Referuar treguesve historik të INSTAT mbi Indeksin e Çmimeve të Konsumit, ushqimet dhe pijet janë grupi që ka pësuar shtrenjtimin më të madh kundrejt grupeve të tjera si “Pije alkoolike dhe duhanit”, “Qira, ujë dhe lëndë djegëse”, “Veshje dhe këpucë”, etj. Madje, shtrenjtimin më të madh në grupin e ushqimeve e kanë pësuar ato bazë, siç janë buka, vaji, mielli, sheqeri, por edhe zarzavatet dhe frutat.
Çmimet e mallrave të shportës kanë pësuar ndryshime thelbësore që prej vitit 2007, kur INSTAT-i filloi përllogaritjen me artikuj të rinj të shportës, të cilën shërbejnë për matjen e Indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK).
Indeksi i fillon nga shifra bazë 100 dhe bazuar mbi vijueshmërinë e çmimeve është përllogaritur edhe IÇK-ja. Por si kanë vijuar ato sipas të dhënave të raportuara që prej këtij viti por edhe më parë, cilat mallra janë shtrenjtuar dhe cilat blihen sot më lirë krahasuar me pesë vite më parë? Ushqimet kanë indeksin e tretë më të lartë të rritjes si grup, me 114.31 për qind, i paraprirë nga grupi “Duhan dhe pije alkoolike” me 123.5 për qind dhe grupi “Shëndeti” me 121.78 për qind. Çmimi i duhanit dhe pijeve alkoolike ka pësuar rritjen më të madhe kryesisht gjatë viteve 2010-2011 kur qeveria ndërmori rritjen e akcizës për cigaret si edhe për pijet alkoolike. Për sa i përket shërbimeve shëndetësore, shtrenjtimi më i madh i tyre ka ndodhur në vitin 2011, kur qeveria aplikoi TVSH-në mbi të dyja.
Pavarësisht ndryshimeve të forta të çmimeve në disa prej artikujt e mësipërm, më i shtrenjtuari sipas INSTAT që prej vitit 2007, është uji i pijshëm. Deri në fund të vitit 2010, indeksi i tij shënonte 126.1 për qind, i ndjekur nga lendet djegëse si karburantet dhe energjia elektrike me 123.4 për qind. Çmimet e ushqimeve pësuan një rritje të fortë gjatë fillimit të vitit 2011, e cila u vijua përgjatë muajve të tjerë duke përjashtuar nëntorin dhe dhjetorin. Nisur nga fakti që pjesa më e madhe e shpenzimeve familjare shkojnë për të blerë ushqime, shtrenjtimi i tyre ka një ndikim më të madh në financat e familjeve krahasuar me grupet e tjera.
Transporti gjithashtu është një ndër grupet që ka pësuar rritje të madhe të çmimit për shkak të shtrenjtimit të vazhdueshëm të karburanteve. Të njëjtin trend kanë pësuar energjia elektrike por edhe qiratë e shtëpive. Vlen për t’u theksuar se çmimi i energjisë elektrike nuk ka ndryshuar të paktën përgjatë dy viteve të fundit pas rritjes së miratuar në vitin 2010.
Pavarësisht shtrenjtimi të pjesës më të madhe të artikujve, shqiptarët kanë përfituar ulje për disa të tjerë. Dy ndër artikujt më të rëndësishëm të kategorisë që kanë pësuar ulje çmimi janë veshjet dhe komunikimi. IÇK-ja mesatare e veshjeve në fund të nëntorit 2011 (e dhëna më e fundit e publikuar) shënoi 90.68 për qind. Çmimi i tyre ka pësuar ulje të vazhdueshme që prej vitit 2 000 kur IÇK-ja mesatare arriti kulmin me 130 për qind. Ulja e çmimit të veshjeve ka vijuar gjatë gjithë vitit 2011.
Indeksi i Çmimeve të Konsumit, dhjetor 2011 (2007 = 100)
IÇK-ja është e përllogaritur sipas shportës së artikujve të miratuar në vitin 2007, pas Anketës së Buxhetit të Familjes, realizuar gjatë periudhës Tetor 2006- Shtator 2007. Rritjen më të madhe të çmimeve e kanë pësuar pijet alkoolike dhe duhani. Por për shkak se ushqimet përbëjnë pjesë kryesore të shpenzimeve familjare, rritja e tyre ka ndikim më të madh të buxhetin familjar
- 116.9 % Ushime dhe pije joalkoolike
- 124.2 % Pije alkoolike dhe duhan
- 90.7 % Veshje dhe kepucë
- 121.7 % Shëndet
- 115.4 % Transport
- 112.3 % Qira, ujë, energji, lëndë djegëse
- 47.6 % ushqim
- 4.3 % pije dhe duhan
- 6.2 % veshje dhe këpucë
- 7.4 % banesa
- 5.9 % mobilim
- 6.2 % transport
- 22.4 % të tjera
Burimi: Instat
Fëmijët vishen më shtrenjtë se prindërit
Gratë kanë veshjet më të shtrenjta, por burrat ua kalojnë tek çmimi këpucëve
Familjet shpenzojnë më shumë për të veshur fëmijët. Veshjet dhe këpucët e fëmijëve janë më të shtrenjtat
Burrat shqiptarë janë më modest në veshje krahasuar me gratë nëse marrim çmimin e veshjeve si tregues krahasimor. Që prej fillimit të përllogaritjeve të IÇK-së, çmimet e veshjeve të grave paraqiten në mënyrë të vazhdueshme më të shtrenjta krahasuar me ato të burrave. IÇK-ja e grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi 90.68 për qind në fund të nëntorit 2011 duke pësuar ulje të vazhdueshme që nga viti 2000. Edhe pse grupi ka çmime me të ulta krahasuar me një pjesë të mirë të artikujve të tjerë, duket se janë çmimet e veshjeve të burrave ato që bëjnë diferencën. Në fund të vitit 2010, indeksi i çmimeve për veshjet e burrave ishte 90.1 për qind, ndërsa ai i grave 94 për qind. Diferenca në çmime e veshjeve të grave ka qenë e vazhdueshme që prej fillimit të viteve ’90, ndërsa u thellua ndjeshëm po në favor të grave gjatë viteve 1997-2000 me një diferencë prej 21 pikë përqindje.
Këpucët, të cilat bëjnë pjesë të grupin “Veshje dhe këpucë” kanë çmim mesatar më të ulët krahasuar me veshjet. Me një indeks mesatar prej 89.5 për qind deri në fund të 2010. Ndryshe nga veshjet, në të cilat gratë shpenzonin më shumë, këpucët e burrave janë më të shtrenjta se të grave me një diferenca prej 5.5 për qind të favor të burrave.
Fëmijët
Nëse burrat dhe gratë mund të garojnë disi në çmimet e veshjeve apo këpucëve, janë fëmijët ata, të cilët i lenë shumë pas prindërit e tyre në këtë aspekt. INSTAT raporton se indeksi i çmimeve të veshjeve për fëmijët është shumë më i lartë se ai i prindërve të tyre. Kjo bën që familjet të harxhojnë më shumë për veshmbathjet e fëmijëve se sa për prindërit. Veshjet për fëmijë kanë qenë më të ulta se ato të grave deri në fund të vitit 2008, gjatë të cilit kaluan në “avantazh” me 3 pikë përqindje. Indeksi i çmimeve për veshjet e grave dhe burrave deri në fund 2010 ishte respektivisht 94.1 dhe 90.3 për qind, ndërsa ai i fëmijëve shënoi 100.9 për qind. Rritja më e madhe për veshjet e tyre u shënua në vitin 2009.
Komunikimi, shërbimi më i lirë
Kostoja e komunikimit ka pësuar ulje të ndjeshme gjatë këtyre viteve të fundit krahasuar me fillimin e viteve 2000 kur nisi ofrimi masiv i shërbimit të telefonisë celulare në vend. IÇK-ja e komunikimit madje shënon treguesit më të ulët krahasuar me të gjithë grupet e tjera duke pasqyruar kështu edhe lehtësimin e kostove në këtë drejtim. Aktualisht, IÇK-ja e komunikimit paraqitet në 81.26 për qind shumë më e ulët krahasuar me vitet 2004 apo 2005, periudhë gjatë të cilës shtrenjtimi arriti kulmin. Ulja më e fortë është shënuar gjatë viteve 2008 dhe 2009, ndërsa ka vijuar me ritme më të vogla por të qëndrueshme gjatë dy viteve të fundit. Ulja përkon me periudhën kur në treg kanë hyrë edhe dy operatorët e tjerë.
Cfarë është IÇK-ja
IÇK-ja (Indeksi i Çmimeve të Konsumit) është treguesi i ecurisë së çmimeve për artikujt e shportës që merr në shqyrtim INSTAT-i. IÇK-ja për një artikull apo grup të caktuar mallrash nxirret pas marrjes së të dhënave për ecurinë e çmimeve të tyre në zona të ndryshme të vendit. Peshat e artikujve janë llogaritur bazuar në rezultatet e Anketës së Buxhetit të Familjes, realizuar nga INSTAT gjatë periudhës tetor 2006-shtator 2007.
INSTAT ndryshoi shportën e mallrave në vitin 2007 duke përmirësuar edhe metodologjinë e përllogaritjes. Ndryshe nga më parë, kur përllogaritej IÇK-ja vetëm për zonat urbane, tashmë INSTAT e përllogarit atë edhe për zonat rurale duke nxjerrë një mesatare të ecurisë së çmimeve. Muaji dhjetor 2007 është marrë si viti bazë për fillimin e përllogaritjes duke i shënuar vlerën 100. Ecuria mbi apo poshtë kësaj vlerë tregojnë se si ka kane ecur çmimet në raport me këtë periudhë. Nëse vlera e IÇK-së është më e madhe se 100, ajo përkthehet në rritje të çmimeve, ndërsa nëse është më e vogël do të thotë që çmimet janë ulur që prej kësaj periudhe.
Inflacioni poshtë parashikimeve, tkurret konsumi
Çmimet e mallrave të konsumit nuk u rriten si zakonisht gjatë festave të fundvitit. INSTAT raportoi një nivel inflacioni vetëm 1.7 për qind gjatë dhjetorit të vitit 2011, treguesi më i ulët i arritur në këtë periudhë gjatë viteve të fundit. Ky tregues ishte më poshtë edhe angazhimit të Bankës së Shqipërisë për mbajtjen e tij në kufijtë e 2 deri në 4 për qind në një periudhë afatmesme. Ekspertët e shpjegojnë një ecuri të tillë me tkurrjen e konsumit, gjë e cila bën që të ulet kërkesa në treg dhe për rrjedhojë tregtarët detyrohen të ulin çmimet për t’i bërë sa më atraktiv mallrat e tyre për blerësit. Duke u nisur nga treguesit e ulët të inflacionit, Banka e Shqipërisë uli sërish normën bazë të interesit për lekun me qëllim rritjen e kreditimit dhe stimulimit të konsumit në vend. Ulja ishte e treta brenda pak muajsh duke pasqyruar kështu treguesit problematik të konsumit në vend. Aktualisht, norma bazë e interesit për lekun është 4.5 për qind.