Stalini nuk u vra

Stalini nuk u vra
Prej kohësh, ka pasur dyshime mbi rrethanat e vdekjes së ish-liderit të Bashkimit Sovjetik, Josef Stalin. Megjithatë, dokumenta të publikuara për herë të parë pas 60 vitesh godasin teoritë e konspiracionit, duke mbështetur versionin zyrtar, atë të vdekjes nga shkaqe natyrale. Autopsia prej 11 faqesh, e dalë nga arkivat e shtetit pas përfundimit të afatit 60-vjeçar të ruajtjes së sekretit tregoi se diktatori pësoi një infarkt dhe ndërroi disa orë më vonë, pasi një hemoragji në stomak i mbushi rrugët e frymëmarrjes me gjak, duke e asfiksuar.

I konsideruar si një hero për rolin e luajtur në fitoren e BRSS ndaj Gjermanisë Hitleriane në Luftën e Dytë Botërore, por gjithashtu përgjegjës për miliona jetë të humbura sovjetike, për shkak të politikave të dështuara ekonomike dhe represionit masiv, Stalini ndërroi jetë në 5 mars të vitit 1953, në moshën 73-vjeçare.Sipas versionit zyrtar, lideri pësoi një infarkt rreth orës 6.30 të pasdites së datës 1 mars, por për shkak të autoritetit dhe frikës të padiskutueshme që ngjallte tek njerëzit, roja në hyrje të derës pati frikë të trokiste dhe të interesohej për shëndetin e tij, deri të nesërmen në mesditë.

Për shkak të kohës tepër të gjatë pa shenja jete nga dhoma e Stalinit, roja ndërhyri me shumë vonesë, duke gjetur liderin të shtrirë në agoni, i mbuluar me gjak dhe urinën e tij.Sipas autopsisë, në kohën kur u lajmëruan mjekët e anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, pasditen e 2 marsit, me shumë gjasa nuk kishte më asgjë për të bërë për Stalinin, pasi infarkti i kishte shkaktuar një trompozë, që goditi rëndë funksionet në pjesën e djathtë të trurit.

Stalini kaloi edhe tre ditë të tjera në agoni në dhomën e tij, ndërsa disa prej mjekëve më të mirë, me origjinë hebrehe, ishin internuar vetëm disa muaj më parë në gulage, në një fushatë famëkeqe antisemite spastrimi të kryera nga autoritetet e atëhershme sovjetike.

Rrethanat e vdekjes së Stalinit bënë që të spekulohej për helmimin e tij apo eliminimin në ndonjë mënyrë tjetër nga anëtarë të Byrosë Politike, si ish-ministri i Jashtëm, Vlaçeslav Molotov apo shefi i NKVD-së (më pas KGB-së), Lavrenti Beria, të cilët duket se ishin të radhës në listën e spastrimeve. Megjithatë, fashikulli mbi rrethanat e vdekjes dhe autopsia zyrtare, hedhin poshtë përfundimisht këtë mundësi

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama