Steve Jobs Lamtumire gjeniut qe revolucionarizoi boten e teknologjise

Steve Jobs: Lamtumire gjeniut qe revolucionarizoi boten e teknologjise
“Idetë brilante, energjia, pasioni dhe talenti i tij u materializuan në një sërë risish që përmirësuan jetët tona. Bota sot është më e mirë falë Steve. Do të na mungojë!” - shkruan “Apple” në faqen e saj zyrtare. Ai revolucionarizoi botën e kompjuterëve dhe e solli atë magjishëm në çdo pëllëmbë dore. IPod, iPhone dhe iPad janë pashmangshmërisht të lidhur me emrin e tij

"’Apple’ humbi një gjeni kreativ dhe vizionar, ndërsa bota një njeri të jashtëzakonshëm”. Me një fjali të tillë, një foto të madhe bardh e zi, do të niste “Apple” në faqen e saj zyrtare  njoftimin për vdekjen e Steve Jobs, njeriut që ka ndryshuar zakonet, botën e të komunikuarit dhe të menduarit të miliona njerëzve në të gjithë botën. “Ata që patën fatin ta njohin aq sa duhet e të punonin me të humbën një mik të shtrenjtë, një lider frymëzues. Steve la pas një kompani që vetëm ai mund ta ndërtonte dhe shpirti i tij do të jetë gjithmonë gur i themelit të Apple”, - shkruhej më tej në komunikim e “Apple”. Ai revolucionoi botën e kompjuterëve dhe e solli atë magjishëm në çdo pëllëmbë dore. IPod, iPhone dhe iPad janë të pandashëm nga emri i tij. Tani themeluesi i “Apple”, Steve Jobs, nuk jeton më. Lajmi nuk erdhi papritur. Prej vitesh Steve Jobs luftonte me një formë të rrallë tumori të pankreasit. Në vitin 2004 u operua, ndërsa në 2009 iu nënshtrua një transplanti mëlçie. Jobs u shkëput tri herë nga posti i tij si menaxher i “Apple”, përpara se të jepte përfundimisht dorëheqjen në muajin gusht. Ai la pas një djalë dhe dy vajza. Familja bëri të ditur se vizionari i kompjuterëve “vdiq paqësisht, i rrethuar nga familja e tij”. “Steve vdiq në qetësi, i rrethuar nga familja e tij. Në jetën e tij publike, Steve ishte i njohur si një vizionar, në jetën e tij private, ai i falte lumturi familjes së tij. Jemi mirënjohës ndaj të gjithë njerëzve që mbështetën Steve gjatë vitit të fundit të sëmundjes së tij. Jemi mirënjohës ndaj mirësjelljes dhe mbështetjes së atyre që ndajnë me ne dëshpërimin për humbjen e Steve. E dimë që shumë nga ju e ndajnë vuajtjen me ne dhe ju kërkojmë të respektoni privatësinë tonë në këto momente”.

Jobs ndërroi jetë në moshën 56-vjeçare. Në 25 gusht kishte dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga posti i administratorit të deleguar të kompanisë që vetë themeloi e që ngriti në majën e gjigandëve më të mëdhenj të teknologjisë. 41 ditë më vonë dhe vetëm një ditë pasi Tim Cook prezantoi produktin e fundit, modelin e ri të iPhone, të quajtur iPhone 4S, erdhi lajmi të cilit shumë prej njerëzve i trembeshin. Ajo që nuk e la të vazhdonte më tej ishte “e keqja” që prej vitesh po e torturonte dhe treste ngadalë. Ishte ajo që ndërpreu në mes jetën e një gjeniu, e një njeriu që bëri epokë në fushën e teknologjisë. Jobs vuante prej kohësh nga një formë e rrallë e kancerit në pankreas, sëmundje ndaj të cilës luftonte prej vitesh, betejë të cilën nuk e fitoi dot. Ai ishte njeriu që me shpikjet e tij revolucionarizoi jetën e miliona personave në mbarë botën.
 
“Kam një lajm shumë të dhimbshëm që dua t’iu komunikoj. Steve u largua nga ne sot. ‘Apple’ humbi një gjeni vizionar. Nuk ka fjalë që mund të shprehin saktë dëshpërimin tonë për vdekjen e Steve apo mirënjohjen që kemi pasur mundësinë të punojmë me të. Ne do të nderojmë kujtimin e tij, duke ja dedikuar veten tonë vazhdimit të punës që la mbrapa”, - iu drejtua Tim Cook, punëtorëve të kompanisë mëngjesin e sotëm (djeshëm). Një tjetër mik i tij, me të cilin themeloi ‘Apple’ në vitin 1976,  Steve Wozniak, i emocionuar dhe mos lotëve tha: “Steve Jobs ishte njeriu që me krijimet e tij bëri të lumtur shumë njerëz. Emri i tij është pashmangshmërish i lidhur me atë të ‘Apple’”. Përballë lajmit për vdekjen e Jobs-it, nuk mund të kishte vend për rivalitet. Bill Gates, drejtuesi i “Microsoft”, deklaroi: “Steve dhe unë jemi njohur para rreth 30 vjetësh dhe ishim kolegë, konkurrentë dhe miq. Bota rrallëherë ka parë një njeri që të kishte një ndikim aq të thellë sa Steve, ndikim i cili do të ndihet edhe për shumë breza të tjerë. Do të më mungojë”.

Obama: Bota humbi një vizionar

“Michelle dhe unë jemi të dëshpëruar nga humbja e Steve Jobs. Steve ishte një nga inovatorët më të mëdhenj të Amerikës – i guximshëm mjaftueshëm për të menduar ndryshe, inteligjent mjaftueshëm se mund ta ndryshojë botën dhe i talentuar mjaftueshëm për ta bërë atë. Duke ndërtuar kompaninë më të suksesshme në planet, ai ilustroi shpirtin e zgjuarsisë amerikane. Duke krijuar kompjuterin personal dhe duke vendosur internetin në xhepat tanë, ai bëri revolucionin e informacionit intuitiv dhe argëtues. Steve jetoi çdo ditë sikur të ishte e fundit dhe duke bërë këtë, ai transformoi jetët tona, ndryshoi industrinë dhe arriti një nga objektivat më të rralla në historinë e njerëzimit: Ai ndryshoi këndvështrimin tonë për botën. Bota humbi një vizionar. Nuk do të ketë atribut më të madh për suksesin e Steve se sa fakti që bota mësoi për vdekjen e tij në mjetet që ai shpiki. Mendimet e mia dhe të Michelle shkojnë për gruan e Steve, Laurene, për familjen e tij dhe për të gjithë ata që e deshën”. Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, e kishte marrë iPad-in e tij personalisht nga Steve Jobs. Obama kujtoi se Jobs në vitin 1976, së bashku me shokun e tij, Stephen Wozniak pati themeluar në një garazh një firmë, e cila do të arrinte sukses mbarëbotëror. Kreu i bashkisë së New York-ut, Michael Bloomber e krahasoi atë me Edisonin dhe Ajnshtajnin.

Njeriu që do të ngelet në histori

Jobs do të lërë një boshllëk të madh mes bashkëpunëtorëve të tij, ashtu dhe mes miliona fansave në të gjithë botën. Tani të gjithë, sidomos të rinjtë, e njohin si krijuesin e “mjeteve magjike”. Me iPad dhe iPhone ai revolucionarizoi botën e teknologjisë dhe të komunikimit, ndërsa me iPod atë të muzikës. Ishte ai që në vitin 1977, pasi themeloi “Apple” bashkë me mikun e tij Steve Wozniak, hodhi në treg kompjuterin e parë personal në histori. “Gara” sapo kishte filluar. U largua nga “Apple” në vitin 1985, për shkak të disa mosmarrëveshjeve me administratorin e deleguar, për t’u kthyer sërish rreth dhjetë më vonë. Atëherë kur kompania ishte në një krizë të thellë, gjeniu Jobs arriti shumë shpejt ta shndërronte në shoqërinë më të pasur të planetit.

Në vitin 2007, revista “Furtune” e cilësoi si biznesmenin më të fuqishëm në botë kurse rivali i tij i përjetshëm, themeluesi i “Microsoft”, Bill Gates, u rendit vetëm i gjashti. Në vitin 2010, kur tashmë sëmundja e kishte larguar nga çdo rol kreativ te “Apple”, “Financial Times” e zgjodhi Jobs-in si “Njeriun e vitit”, duke cilësuar edhe njëherë aftësitë e tij për ta nxjerrë një kompani nga kriza e për të çuar në majat e suksesit. Sot kompania që ai formoi në vitet 1970 ka një vlerë prej 351 miliardë dollarësh, kompania më e madhe e teknologjisë në botë. Çdo produkt të ri të firmës së tij, Jobs e kishte prezantuar personalisht, nga Mac deri tek iPad. Burri i imët, i cili shfaqej thuajse gjithnjë me veshje sportive, pantallona xhins dhe pulovër të zi, e kthente prezantimin në një spektakël dhe skenën e një teatri, dhe korrte gjithmonë shumë entuziazëm. Nuk do të jetë e lehtë të zëvendësohet vizionari Jobs. Personaliteti i shumanshëm i multimilionerit u tregua ndër të tjera me themelimin e studios Pixar, e specializuar në prodhimin e filmave të animuar, si “Toy Story”, i cili ka marrë çmime të shumta dhe ka pasur sukses ndërkombëtar.

Steven Paul Jobs lindi në San Francisko, në 24 shkurtin e vitit 1955, nga një lidhje e pakurorëzuar në martesë e dy studentëve, Joanne Schieble dhe Abdulfattah Jandalit, të lindur në Siri. Prindërit e dhanë për adoptim te një çift punëtorësh, Paul dhe Klara Jobs, të cilët do ta rrisnin si fëmijën e tyre në vendin ku kishin ngritur shtëpi, në Silicon Valley, zemra e industrisë amerikane të elektronikës. Steve e braktisi kolegjin vetëm pas një semestri dhe nisi të punonte për një kompani që prodhonte video-game. Shpresat i kishte të mblidhte ca para e të nisej për një udhëtim në Indi. Dhe, e realizoi. U kthye nga rrugëtimi i tij me kokën e qethur, me veshje indiane dhe një eksperiencë të hidhur mbi supe nga efektet e drogës LSD. Përgjatë gjithë pjesës tjetër të jetës, Jobs do të mbetej një budist dhe vegjetarian i bindur. Historia e krijimit të kompjuterit ‘Apple’ pat nisur përpara kësaj, në 1974-ën, kur së bashku me mikun e tij, Steve Wozniak, nisën të punonin për kompjuterin e së ardhmes në garazhin e shtëpisë së Jobs-it. Emri i kompanisë vjen nga fruti i tij i preferuar, molla. Jobs kishte një moto jete, të cilën ua kishte këshilluar edhe studentëve të universitetit Stanford, në Kaliforni në mbrëmjen e diplomimit: “Jini të guximshëm dhe dëgjoni zemrën dhe intuitën tuaj. Vdekja, - u tha ai atë ditë studentëve, - është shpikja më e mirë e jetës, ajo heq nga rruga të vjetrën dhe bën vend për të renë”.

Pasardhësi

50-vjeçari Timothy Cook (por, të gjithë e thërrasin Tim), drejton kompaninë e Cupoertinos që kur Steve Jobs ishte sëmurur rëndë, në vitin 2004. Krahut të tij të djathtë, Jobs i kishte deleguar çdo rol operativ. Në 25 gusht e kishte emëruar si trashëgimtarin e tij, pasi hoqi dorë nga CEO i kompanisë. Drejtuesi i ri i  “Apple” - drejtor edhe i këshillit administrativ të “Nike” - hyri në kompani në marsin e vitit 1988, duke fituar menjëherë besimin e Jobs. Sigurisht që nuk ka gjenialitetin e themeluesit të  ‘Apple’, por konsiderohet i aftë për t’i dhënë vazhdimësi kompanisë. Debutimi i tij i vërtetë në skenë u bë vetëm një ditë përpara vdekjes së vizionarit të Sillicon Valley-t, kur u prezantua produkti i ri iPhone 4S, i aftë për t’ju përgjigjur komandave zanore. Por në skenë mungonte stili dhe karizma e babait, themelues të “Apple”. Shumë e quajtën një prezantim të ‘dështuar”, tepër larg atij të Steve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama