-Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti ambasadoren e re të Sllovenisë, Stancic-
TIRANË, 19 Tetor /ATSH/ Kryetari Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot ambasadoren e re të Sllovenisë, Lea Stancic, të cilës i uroi mirëseardhjen në Tiranë dhe suksese në misionin e saj të ri.
Nëpërmjet një deklarate për mediat, bëhet e ditur se "Kryetari i Kuvendit, Meta, gjatë takimit me ambasadoren e re të Sllovenisë, Lea Stancic, ka vlerësuar marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Sllovenisë si të shkëlqyera dhe shprehu vullnetin për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike mes dy vendeve mike".
Ndërsa ambasadorja e Sllovenisë në Shqipëri, Lea Stancic, ka shprehur kënaqësinë e saj për fillimin e detyrës së re dhe e falenderoi zotin Meta për mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë në intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht ato në planin ndërparlamentar.
Kryetari i Kuvendit, Meta, ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj procesit të integrimit evropian të vendit tonë, si dhe ndaj vendeve të tjera të rajonit, duke veçuar këtu kontributin e veçantë slloven në zhvillimet demokratike dhe ekonomike në Kosovë.
Ambasadorja Stancic nënvizoi se Sllovenia është e gatshme të ndajë me Shqipërinë ekspertizën e saj teknike në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe në këtë drejtim vuri në dukje se Sllovenia ndjek me vëmendje progresin substancial të Shqipërisë në rrugën e nisur të reformave./i.v/. /a.ke/