Stadiumi dhe trajneri Tirana merr sot dy pergjigje

Stadiumi dhe trajneri, Tirana merr sot dy përgjigje

Të gjitha të dhënat e çojnë Tiranën në Europë. Edhe pse konfirmimi zyrtar mungon, dyshimet sa vijnë edhe zbehen. Vetëm sot pritet që në kryeqytet të zbarkojnë disa inspektorë të UEFA-s për të parë nga afër gjendjen e stadiumit "Selman Stërmasi". Ata do të vëzhgojnë këtë impiant, do të lënë porositë e rastit që duhet të përmbushen në një kohë rekord (kur dihet që në fund të muajit luhet ndeshja e parë) dhe më pas do të vendosin nëse i plotëson apo jo parametrat për kompeticionet europiane.

Stadiumi-Selman-Stermasi-dritat

E gjithë kjo histori e bën thuajse fakt pjesë- marrjen e bardhebluve në zonën "Euro". Derisa edhe vetë "qeveria" futbollit në Europë është duke e llogaritur Tiranën, do të thotë se këta të fundit do të jenë ekipi i 3-të që do të luajë në eliminatoret. E megjithatë ky "mister" i stërgjatë pritet që të marrë zgjidhje më datë 15, kur vetë UEFA do të shpallë edhe listën e ekipeve pjesëmarrëse, ndërsa 5 ditë më pas, nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, do të zbulojnë edhe kundërshtarin e parë.

Konfirmimi i Dajës

Bardheblutë, gati të fillojnë nga puna për Ligën e Europës. Hapi i parë zyrtar do të hidhet sot në mesditë, kur vetë presidenti Refik Halili do të rikonfirmojë Ilir Dajën në krye të skuadrës. Ajo çka pritej prej ditësh do të marrë jetë vetëm sot. Palët prej kohësh e patën arritur akordin dhe firma ishte vetëm një formalitet, por tashmë që po afron edhe vendimi i UEFA-s, në klub kanë menduar që të vendosin pikat mbi "i". Duke filluar nga sot e në vazhdim do të ketë rinovime, por edhe zyrtarizime në blerje.

Ilion Lika pritet që të jetë blerja e parë, ndërsa shumë pranë akordit është edhe Bedri Greca. Vështrimi i drejtuesve kryeqytetas është hedhur edhe jashtë vendit, ku konkretisht dy afrikanë (një mbrojtës dhe një sulmues) dhe dy portugezë (lojtarë sulmi të dy) janë ofruar nga menaxherët e tyre për t'iu bashkuar Tiranës. Fillimisht, ata do t'i nënshtrohen një prove të shkurtër, përpara se të flitet për kontratë.

Adela Merko



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama