Standardet e arsimit shqiptar ne UET diplomohet shtetasi turk pa ditur gjuhen shqipe

Standardet e arsimit shqiptar, ne UET diplomohet shtetasi turk pa ditur gjuhen shqipe

Nuk kanë të sosur çudirat dhe paradokset në universitetin e Henri Çilit, personazhit simbol të deformimit të arsimit të lartë privat në Shqipëri. Ashtu siç edhe ka paralajmëruar, gazeta SOT zbardh të tjera detaje rrëqethëse nga raporti i Ministrisë së Arsimit për Universitetin Europian të Tiranës, raport i cili është mbajtur sektet nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, në interes të piramidës arsimore të Henri Çilit.

Në universitetin e Henri Çilit doktorohen shtetas të huaj, të cilët nuk e dinë gjuhën shqipe, por dinë vetëm gjuhën turke. Bëhet fjalë për shtetasin turk Nazim Ahmet Turan Cinni. Shtetasit turk i mungon kopje e lejes së qëndrimit, vërtetimi i punës, vërtetimi i gjuhës shqipe. Në UET mjafton të paguash paratë dhe doktorohesh. Ky është konstatimi i grupit të kontrollit të Ministrisë së Arsimit për kontrollin e ligjshmërisë në Universitetin Europian të Tiranës. Nuk dihet nëse dy zonja të MAS i kanë parë apo jo standardet e UET, para se ta akreditonin. Bëhet fjalë për drejtoreshën e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, Dhurata Bozo, e njohur edhe si zonja e “formularëve të transparencës”. Zonja në fjalë i ka fshehur publikut vendimet e dyshimta për UET, ndërsa kur i kërkohet informacion me shkresa zyrtare, fshihet pas disa formularëve, pas lojërave të fjalëve dhe alibive qesharake. Po ashtu, nuk dihet nëse i ka parë apo jo standardet e UET, Lindita Nikolla, e laureuar tek universiteti i Astrit Veliajt.

Skandali në UET 

 Dy ditë më parë, gazeta SOT publikoi faktin se në UET, një profesion i asociuar udhëhiqte 16 doktorantë, në një kohë kur udhëzimi MAS parashikon që një profesor i asociuar nuk mund të udhëheqë më shumë se dy doktorantë. Por, çudia e doktorimit të personazheve që nuk dinë gjuhën shqipe, është e padëgjuar më parë dhe si e tillë eklipson të gjitha skandalet e publikuara deri më tani rreth universitetit të Henri Çilit. “Për shtetasin e huaj Nazim Ahmet Turan Cinni, i regjistruar në studimet e doktoratës për vitin 2013-2014, mungon kopje e lejes së qëndrimit, vërtetimi i punës, vërtetimi i gjuhës shqipe”, thuhet në raport. Gjithsesi, skandali është i trefishtë, pasi ky raport u mbajt sekret nga Ministria e Arsimit, pas këtij raporti MAS nuk e pezulloi veprimtarinë e UET, madje përkundrazi, në janar të vitit 2015, i miratoi UET programe të tjera të ciklit të tretë të studimeve, doktoraturë.

Zhduken dokumentet 

Sipas raportit, në UET janë manipuluar dhe zhduken dokumentet e aplikimit për doktoraturat.

“Kreu IV i rregullores, parashikon në hollësi procedurën e aplikimit (pika 7.2) dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve (pika 7.3). Shembull, Entela Ruci, 18.03.1977, doktoraturë për marrëdhëniet me publikun, konfliktin e interesit mes medias dhe institucioneve, formulari i aplikimit mban datën 5.9.2012, vendimi i Këshillit të Profesorëve për pranimin mban datën 8.9.2012, nënshkrimet e profesorëve Prof. Dr. Ardian Civici dhe Prof. Dr. Romeo Gurakuqi janë të fotokopjuara, mungojnë CV, fusha e doktorantit formati D.1.2, lista e notave, dëshmia e gjuhës angleze (sipas kritereve në pikën 7.2.2 të rregullores), vërtetim nga qendra e punës”, thuhet në raport.

Konflikti i interesit 

Në raport thuhet se rekomandimet për doktorantët e rinj janë dhënë në konflikt interesi. “Fotokopja e noterizuar e diplomës mban datën 24.09.2012, letrat e rekomandimit janë nga pedagogë të brendshëm të institucionit (konflikt interesi). Odeta Barbullushi dhe Henri Çili, dhe mbajnë datën 25.09.2012, pra pasi është marrë vendimi i këshillit të profesorëve për pranim në doktoraturë. Kërkesa e të interesuarës mban gjithashtu datën 25.09.2012 kopje të praktikës në bashkëngjitur. Nuk figuron procesverbal për ç’rregjistrim për mungesë dokumentacioni.

Për shtetasin e huaj Nazim Ahmet Turan Cinni, i regjistruar në studimet e doktoratës për vitin 2013-2014, mungon kopje e lejes së qëndrimit, vërtetimi i punës, vërtetimi i gjuhës shqipe”, thuhet në raport.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama