Grushte dhe shah
Forca e krahut dhe ajo e mendjes janë arma fituese e Chess Boxing, një miks grushtesh dhe gurësh shahu. Edhe pse duken të çuditshme, këto lloj garash zhvillohen brenda rregullave njëlloj si të gjitha kampionatet e tjera. Në tapet, pas një seri gjuajtjesh që zgjasin dy minuta, atletët për katër minuta të tjera përballen përpara një loje shahu. Një sport që kërkon forcë dhe përqendrim, dhe nëse nuk i ke të dyja këto, më mirë mos merr pjesë fare.
Me gruan në kurriz
Gruaja ndonjëherë është shumë e rëndë për t’u ngritur në krahë? Kësaj pyetjeje saktë mund t’i përgjigjen vetëm finlandezët që kanë marrë plotësisht të drejtën e autorit për garën e “transportimit të gruas”: burri merr në krahë gruan (ose një mikeshë) dhe përshkon një rrugë prej 250 metrash, me dy pengesa për të kaluar. Nëse ndodh që gruaja ju bie pa dashje, atëherë gjithë skuadra penalizohet. Nëse ju duket e vështirë ta përballoni një garë si kjo, atëherë ndonjë sport tjetër më i lehtë mund t’ju bëjë për vete.
Jo vetëm për të telefonuar
Sa herë, ndoshta nën efektin e një krize të papritur nervash, kemi menduar ta flakim celularin që nuk funksionon? Por gjermanët kanë menduar që ta shndërrojnë këtë tentativë në një sport me një kampionat të rregullt, madje të ndarë edhe nëpër kategori. Mesa duket, ajo që ndikoi në lindjen e kësaj disipline të re ka qenë fakti se disa vjet më parë, përballë rritjes së madhe të tarifave të aplikuara nga administratorët e telefonisë gjermane, shumë klientë duket se u kthyen tek ata që u kishin shitur aparatin. Pyetjes nëpër dyqane: “Po, tani ç’të bëj me këtë”, shumë iu përgjigjën: “Flakeni”.
Provat e flakjes
Por celularët nuk janë të vetmet objekte që mund të flaken: irlandezët, për shembull, praktikojnë shumë flakjen e bajgave të lopëve, ndërsa suedezët, finlandezët dhe norvegjezët organizojnë kampionatet e flakjes së çizmeve. Numri dhe pesha janë vendosur sipas kritereve të vlefshme në të gjithë botën: për meshkujt duhet të jetë 43 dhe të peshojë 950 gramë, ndërsa për gratë 38 dhe me peshë 650 gramë.
Çizmja patjetër duhet të jetë e këmbës së djathtë. Deri më tani rekordi për hedhjen në disiplinën mashkullore është plot 47 metra.
Të tjera të çuditshme
Pastaj janë edhe hibridët, si Kabaddi, një përzierje mes wrestling dhe rugby: skuadrat përbëhen nga 12 lojtarë, 7 në fushë dhe pesë në pankinë. Një nga dy skuadrat, në fazën e sulmit duhet të dërgojë një sulmues në fushën e kundërshtarëve. Pikërisht ai, sulmuesi, duke bërtitur vazhdimisht 'Kabaddi, Kabaddi, Kabaddi' duhet të arrijë të prekë sa më shumë kundërshtarë të jetë e mundur, për t’i eliminuar nga loja. Kundërshtari duhet të arrijë ta bllokojë sulmuesin, sepse kjo është e vetmja mënyrë për ta eliminuar nga loja.
Rugby në fund të detit
Kjo lloj shpikje u detyrohet zviceranëve dhe ideja është pëlqyer aq shumë, sa “Swiss Swiss underwater sports union” është mbushur me kërkesa për pjesëmarrjen në këto kampionate. Lojtarët janë 6 për secilën skuadër, dhe topi në formë ovale është i mbushur me kripë deti. Luhet si ndeshjet e rugby-t normal, vetëm se kësaj here duhet ta nxjerrësh kokën në sipërfaqe për të marrë ajër.
Basketbolli elastik
Për adhuruesit e basketbollit ekziston Slamball. Fusha është e ngjashme me ato ku luhen ndeshjet e basketbollit, por këtu janë vendosur edhe katër tapete elastike (ishuj) poshtë çdo koshi.
Elefantë në vend të kuajve
Quhet “Elephant Polo” dhe praktikohet që nga viti 1982 prej afrikanojugorëve. Është njëlloj si gara me kuaj, por këtu në vend të tyre përdoren elefantët. Janë shumë të zakonshme dëmtimet nga rëniet, që në këtë rast kanë më shumë dhimbje se ato kur bie nga kali, për shkak të lartësisë.
Si karkalecat
As sporti më antik i botës, vrapi, nuk është kursyer nga risitë. Në Retro Running vrapohet për së prapthi me sa më shumë shpejtësi që të jetë e mundur. Të çuditshme janë edhe garat me karriget e zyrave: kush është më i shpejti me to, fiton.