dy kolegët tanë i pezulluan nga detyra vetëm sepse kanë folur me shtypin “pa leje” pak kohë më parë”, thotë ai. Drejtori i spitalit, Bedri Mihaj, një personazh shumë i lakuar tek bluzat e bardha, vetëm pak ditë më parë, të premten, në mbledhje me shefat e shërbimeve kishte tentuar të bënte sërish hetuesin. “E kishin përmendur në debatin televiziv të Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami me gazetarë tek Opinioni i Fevziut. Të nesërmen, u kërkoi me insistim mjekëve të gjenin se kush i kishte afruar të dhënat për shtypin, për mungesën e ilaçeve dhe nepotizmin e tij në institucion. Në këmbim premtoi: “Do të firmos çdo kërkesë për shtrim pacientësh në spital”, kishte thënë drejtori Mihaj.
Që në komisionin parlamentar për shëndetësinë, kur diskutohej për transferimin e traumës, gënjeu përpara deputetëve kur foli për raportin ushtarakë e civilë që kanë marrë ndihmë në Spitalin Ushtarak. Ose gënjen, ose pranon se ai dhe eprorët e tij nuk kanë zbatuar ligjin që kërkon që të gjithë ushtarakët, policët e gardistët, të bëjnë kontroll të plotë dy herë në vit. Madje, edhe familjarët e tyre. Që do të thotë se vetëm nga zbatimi i ligjit, Spitali Ushtarak do të duhet të kalonte në strukturën e tij rreth 40 mijë vizita ushtarakësh në vit. Nuk bëhet sepse ligji nuk zbatohet.
“Trauma? U premtua se mbas ndryshimit të varësisë së saj nuk kishte asnjë prapamendim. Të llojit që në territorin dhe ambientet e Spitalit Ushtarak nuk do të zgjateshin duart e privatëve. Por edhe sikur të jetë kështu, nuk ka as logjikë ekonomike dhe as logjikë shëndetësore për t’u bërë. Do të afrohen mjekë civilë, që do të thotë se do të rritet kostoja e shërbimit. Në traumë kërkohet të plotësohen të gjitha shërbimet me mjekë të të gjitha specialiteteve. Nga ana tjetër, në QSUT, qëndra e traumës e inaguruar me bujë vitin e kaluar, ende nuk ka hyrë në funksionim. Dy kate të spitalit të ri janë bosh”, thotë një mjek tjetër i revoltuar. Që kujton dhe një detaj tjetër. Që kjo punë shqiptarishte e llojit, prish bucela dhe bëj kanaçe, shkon ndesh dhe me një masterplan të bërë në kuadër të përpjekjeve të dikurshme të Shqipërisë për t’ju përshtatur standarteve të ushtrisë shqiptare me NATO-n.
Standarti i shkelur
“Kështu ndodh kur kujtesa është e shkurtër dhe nuk ka fare kujtesë historike. Në vitin 2002-2003, një ekip mjekësh të NATO-s kanë qëndruar për gati një vit e gjysëm në ambientet e Spitalit Ushtarak. Ata përcaktuan strukturën e spitalit dhe i dhanë atij atë që në gjuhën e NATO-s quhet Roli 3. Që do të thotë, një institucion shëndetësor i aftë të japë ndihmë të kualifikuar në rast konflikti. Që ka personel të mjaftë dhe të gatshëm të kryejë të gjitha llojet e kërkuara të operacioneve”, thotë një mjek. Me largimin e traumës dhe premtimin për transferimin e Spitalit Ushtarak në Zall Herr, ky funksion pushon së ekzistuari. Dhe Spitali Ushtarak, mund të zbresë në nivelin e Rolit 1 apo Rolit 2, që janë thjesht afrimi i ndihmës së parë në vendngjarje, një rol thjesht operacional, i papërputhshëm me detyrimet që kanë Forcat e Armatosura, në këtë rast strukturat shëndetësore të tyre, me NATO-n.
“Eh, ishte një kohë tjetër”, thotë një tjetër mjek që kujton se në gjysmën e parë të viteve 2000, një tjetër studim me eksertë jo vendas, e cilësonte Spitalin Ushtarak si të vetmin institucion shëndetësor në Shqipëri që mund të afronte një standart të pranueshëm kurimi për të huajt që ndodheshin në Shqipëri. “Ai projekt u la për më pas sepse mungonin autoambulancat. Tani as që bëhet fjalë edhe për të kuruar shqiptarë me standartet shqiptare të shëndetësisë”, thotë me ironi mjeku.
Drejtori pasha
Për aftësitë e tij si mjek, vartësit e tij nuk kanë shumë qejf të flasin, por për mënyrën e menaxhimit të spitalit, nga pothuaj gjithë bashkëbiseduesit, ai konsiderohet thjesht si katastrofë. “Sillet si pasha në spital. Ky tip, me firmën e tij, në kundërshtim direkt me ligjin, ka emëruar në spital njerëzit e tij të afërt. Duke nisur me bashkëshorten e cila është kryelaborante. Duke vazhduar me të birin që është stomatolog pranë spitalit, me bashkëshorten e nipit që është zëdhënëse, me nipin që e ka shoferin e tij dhe gruan e nipit që është infermiere”, thotë një mjek. Që shton se një gjë e tillë nuk është sekret, por një e vërtetë që e di gjithkush në spital përveç atyre që duhet të pengojnë drejtorin Mihaj që të shkelë ligjin. Ose të paktën, që ta pengojnë që ta shkelë atë. “Dy vjet më parë, me firmën e tij u shkarkuan në mënyrë të padrejtë rreth 50 infermierë. Këtë gjë e konstatoi edhe drejtësia. Me vendim gjykate, secili nga infermierët ka rifituar të drejtën e shkelur nga Mihaj, por jo rikthimin në detyrë. Në këto kushte, secili nga ta ka përfituar pagën e dy vjetëve – në total rreth 40 milionë lekë – të cilat i paguan spitali. Që i bie të paguajë dy paga për një vend pune, meqë ata u zëvendësuan me të tjerë personel”, dëshmon një mjek, sipas të cilit, edhe ky faull i vetëm i drejtorit do të mjaftonte që ai të linte uniformën e kolonelit të ushtrisë dhe jo vetëm kostumin e drejtorit të spitalit.
Kafe, kafe, kafe
“Për të mos folur për ndryshimin e destinacionit të mjediseve”, thotë një mjek tjetër. Ai tregon sesi në godinën e urgjencës, prej ditësh një brigadë punëtorësh po çan themelet e godinës për të ndërtuar një bar-kafe të re. “Nuk dua të spekuloj, por thuhet hapur se atë do ta menaxhojnë të tjerë të afërm të drejtorit Mihaj. Ashtu siç ndodh me dy bare të tjerë që besohet se i menaxhojnë të afërmit e njërit prej nëndrejtorëve të spitalit”, thotë një mjek. Një tjetër shkelje ulëritëse e ligjit. Titullari i institucionit ka të drejtë të japë me qera ambiente që shkojnë deri në 200 metra katrorë. Aktualisht në Spitalin Ushtarak, janë shtatë bar-kafe që i kalojnë në total disa qindra metra katrorë që i janë kafshuar ambienteve të spitalit. As Policia Ushtarake, as SHIU që heton veprimtari të paligjshme në rradhët e Forcave të Armatosura dhe asnjë strukturë tjerër kontrolli, nuk ka hedhur asnjë sy mbi këtë shkelje ulëritëse të ligjit në çiflikun e pashait me bluzë të bardhë. Madje, në rastin e ndërhyrjes në strukturë në godinën e urgjeëncës, nuk ka asnjë leje nga instituti i projektimit të ushtrisë.
Ilaçet
Rroftë privati! Jashtë rrethimit të Spitalit Ushtarak, vetëm në pjesën fundore të rrugës së laprakës, janë mbi 20 e ca farmaci. Në të cilat gjen të gjithë gamën e ilaçeve të trajtimit spitalor. Që nga pjesët metalike që shërbejnë për frakturat e deri tek uji fiziologjik. Je i varfër? Vdis! Spitali nuk ka ilaçe. Do të shpëtosh? Dil dhe bliji vetë ilaçet. Gjendja e farmacisë së Spitalit Ushtarak është dramatike. “Imagjino, kur mungon alkooli dhe bisturitë, mendon se mund të ketë ilaçe të tjera. Nuk ka planifikime operacionesh pikërisht sepse mungon baza materiale. Në qershor ato ishin pezulluar fare dhe vetëm tani është lejuar që çdo kirurg të bëjë një apo dy operacione në ditë, përveç rasteve të urgjencave”, thotë një kirurg. Që tek “papunësia” e tij e detyruar sheh shërbimin e munguar tek pacientët. Ai kujton rastin e aksidentit fatkeq të Himarës kur humbën jetën 12 studente nga universiteti i Elbasanit. “Asgjë, asnjë lloj ilaçi nuk kishim dhe u bënë blerje direkte tek privatët”, thotë një mjek reanimator.
“Ka dy arsye për këtë situatë. E para sepse ndonëse çmimet e medikamenteve në treg janë rritur, spitali oferton me çmimet e dikurshme. Dhe e dyta, sepse operohet me blerje të vogla, që teorikisht duhet të ishin përjashtim dhe jo rregull, siç bëhen tani. A ka spekullime? Firmën e vë drejtori i spitalit. Nëse dikush do të verifikonte seriozisht standartin e tij të jetesës, atëherë do të sqarohej kjo punë”, thotë sërish me ironi mjeku reanimator.
Tek hyrja e godinës qëndrore të spitalit, në krah të drejtorisë, një kope me qen ngrohet në diell. Janë të vetmit që nuk e kanë kuptuar se edhe bashkëjetesa e tyre e gjatë me ambientet mjekësore, me gjasa mund të ndërpritet. Jo sepse do të ikin ata, por sepse duket që Spitali Ushtarak po ikën në pakthim. Ashtu siç vijnë e ikin me drita të urgjencës makina që sjellin fatkeqë që luajnë lojën mes jetës dhe vdekjes.