Thjesht më i madhi i të gjitha kohërave. Vdekja e Muhamed Ali ka ulur në gjunjë një botë të tërë. Nga e vajza e tij Laila, Majk Tajson, ish-rivali Foreman, e bija e Martin Luter Kingut, madje edhe presidenti i Amerikës Barak Obama. Nuk munguan as ngushëllimet edhe nga politika shqiptare.
Edi Rama - "LAMTUMIRË KING. Mbret në ring, luftëtar në jetë, model frymëzimi për kalamaj e të rritur, dje, sot, përgjithmonë".
Sali Berisha - "Bota në zi! U nda nga jeta Muhamed Ali, më i madhi boksier i kohërave, legjenda e gjallë e boksit, por dhe ikonë e "show"-t, kulturës dhe ambasador i mirësisë. RIP!"
Majk Tajson - "Zoti e mori kampionin e tij. Rroftë i Madhi!", ishte kujtimi i "Majkut të Hekurt" në "Twitter" duke e shoqëruar edhe me një foto të shkrepur vite më parë.
Xhorxh Foreman - "U largua pjesa më e madhe e imja". Kështu e kujtoi rivali historik i Muhamed Alisë në "Twitter". "Unë, Frezer dhe Ali ishim një person i vetëm, një pjesë e imja iku".
E bija Laila - "Faleminderit për dashurinë! Faleminderit për gjithë dashurinë dhe përkujdesjen tënde. E ndjej dashurinë dhe vlerësimin tënd", ishte postimi i Lailas, vajzës së madhe në "Twitter".
E bija e Martin Luter Kingut - "Ti luftove për çdo gjë. Faleminderit, Muhamed Ali, ke qenë një kampion në çdo gjë. Prehu në Paqe", ishte ngushëllimi i Bernis Kingut.
Karem Abdul-Xhabar - "Unë më i gjati, kur isha nën hijen e tij. Muhamed Ali sakrifi koi vitet më të mira të karrierës së tij për të luftuar për atë që ai mendonte se ishte e drejtë. Unë kam qenë 2.18 metra i gjatë, por kurrë nuk jam ndjerë kaq i madh kur kam qenë nën hijen e tij", deklaroi me hidhërim ish-qendra e Los Anxhelos Lejkërs.
Lionel Riçi - "Do të jetë gjithmonë heroi im", ishte komenti në "Twitter" i këngëtarit, producentit e aktorit amerikan.
Mateo Renci - "Përshëndetje për më të Madhin!", komentoi kryeministri italian në "Twitter". "Shpejtësia dhe forca, beteja e gjatë për të drejtat civile dhe kundër sëmundjes. Do të na mungosh, Muhammad Ali".
Manu Pakuiao - "Do të jesh në lutjet tona. Me Perëndinë çdo gjë është e mundshme". Nuk mund të mungonin ngushëllimet e Manu Pakuiao, një nga boksierët më të mëdhenj të viteve 2000.
Roi Xhons Jr. - "Zemra ime është thellësisht e pikëlluar, në të njëjtën kohë mirënjohës dhe i lehtësuar që më i madhi tashmë pushon në vendin më të madh". Ky është komenti nga Roi Xhons Jr, kampioni i botës në katër pesha të ndryshme.
Lenoks Ljuis - Edhe ish-kampioni i botës i peshave të rënda, anglezi Lenoks Ljuis, ka shprehur gjithë trishtimin e tij në vdekjen e Muhamed Alisë. "Një gjigant në mesin e njerëzve. Ali shfaqte një madhështi në talent, guxim dhe bindje, ku shumica prej nesh nuk ka qenë në gjendje për ta kuptuar me të vërtetë. RIPAli".
Luis Hamilton - Homazhet erdhën nga çdo sport i mundshëm. Një nga ata edhe kampioni i botës në Formula 1, Luis Hamilton. "Jam i pikëlluar. RIP kampion!. Zoti të bekoftë dhe ndihmoftë familjen tënde për ta kaluar këtë moment të vështirë të jetës së tyre".
Alesandro Del Piero - "Faleminderit, shembull i përjetshëm. Muhamed Ali". Postoi ish-sulmuesi i Juventusit, për të nderuar Më të Madhin.
Usain Bolt - "Më i madhi i të gjitha kohërave, GOAT. RIP".
Barak Obama - "Muhamed Ali tronditi botën. Për këtë arsye bota tani është më e mirë". Presidenti amerikan, Barak Obama, shprehu ngushëllimet së bashku me Zonjën e parë, Mishel. "Ishte më i Madhi, pikë dhe kaq!".
Luan Krasniqi - "Sot jam i pikëlluar, tejet i pikëlluar. Vdiq Muhamed Ali! Legjenda e legjendave të boksit. Emër që e lartësoi këtë sport dhe neve gjithashtu, pasardhësit e tij. Emër që mbetet i përjetshëm në histori. Unë, njëkohësisht jam krenar që marshova në ringje në epokën e Muhamed Alisë. Jam i lumtur që pata takime të ngrohta me legjendën, që i kujtoj me kënaqësi sot e përherë. Dhe, si mund të mos mbahet në zemër ky takim madhështor, kjo atmosferë ngazëlluese?! Lavdi, 'Legjendë'!".