Shtohen pakënaqësitë ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, për shkak të bashkëpunëtorëve që ai mban në Partinë Demokratike. Debati që ka përfshirë demokratët nëse ka apo jo spiunë të ish-regjimit komunist në radhët e Partisë Demokratike ka provokuar reagimin e deputetes Mesila Doda.
E pyetur rreth deklaratave të ditëve të fundit, ku anëtarë dhe ish-deputetë të PD-së akuzojnë kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, se në paradhomën e tij mban persona që i kanë shërbyer ish-Sigurimit të Shtetit të regjimit komunist, Doda shprehet se kjo është e vërtetë dhe shton se spiunët në politikën shqiptare dhe administratën e lartë shtetërore janë kudo dhe gëzojnë mbrojtje speciale nga liderët e sotëm politikë.
Nismëtarja për hartimin e draftit të lustracionit dhe hapjes së dosjeve të regjimit komunist, që u rrëzua nga Kuvendi katër muaj më parë, kujton se ishte kjo arsyeja se pse drafti që u hartua nga shoqëria civile dhe që u depozitua në Kuvend afro një vit më parë nga ajo dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, u kundërshtua me forcë nga të dyja kampet politike, qoftë nga PS-ja ashtu edhe nga kolegët e saj të PD-së.
Ish-studentja e Lëvizjes së Dhjetorit të ’90-s, shprehet se krerët e partive, përfshi edhe atë të PD-së, shqetësohen se si mund t’i kenë sa më të përdorshëm eksponentët e regjimit të kaluar në partitë e tyre dhe nuk e vrasin mendjen për kriteret etike dhe njerëzore që duhet të kenë përfaqësuesit e partive që ata drejtojnë. “Spiunët në politikën shqiptare dhe administratën e lartë shtetërore janë kudo dhe gëzojnë mbrojtje speciale. E kotë të bëjnë sot politikanët dhe shoqëria civile sikur interesohen, sepse e pamë shqetësimin e tyre dhe sulmin e gjithanshëm kur depozituam ligjin që i hiqte xhelatët nga politika dhe ekzekutivi. Halli i shefave është si t’i kenë sa më të përdorshëm, nuk shqetësohen nga asnjë kriter etik dhe njerëzor”, shprehet deputetja Doda.