Detyrën si kryexhandar e mora më 13 shkurt, detyra e parë: largimi i regjimentit “Kosova”
I dënuar tri herë me vdekje, por tri herë i shpëtuar mrekullisht. Mbreti Zog, Enver Hoxha, por edhe Italia fashiste kërkonin kokën e tij, por dukej se fati kishte rezervuar një tjetër “plan” për Xhelal Staraveckën, një personazh kyç në Luftën e Dytë Botërore. Një personazh në dukje kontradiktor. Nga drejtues i Luftës Antifashiste shqiptare, në kryekomandant të Xhandarmërisë në Tiranë. I akuzuar, i dënuar, i shpëtuar, ndër të tjera emri i Staraveckës lakohet sa herë flitet për masakrën e 4 shkurtit 1944. Ai akuzohet drejtpërdrejt si një nga organizatorët e saj.
Sot bëhen 68 vjet që atëherë dhe, me këtë rast, botohet dëshmia e vetë Staraveckës. Kjo dëshmi është vetëm një nga qindra episodet, ngjarjet apo figurat historike që autori përshkruan, duke iu referuar periudhës nga viti 1914 deri në fund të vitit 1966, ku në shumicën e tyre Xhelali ka qenë vetë protagonist: si organizator, së bashku me Riza Cerovën, i kryengritjes së Fierit; si një nga komandantët e parë dhe më të mëdhenj partizanë, shkolluar në Perëndim në një nga akademitë më të mira ushtarake europiane. Kujtimet historike të Xhelal Staraveckës, shkruar në Paris më 1966, ku ai vdiq në vitin 1980, do të publikohen të plota si libër nga shtëpia botuese “Naimi”, në bashkëpunim me trashëgimtarët e autorit, të cilët aktualisht jetojnë në SHBA.
Libri, i cili në dorëshkrim ka rreth 500 faqe në format të madh, daktilografuar e nënshkruar nga autori, është përgatitur për botim, në kuadër të 100-vjetorit të shtetit shqiptar. “Në përkujtim të viktimave dhe dëshmorëve të 4 Shkurtit 1944 në Tiranë, duke ndjekur spekulimet që janë bërë e po bëhen për këtë ngjarje dhe rolin e Xhelal Straveckës në të, po publikojmë vetëm atë pjesë të kujtimeve të Xhelal Staraveckës, që lidhet me masakrën e 4 shkurtit 1944. I akuzuar “si organizator dhe pjesëmarrës në këtë masakër” që tronditi kryeqytetin shqiptar, e vërteta, sipas Staraveckës, është krejt tjetër nga ajo që ka servirur historiografia komuniste dje dhe disa autorë sot.
Për sqarim të lexuesit, themi se autori i dëshmisë kishte vetëm pak muaj që kishte braktisur ushtrinë e Enver Hoxhës, pra, partizanët, për arsye që ai i sqaron në librin e tij”, thotë botuesi Naim Zoto, i cili na vë në dispozicion këtë copëz nga kujtimet e Staraveckës, nën drejtimin e të cilit janë çliruar nga pushtimi fashist krahina të tëra, si Skrapari, Korça, Kolonja, Përmeti, Berati etj. Sipas botuesit Zoto, në kujtimet e tij gjenden dëshmi, dokumente, foto për masakrat greke mbi shqiptarët e Jugut në vitet 1914-1915; pastaj për Ahmet Zogun dhe figura të tjera të rendit të parë të periudhës monarkike; për Fan Nolin kryeministër e poet; për të ashtuquajturën kryengritje të Fierit (1935). Më pas vjen njohja, bashkëpunimi dhe ndarja me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Spiro Mosiun, Haxhi Lleshin, Myslym Pezën, Gjin Markun, Mestan Ujanikun, Fiqirete Sanxhaktarin (Shehu), Mehdi Frashërin, Ali Këlcyrën, Dali Ndreun, Abas Kupin, Abas Ermenjin, Xhafer Devën, Rexhep Mitrovicën etj. Dorëshkrimi përmban, gjithashtu, vlerësime deri edhe për figura të fesë, letërsisë e kulturës shqiptare apo të huaj, si Gjergj Fishta, Ernest Koliqi etj., për rolin e tyre në raport me fashizmin dhe interesat e kombit shqiptar.
Nata e Shën Bartolomeut, më 4 shkurt 1944
Mbi çështjen e natës së Shën Bartolemeut më 4 shkurt 1944, në 3 shkurt, në mos gabohem, erdhi Kadri Cakrani nga Berati e të nesërmen dy komunistë shtinë dhe vranë një nga rojet personale të Kadriut, si dhe xhajën e Xhafer Devës. Nga ai aksion komunist u bë ajo kasaphanë atë natë, që u kushtoi jetën më tepër se shtatëdhjetë personave të pafajshëm.
Në atë masakër nuk kam pjesë, pasi komandën e xhandarmërisë së kryeqytetit e mora më 13 shkurt. E, në sa i takon asaj çështjeje, kam dëgjuar se edhe qeveria e Tiranës e regjimit të sotëm nuk më ka akuzuar. Atë gjak e bëri regjimenti “Kosova”, i urdhëruar nga ministri i Brendshëm, Xhafer Deva, në bazë të një liste përgatitur për të gjatë ditës në bashkëpunim me Ballin. Ministrit të Brendshëm, Xhafer Devës, njësiti komunist i vrau xhaxhain dhe komandantit të përgjithshëm të Ballit, Kadri Cakranit, i vrau një nga shërbëtorët e tij. Meqenëse Tirana ishte stan pa qen, Kadri Cakrani dhe Xhafer Deva ishin të mjaftueshëm të bënin atë masakër që bënë.
