Statistikat e ndeshjes/ Abrashi regjizor Kukeli si Ksavi (FOTO)

Statistikat e ndeshjes/ Abrashi regjizor, Kukeli si Ksavi (FOTO)

Amir Abrashi ësh të regjisori i lojës së Shqipërisë. Të paktën këtë tregojnë statistikat për ndeshjen kundër Zvicrës.

13413071_977951155637447_3670024896703215859_nAi ka qenë lojtari që ka marrë më tepër pasime dhe gjithashtu që ka dhënë më tepër. Mesfushori që aktivizohet me Fraiburgun e ka marrë topin 49 herë dhe më shumë ia ka "dhuruar" Burim Kukeli në nëntë raste.

Nga ana tjetër, ai ka tentuar të japë 55 pasime, 52 prej të cilave kanë qenë të sakta. Madje, statistikat e UEFA-s tregojnë edhe karakterin e tyre, pikërisht 3 të gjata, 27 të një distancë të mesme dhe 25 të tjera të shkurtra.

Futbollisti i dytë që pozicionohet për sasinë e pasimeve është pikërisht Kukeli, i cili ka dhënë 45 topa të saktë, nga 47 tentativa gjithsej.

Untitled-5Ai ka pasur edhe saktësinë më të madhe midis të dyja skuadrave, plot 96%, duke qenë në nivelin e Ksavi Hernandez, referuar precizionit.

Por nuk mbeten më pas edhe partnerët e tij të qendrës së mesfushës, që ishin edhe reparti më efektiv në duelin debutues të Europianit.

Pikërisht, Abrashi ka pasur saktësi pasimi prej 95%, ndërsa Xhaka 94%. Lojtari që ka gabuar më tepër në këtë aspekt ishte Sokol Cikellshi.

Sulmuesi që luajti 19 minuta e 55 sekonda dha gjithsej dy pasime, prej të cilave, asnjëra nuk shkoi në destinacionin e pritur. Por ajo që bie në sy për sulmuesin kavajas është edhe fakti që për aq kohë sa luajti, ka marrë vetëm dy herë pasim nga shokët e skuadrës, një nga Ansi Agolli dhe një tjetër nga Armando Sadiku.

Untitled-6Edhe Shkëlzen Gashi që luajti gati nëntë minuta më pak, arriti të marrë një pasim më tepër se lojtari i Istanbul Bashaksehir. Në fakt, për futbollistin që aktivizohet në SHBA, asisti i marrë prej Abrashit i dha një mundësi të artë shënimi, të cilën nuk e shfrytëzoi si duhet.

Edhe në pasimet e dhëna, Shkëlzeni ka zhgënjyer sepse ka tentuar gjashtë herë të japë topin dhe vetëm në një rast ka shkuar te shoku i skuadrës, pikërisht tek Ansi Agolli.

Partnerët

Dyshja që ka pasur më tepër bashkëpunim në fushë ka qenë ajo midis Burim Kukelit dhe Elseid Hysajt. Mesfushori i ka dhënë plot dhjetë herë topin mbrojtësit të djathtë, ndërsa ai ia ka kthyer në pesë raste.

Ndërkohë, nëntë pasime Kukeli i ka adresuar tek Amir Abrashi, i cili ia ka kthyer po aq herë.

Distancat

Shqipëria ka punuar me aksione pasimesh të distancave të mesme. Ky është përfundimi që arrihet nga statistikat, pasi gjithsej janë tentuar 202 topa në largësi mesatare, prej të cilave 186 kanë qenë me destinacion të suksesshëm.

Pasime të shkurtra janë kryer 123 (104 të sakta), ndërsa të gjata janë në total 67, por me një marzh të lartë gabimi, pasi vetëm 35 kanë shkuar atje ku duhej. Prej pasimeve të gjata, 22 i ka kryer Etrit Berisha, nga tetë Agolli me Mavrajn. Në total, Shqipëria ka tentuar të realizojë gjithsej 392 pasime, me një saktësi prej 83%. Kundërshtari zviceran ka qenë superior si në sasi, edhe në precizion, me 88% saktësi prej 539 tentativave.

Ndërhyrjet

Abrashi ka bërë diferencën në një tjetër aspekt gjatë duelit me Zvicrën. Ndonëse shtatshkurtër, ai ka qenë "më i dëmtuari" nga ndërhyrjet e rivalëve. Mesfushori kuqezi ishte lojtari që iu shkaktuan më tepër faulle, katër të tillë, ndërkohë që nuk ka kryer asnjë ndërhyrje të gabuar.

Vrapimet

Në totalin e ndeshjes, kuqezinjtë kanë përshkruaj gjithsej 102.7 kilometra, çka cilësohet si një shifër relativisht e kënaqshme për rendimentin e turneut. 51.3 kilometra janë realizuar në pjesën e parë, ndërsa më tepër janë përshkuar në të dytën, kur luajtën edhe me një futbollist më pak, pas daljes së Lorik Canës me karton të kuq. Në fakt, skuadra kundërshtare pati sërish një statistikë më të mirë, me një total prej 108.6 kilometrash.

Aksionet individuale

Një tregues që forca e kuqezinjve për të gjetur rrugën e rrjetës është e bazuar tek aksionet individuale, konfirmohet edhe nga shifrat në përfundim të ndeshjes së parë.

Në gjysmëfushën kundërshtare janë realizuar 25 tentativa për inkursione personale, 16 prej të cilave kanë qenë të suksesshme, duke mos u bllokuar prej futbollistëve kundërshtarë.

Në pjesën afër zonës kundërshtare ka pasur dhjetë tentativa për aksione individuale me një saktësi 60%, që janë finalizuar me krosime në zonë, ose pasime në të njëjtën hapësirë të fushës.

Ndërkohë, në zonën e penalltisë kanë pasur në total shtatë tentativa për aksione individuale, por vetëm njëri është konkretizuar me gjuajtje të rrezikshme në kuadrat.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama