Ish-kampioni botëror i boksit, Muhamed Ali, ka ndërruar jetë të premten mbrëma në moshën 74-vjeçare. Sipas medieve ndërkombëtare, vdekja e tij vjen pas një beteje 32-vjeçare me sëmundjen e parkinsonit.
“Pas një beteje 32-vjeçare me parkinsonin, Muhamed Ali ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare”, ka deklaruar zëdhënësi i tij.
Ali ndërroi jetë pranë familjes së tij në Feniks të shtetit Arizona. Prej tri ditësh mjekohej nga komplikime të frymëmarrjes.
Fillimisht Ali quhej Cassius Clay dhe kishte lindur në një familje të klasës së mesme. Ai e nisi boksin kur ishte 12 vjeç dhe në vitin 1960 mori pjesë në Lojërat Olimpike të Romës, ku fitoi një medalje ari për peshën e lehtë.
Muhamet Ali u bë një boksier olimpik dhe profesional aq i admiruar, saqë revista “Sports Illustrated” e shpalli “Sportist të Shekullit të 20”. Ai ishte njëri ndër sportistët më të dashur por edhe ndër më të debatuarit e Amerikës.
Ai u bë një simbol i forcës, elokuencës dhe guximit, që i tejkalonte kufijtë e racës dhe të besimit. Familjarët janë shprehur se shërbimi funeral për legjendën e boksit Muhamet Ali është planifikuar të mbahet në qytetin e tij të lindjes Louisville të shtetit Kentaki.