Të gjithëve u la një shije të hidhur ajo dalje e Berishës në ndeshjen përballë Zvicrës, por me gjithë atë që portieri bëri gjatë ndeshjes më pas, ka likuiduar edhe atë gabim fatal. Portieri kuqezi është i treti nga gardianët e 24 kombëtareve sa i takon numrit të pritjeve për minutat që kanë luajtur me skuadrat përkatëse.
Me gjashtë të tilla, portieri kuqezi është i treti në këtë renditje, duke mbetur pas Halldorson të Islandës me 10 pritje dhe ukrainasi Pjatov që ka bërë 7. Gjithashtu, Kozaçik është me të njëjtën numër pritjesh me gardianin e Kombëtares shqiptare. Babaxhan i Turqisë, me paraqitjen që bëri përballë Kroacisë, regjistron pesë pritje vendimtare për skuadrën e tij.
Etrit Berisha u tregua shpëtimtar i portës së Shqipërisë me disa pritje mjaft të vështira dhe spektakolare, sidomos përballë Seferoviç, i cili doli të paktën katër herë përballë portës së Kombëtares kuqezi. Me përjashtim të asaj goditje standarde në fillim të ndeshjes, portieri i Kombëtares shqiptare ishte i pakalueshëm përballë helvetëve, me gjithë tentativat e shumta të tyre.
Pasimet
Shqipëria nuk shquhet për një përqindje të lartë të zotërimit të topit, gjithashtu loja e saj është pak cilësore në dukje. Në gjuhën e futbollit, kjo përkthehet një lojë me pak fantazi. Por, statistikat tregojnë se skuadra e drejtuar nga Xhani De Biazi, edhe pse ka luajtur për rreth 70 minuta në inferioritet numerik përballë Zvicrës, ka bërë një numër të saktë pasimesh që e kanë renditur të pestën në ndeshjet e para. 365 pasime të sakta nga 414 gjithsej e kanë renditur me 88% saktësi pas Portugalisë, Zvicrës, Gjermanisë dhe Spanjës.