Qeveria shqiptare do të presë të njihet fillimisht me vendimin që Brukseli do të marrë në qershor lidhur me statusin e vendit kandidat për Shqipërinë dhe më pas të nisë fazën e dytë të rekrutimeve në Administratën Publike. Kjo pasi, vetëm dy javë nga shpallja e pezullimit të punësimeve në administratë, për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli antikushtetues Aktin Normativ për “Nëpunësin Civili”, qeveria bën me dije se konkurset për punësim do të nisin në muajin korrik. Lajmi bëhet i ditur nga ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, e cila në një intervistë dhënë dje për “A1 Report”, sqaroi se pas marrjes së statusit, vendi do të futet në fazën tjetër të anëtarësimit në BE, dhe që sipas saj, kërkon një administratë më të profesionalizuar se aktualja, që garantohet nga ligji i ri për “Nëpunësin Civil”. “Një nga kushtet për rrugën tonë drejt BE është reforma në administratë. Po përse na kërkohet? Do marrim statusin kandidat, pas kësaj fillon kapitulli, hapja e negociatave që është një proces shumë i gjatë dhe i vështirë, dhe që të realizohet ky proces kërkon një administratë të një niveli shumë më performant se administrata që kemi sot. Dhe ky ligj këtë synon. Që kjo të fusë vendin në BE. Pra të rrisim nivelin e performancës së administratës sonë”, tha Harito.
Duke vijuar më tej, ministrja sqaroi dhe dinamikën e ngjarjeve që çuan në pezullimin e punësimeve të reja në administratë. “Vendet vakante u shpallën deri më 31 dhjetor, ashtu siç e parashikonte ligji i ri i Nëpunësit Civil, i cili 3 muaj para datës së shtrirjeve të efekteve nuk lejonte hapjen e konkurseve të reja. Ato filluan të bëhen gradualisht, sepse ishin mbi 300 vende të hapura pune, dhe një pjesë e tyre u realizuan përpara datës 26 shkurt, që është data që u shpall vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Që nga kjo datë, meqë ligji i ri shtrin efektet e plota, u ndërpre procedura e konkurseve dhe pritet që procedura e konkurseve tani të bëhet sipas ligjit të ri që është shumë i ndryshëm dhe besoj se deri në muajin korrik nuk do ketë më konkurse”, tha Harito.
Ligji i ri
Ministrja përgjegjëse për departamentin e administratës, u shpreh se emërimet e reja në administratën shtetërore do të bazohen në një proces me rregulla shumë të forta, që parashikohen në ligjin e ri për “Nëpunësin Civil”, ndërsa shtoi se përzgjedhjet do të varen vetëm nga merita e kandidatëve. “Është një ligj i ndërtuar me partnerët europianë dhe që reformon në mënyrë esenciale administratën. Dhe gjëja esenciale që ndryshon është mënyra si rekrutohen njerëzit.
Sot konkurset organizohen për çdo institucion që ka shpallur vendet vakante, pra vijnë kandidatë, përzgjidhen 3 fitues, 3 të parët, dhe drejtuesi i institucionit zgjedh atë që i duket më i përshtatshëm, ndërkohë me ligjin e ri, situata është komplet e ndryshme, se nuk ka më konkurse për çdo institucion, sepse konkurset do të bëhen në grup. Kjo do të thotë se institucionet e ndryshme paraqesin kërkesat e tyre pranë Departamentit të Administratës Publike, mblidhen këto kërkesa dhe pastaj hapen vendet vakante, organizohet konkursi, rankohen dhe ai që del i pari përzgjedh vendin ku do shkojë, pra nuk është më drejtuesi i institucionit që zgjedh personin, por personi zgjedh institucionin ku do shkojë sipas rankimit të tij”, tha ministrja Harito.
Për ministren e Inovacionit dhe Administratës Publike akuzat e opozitës për rreth 5 mijë spastrime të punonjësve nga administrata publike nuk janë aspak të vërteta dhe të besueshme, pasi siç tha ajo, PD-ja në takimin e nivelit të lartë, Komisionerit për Zgjerimin në BE Stefan Fule, iu prezantua një shifër 2 herë më e vogël se ajo që përdor në akuzat e saj. Nga ana tjetër, ajo pohoi se janë bërë verifikime për disa nga personat e listës së publikuar nga PD-ja në portalin e saj online. “Për ta kuptuar se sa pak e besueshme është kjo shifër e thënë nga disa deputetë të opozitë, zotit Fule, iu raportua nga opozita shifra prej 2700.
Partnerët tanë ndërkombëtarë u kanë kërkuar listën me emra, por asnjëri nga ata nuk e disponon sot. Pra kjo është një propagandë e rëndomtë. Thonë se vjen nga një portal i tyre, por siç e dini në një portal kushdo mund të regjistrohet nëse mbrapa nuk ka një verifikim të qartë, për shembull disa emra që u publikuan me 1000 emra, ne bëmë disa verifikime, në disa ministri dhe dilte se gjysme e tyre nuk kishte lidhje me çështjen, pra shifra krejtësisht të pakonsoliduara”, tha Harito.
