“Mblidhen ca poetë, aktorë dhe dy tre pianistë. Recitojne nga tri - katër poezi dhe e gjithë kjo na kullufit ca mijëra euro. Ç’mendon për këtë?” – më tha. Më ishte ndodhur në çantë një vëllim i sapodalë poetik dhe e nxora në çast. Hapa librin në dy-tri faqe, atje ku kisha nënvizuar dukshëm: “S’pranojnë vëllime vjershash libraritë…”, “Poetët: Me buzëqeshjen përherë të trishtë…”, “Dhe dinjitetin me zor e mbajnë”, “Nuk zbret nga sëra hyjnore poeti”, “Po jam poet dhe kam të drejtën e madhe! Të akuzoj,të protestoj dhe të pyes…”. Citime këto nga nga vëllimi me vjersha të zgjedhura “Moda e varfërisë”, të Konstandin Dhamos. I lexova me zë të vendosur këto vargje, ndërsa funksionari i lartë ia kishte ngulitur sytë kopertinës së vëllimit ku paraqitet një çupëlinë snobe, me një pale pantallona të shkurtra xhinse, të grisura enkas për të qenë të modes, ekstravagante dhe doemos tërheqëse.
“E mjerimi mirëfilli ndjen tradhti” – pat’ thënë dikur Migjeni. “S’ka gjë se s’ke bukë, jemi derë e parë”, intensifikoi vite më vonë Kadareja. Poetët nuk përsërisin poetët, se kanë secili pasuritë e tyre të pamatshme, por ritheksojnë, rievokojnë dhe e vënë gishtin në plagë që, jetojnë gjatë. Përse poeti ka gjetur për titull të vëllimit “Moda e varfërisë”? Jo se është vjersha më e mirë e vëllimit, por se sintetizon një ide brezash që gjendet gjithandej vargjeve: “Por sa s’të shkon ty, moj Shqipëri e mjerë,/ Kjo varfëri e imituar”... Poetët e vërtetë janë qytetarë të vërtetë. Nuk mund t’i durojnë shtirjet, fushqetat e fishekzjarreve dhe reklamat spekulative. Atë bluxhinsin e turifiçkës që kapardiset e tradhtojnë “rrathët e ferrit dantesk” që të çojnë te “uzinë e vdekjes”. “Pas kësaj marke / Nuset e bukura / Monstra të frikshme lindën” (Elbasan). Një tank–taksi që bart nuse në pranverën e nxirrë të 1997–s, “toka e saharizuar”, tutje–tëhu atdheut, punëtoret e dhunuara nga kushtet e tmerrshme të vendit të punës: “
Më mbyti kolla sapo shkela në repart,/ Gratë me këmbët gjithë variçe/ Mes pluhurit vrasës, ndyrë shanin…” (Gazetari i ri”), “Rituali dërmues/ i numurimit të ushqimeve, verbëria e qëllimshme e institucioneve: “Kush ka provuar të jetojë pa ligje”, “Xhuxhëzimi dhe përkrrusja e dinjitetit, por edhe një ditë - lindje e mjeruar e një shkrimtari të shquar”. “Zogjtë grabitqarë që enden përreth”, edhe shitja e trishtueshme e emigranteve, rrugëve të Europës, edhe të ndershmit tragjikë që dëgjojnë poshtërimin e modës: “Njerëzit thonë, sa i ndershëm/ Siç do të thoshin, sa i marrë”, po edhe: “Miqtë që ndryshuan / Si aktorët kur mësojnë një rol të ri”. Mund të citonim e të përmendnim edhe shumfishin e këtyre detajeve, të mbledhura nga poeti tutje-tehu atdheut, në vite të shkuara dhe fare të afërta. Hollësi artisti të përqëndruar dhe dufe poeti që vijnë nga meningite morale kombëtare e ndërkombëtare që vrasin zemrën e ndjeshme të poetit. Se janë të paktë e të rrallë njerëzit me “vaksinën universale të dashurisë së madhe”, se miku poet “flet pak e psherëtin shumë”. Sarkazma poetike të tipit nolian e konician, fishtjan e çajupian, siç gjejmë shpesh të tilla edhe në vëllimet poetikë të Faslli Halitit, Petraq Ristos, patjetër edhe te shumëvlerëshi Moikom Zeqo, por edhe te të tjerë, ku poeti e qytetari janë një. Vëllimi spikat për njohjen e thellë të realitetit, për forcën interpretative, diku me gjuhë të gjetur poetike e diku me dromca racionaliteti. Asosiacione të shumta, imazhe paradoksale, jo të sajuara, por të gjetura në jetë, fluturime metaforike tepër përgjithësuese, fabula intriguese dhe finale poetike tepër të befta e të gjetura: “Po kush nuk jeton sot në rrezik,/ Kë era s’tund si folenë e zbarzët”, “Dhe njerëzit e bezdisin shume Zotin”, “Sa larg natyra nga jeta na iku”, “Ulem të shkruaj dhe në vargje / Gërma alfabetesh të huaj / më duket se më futen,” por edhe psherëtima poetike: “E mjera Shqipëri, /Ka brohoritur përherë miq të rremë/ Po ne përgjumësh pyesim veten/ Pse s’ecën ky vend”, apo “Vend në Shqiperi / Ka vetëm për fituesit…”.
Ec e mos bjer në mendime teksa lexon dhe rilexon të tillë vargje me peshë, të mbarsur me shqetësim qytetar, të ngjeshur nga preokupimi për të nesërmen, të kërrusur nga dëshpërime të shumta, se fundja edhe përfaqësimet tona jashtë të përçara janë: “Delegatët shqiptarë të ndarë/ Më dysh kanë hyrë gjithmonë”. Të tjerë, jo të paktë që ta marrin llokmën në kthesë dhe të tjera kontraste çmendurake, apokaliptike: “Ka çelur një pranverë gjithë sensualitet/ Ndonëse ky popull/ Mbeti me arkivolë mbi supe”. Vëllimi të shëmbëllen me një ditar poetik ku mbresat, ndjesitë dhe gjykimet shprehen me shumë nerv, pezm dhe revoltë të përligjur. Në vëllimin me poezi të zgjedhura prej një krijimtarie që kap më shumë se tri dekada që përfaqësojnë edhe koherencën botëkuptimore të poetit edhe sumbullat e veçanta të petkut të tij poetik. Pëfshihet në vëllim edhe poema e veçantë “Zoti Kallashnikov”, që është në shumë aspekte një letër e sinqertë poetike që poeti ia dërgon shpikësit të armës vrastare. Fort e ngjeshur me ndjesitë e vitit të plumbtë 1997, ajo të zgjon shumë mendime, asosiacione. Poemë që ka dimensione kombëtare e universale, sepse ka brenda ide dhe mesazhe të shumta, dhimbje që kaplojnë paralele e meridiane të globit, pasojat e dhunës aq të shpeshtë në disa rajone të botës. Vëllimi përmban edhe pak Haik, edhe akuarele fine, nazike, fluide, tepër befasuese, herë–herë të ngarkuara me maja sentencash e aforizmash. Por përse të citoj unë. Këputeni vetë frytin nga pema se u shijon më shumë. S’besoj se jeni aq të ngarkuar me punë e shqetësime sa ai kryetari i bashkisë që u mjaftua vetëm duke kundruar kopertinën. Poetet nuk njihen kurrë vetëm me të kundruar.
Prof.Dr Adriatik Kallulli Gazeta Albania