Sidoqoftë, dua të theksoj se shumë persona u vranë atë natë me pretekst si hakmarrje kundër komunistëve, kurse në të vërtetë shumëkush u vra për llogari personale, si, për shembull, Tahir Zajmi vajtonte djaloshin intelektual Ramiz Trenin, duke akuzuar Xhelal Mitrovicën se e vrau thjeshtësisht për inate personale atë natë me regjimentin “Kosova”.
Një tjetër plagë turpi: Xhafer Deva në personelin e sigurimit të tij kishte dhe një vagabond, njëfarë Nexhip Mitrovica, që kërkonte gjithë ditën në Tiranë “ezmer gjyzelër” (çuna të zeshkët). Për cilin?…
Masakrën e 4 shkurtit e bëri Xhafer Deva me Kadri Cakranin, që do të thotë qeveria nga një anë, megjithëse Rexhep Mitrovica, kryetari i qeverisë, jo vetëm nuk pati dijeni mbi përgatitjen dhe kryerjen e asaj vepre të shëmtuar, por të nesërmen deshi të jepte dorëheqjen, dhe, në tjetrën anë, Balli Kombëtar.
Mehdi Frashëri u hidhërua tej çdo kufiri, por ç’mund të bënte për atë krim të kryer? Ai kishte rënë në një gjendje shumë të keqe, qoftë me Ballin, qoftë me qeverinë, eksponentët e të cilëve ishin lidhur shumë ngushtë me gjermanët.
Sa për mua, nuk kam pjesë në atë masakër, pasi në Tiranë në atë kohë isha vetëm mysafir e nuk isha as me Ballin, as me qeverinë, pasi komandant i Tiranës u bëra më 13 shkurt 1944. Punë fillova të nesërmen, në 14 shkurt. Dhe posa fillova punë, e para gjë që bëra, dhashë urdhër, them dhe e përsëris, dhashë urdhër, megjithëse atyre që u dhashë urdhër nga gradat dhe ofiqet ishin shumë më lart nga unë, që regjimenti “Kosova” të mos përzihej as në punën më të vogël në Tiranë, pasi përndryshe kisha për t’i qëlluar pa asnjë kursim, edhe pse në zemrën time ata ishin vëllezërit më të dashur dhe më të dhembshur, si shqiptarë të robëruar. E nuk mjafton, por u thashë atyre që atë regjiment që e quanin si fuqi personale të tyren, ta largonin nga Tirana brenda javës. Pasi nuk pati udhë tjetër, brenda asaj kohe ai regjiment la Tiranën.
Ago Agaj, që kishte disa llogari të vjetra personale për t’i rregulluar me disa në krahinën e vet, e çoi regjimentin “Kosova” në Vlorë dhe krahinat përreth, mirëpo rregullimin e atyre llogarive e volli dhe e volli keqas pa shkuar një kohë e gjatë, pasi, pse, pas nisjes së tij në mërgim, në Tiranë i vranë babën, Shero Eminin. E, për t’i paguar Agua krimet dhe llogaritë personale që kreu me anën e regjimentit “Kosova”, po ai që i vrau babën, doli jashtë si i mërguar, natyrisht pasi Agua i kishte përvëluar shpirtin, pasi i kishte vrarë të vëllain, i ra Agos dhe e plagosi rëndë në Reggio Emilia të Italisë.
Këto janë atdhetarizmat e nacionalizmit shqiptar
Patjetër, kush këndon këto episode, çuditet kur sheh si protagonist Ago Agajn në çështjen e regjimentit “Kosova”.
Dhe ja si qëndron puna:
Ago Agaj si “deutsche kultur” nuk pati sukses pranë italianëve, kur na u bënë sundonjës në vatër. Në 1941-shin, ku Gjermania mësyu dhe shkatërroi Jugosllavinë, e la Malin e Zi, Kosovën dhe Metohinë nën influencën italiane, mirëpo në anën e vijës gjermane kishin mbetur edhe toka shqiptare, si Mitrovica e të tjera krahina. Mitrovicarët shqiptarë, për të mos ndenjur nën administratën serbe, u çuan dhe formuan, ose më mirë të themi proklamuan, Mitrovicën e të tjera toka si “autonome”, duke u shkëputur nga administrata serbe, natyrisht nën pushtimin gjerman. Ago Agaj i “deutsche kultur” vrapoi me të shpejtë në Mitrovicë dhe atje, meqenëse është dinaku më i përsosur për të ngatërruar e korkolepsur punët më keq, rregulloi dhe çrregulloi, bëri dhe ç’bëri ç’i erdh për dore. Aktiviteti i tij do të ishte kufizuar vetëm në Mitrovicë, po të mos kishte kapitulluar Italia. Pas kapitullimit të Italisë, gjermanët erdhën e pushtuan edhe Shqipërinë. Kështu, në atë rast edhe “deutsche kultur”-ët e Mitrovicës: Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi, Xhelal Mitrovica, Rexhep Mitrovica e shumë të tjerë e, natyrisht, me ta dhe Ago Agaj erdhën në Tiranë. Meqenëse ky i fundit nuk donte të vinte në Tiranë vetëm më pendën në xhep, por me një fuqi që t’u imponohej atyre që mund ta rivalizonin, ai bashkë me mizat e asaj qeverie të vogël të Mitrovicës erdhën dhe u ngulën në Tiranë dhe formuan qeverinë nën regjentin Mehdi Frashëri, duke prurë me vete dhe regjimentin që kishin formuar dhe organizuar në Mitrovicë…
Paris, dhjetor 1966
(fragment nga libri në proces botimi i Xhelal Staraveckës “Përballë gjyqit të historisë”, kujtime historike: 1914-1966, nga shtëpia botuese “Naimi”)