Përzgjedhja
Sot konkurset organizohen për çdo institucion që ka shpallur vendet vakante, pra vijnë kandidatë, përzgjidhen 3 fitues, 3 të parët dhe drejtuesi i institucionit zgjedh atë që i duket më i përshtatshëm, ndërkohë me ligjin e ri, situata është komplet e ndryshme, se nuk ka më konkurse për çdo institucion, sepse konkurset do të bëhen në grup.
Nëpunësit
DAP-i ka pasur në përgjegjësi në bazë të ligjit të vitit 2009, vetëm pjesën e nëpunësve civilë. Por, pjesa e nëpunësve civilë rritet shumë me ligjin e ri, dhe shkon nga rreth 3000 vetë deri në 7000 vetë të administratës shtetërore qendrore dhe po të llogarisim edhe pushtetin lokal shkon deri në 20 mijë vetë.
Largimet
Për administratën shtetërore qendrore, shifrat janë si më poshtë: Ka gjithsej 60 dorëheqje me funksione të larta, që dhanë dorëheqje direkt, ndoshta për shkak të angazhimit me palën tjetër politike, dhe ndoshta nuk u ndien komodë për të bashkëpunuar me ne. Ka 7 masa disiplinore, ka 2-3 persona që kanë dalë në pension
Lista e pritjeve
Aktualisht ka rreth 260-270 veta në listë pritjeje. Kjo listë pritjeje, në bazë të organizimit të strukturave të ministrive kryesisht, u kërkua nga Kryeministri që të tkurrej administrata, pra edhe pse u shtua numri i ministrive, numri global i punonjësve në ministri u pakësua me 15%, për këtë dolën në listë pritjeje disa persona.
Ristrukturimi
Për shkak të ristrukturimit të ministrive, disa njerëz që nuk përshtateshin me vendet e punës dolën në listë pritjeje. Ishin 270 vetë në listë pritjeje dhe tani janë 260, pasi këta persona janë të avantazhuar krahasuar me ata që hyjnë në konkurrim, pra nëse përshtaten me vendet e reja të punës
Shkarkimet e PD
Gjatë mandatit të parë të qeverisjes së saj, akuzoi dje Harito, Partia Demokratike ka larguar nga puna mbi 10 mijë persona, të cilët sipas saj u zëvendësuan me militantë. “Komisioni parlamentar që është ngritur për administratën publike në vitin 2006 ka konstatuar rreth 10 mijë vende të të larguarve nga puna nga PD-ja”
Përplasja
Reforma në administratë dhe ngërçi i krijuar në punësimet e reja
Me ardhjen e saj në pushtet, qeveria e majtë do të niste menjëherë procedurat për reformimin e Administratës Publike, ku vetëm dy javë pas konstituimit të saj, qeveria “Rama”, nëpërmjet miratimit të një Akti Normativ, kërkoi që të shtynte me 6 muaj efektet ligjore të ligjit për Nëpunësin Civil, që u miratua me konsensus mes palëve në maj të vitit të kaluar. Pikërisht kjo ndërhyrja në ligj, do të sillte dhe reagime të forta nga ana e opozitës, e cila do të akuzonte mazhorancën për minim të klimës së bashkëpunimit dhe konsensusit mes palëve. Sipas opozitës, këtë ndërhyrje në ligj me anë të një akti normativ, qeveria po bënte për të justifikuar spastrimet që do të nisnin në Administratën Publike. Në këtë linjë të kundërshtimit të vendimit të qeverisë, PD-ja do ta ankimonte këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, e cila në dhjetor të vitit të kaluar e shpalli si antikushtetues Aktin Normativ të qeverisë, por që vendimi i saj do të botohej në Fletoren Zyrtare vetëm dy muaj më vonë, më 26 shkurt. Zbardhja e këtij vendimi nënkuptonte anulim të të gjitha vendimeve të DAP-it dhe qeverisë për emërimet dhe shkarkimet të punonjësve nga puna të bëra që pas 1 tetorit të vitit të kaluar. Ndërkohë, për të shmangur koston financiare që rrjedh nga Kushtetuesja, qeveria do të publikonte dy ditë më pas një tjetër projektligj, që tashmë u ka kaluar për shqyrtim komisioneve parlamentare, por që futja e tij në axhendën e Kuvendit është shtyrë për muajin e ardhshëm. Sipas qeverisë, muaji shkurt përkon edhe me numrin më të madh të shpalljeve për vende vakante në administratën qendrore që prej fillimit të punës së qeverisë së re. Deri para publikimit të vendimit të Kushtetueses në Fletoren Zyrtare, Departamenti i Administratës Civile kishte shpallur konkurset për rreth 350 vende të lira pune në Kryeministri dhe në 15 prej ministrive. Vendet boshe të shpallura nga Departamenti i Administratës Civile shtriheshin thuajse në të gjitha hallkat e punës së dikastereve, duke nisur nga sekretarët e ministrive, për të arritur te drejtorët, përgjegjësit e deri te specialistët e niveleve të ulëta.