Steve Jobs rrefimi i madh i nje jete te madhe

'Steve Jobs', rrefimi i madh i nje jete te madhe
Përse Uolter Isakson, një nga biografët më të mirë, aktualisht u tërhoq kaq shumë pas figurës së gjeniut Steve Jobs? Po të shikosh librat e botuar prej tij më parë, nuk e ke të vështirë që të arrish në një konkluzion për zgjedhjen e tij. Ndër të tjera ai ka shkruar një biografi të Benjamin Franklinit që është publikuar në vitin 2003. Duket që i pëlqejnë gjenitë dhe figurat e ndritura. Kërkimet dhe punën për Steve ai e nisi që në vitin 2009, duke e ditur se Job ishte i sëmurë me kancer dhe se mbase nuk kishte edhe shumë vite jetë përpara. Edhe pse për babanë e “Apple” janë shkruar shumë libra të tjerë biografikë, Isakson është shkrimtari i parë me të cilin vetë Jobs ka bashkëpunuar dhe e ka autorizuar që të shkruajë për të.

Në fakt ishte Jobs ai që afroi Isakson dhe e ftoi që të bashkëpunonin në librin që më shumë se gjithë të tjerët flet për Steve-n e vërtetë. Shkrimtari dhe Jobs janë takuar së bashku rreth 40 herë dhe kanë folur gjatë për të gjitha aspektet e jetës së Jobs, duke filluar që nga çështjet intime e familjare e deri te puna e tij e përditshme, e shkuara, e ardhmja, pasionet, ëndrrat e realizuara dhe ato të parealizuara, pra në lidhje me gjithçka që përbën jetën e dukshme dhe të padukshme të një njeriu. Jeta e Jobs është një jetë e ngjeshur me punë e me shumë suksese dhe publikimi i autobiografisë së tij kaq shpejt përbën një tjetër sukses, dhe pse këtë herë sukses të një shkrimtari që rrëfen jetën e gjeniut që shpiku kompjuterin personal dhe shumë pajisje të tjera që kanë bërë një revolucion të vërtetë në botën e komunikimit dhe të teknologjisë.

Biografia është një vëllim i trashë, me plot 627 faqe dhe plot me risi e informacione për njeriun e “Apple”. Në të rrëfehet marrëdhënia e tij e vështirë me të bijën që ai e solli në jetë kur ishte vetëm 20 vjeç dhe që më pas e braktisi kur ishte 4 vjeç, si dhe marrëdhënia e vështirë dhe mësimet që mori nga i ati i tij adoptiv, të cilin e adhuronte. Në këtë libër na jepet mundësia që të shkojmë në prapaskenën e gjeniut Jobs, në zanafillën e krijimeve të tij. Në rrëfimet e tij, Steve ka folur shumë dhe për anën e tij jo të këndshme për shembujt e sjelljeve të këqija, për gënjeshtrat dhe vese të tjera që ka pasur, por edhe për punën e madhe që i është dashur për krijimin e “Apple” dhe “iPad”-it. Vitet e fundit, veçanërisht kur iu shfaq sëmundja, Steve nxitonte në një mënyrë të çmendur për të nxjerrë sa më parë në treg të gjitha produktet që i kishte vënë vetes si qëllim për t’i prodhuar dhe për t’i bërë pronë të njerëzve, duke filluar nga “iPod”, “iPhone” deri tek “iPad”.

Steve ka qenë gjithmonë një figurë pak a shumë enigmatike dhe të gjithë janë të etur për një informacion shumë më të gjerë dhe të shumanshëm për këtë gjeni. Kjo është arsyeja se përse libri është pritur me një uri shumë të madhe, veçanërisht që në momentin e vdekjes së Steve. Megjithatë një biografi, ose më mirë suksesi i një biografie, nuk varet vetëm nga shumëllojshmëria e fakteve të panjohura që shpalosen në të, por edhe nga vërtetësia dhe parja me paanshmëri e subjektit nga ana e shkrimtarit. Në rastin konkret, lloji i lidhjes që pati Isakson me Jobs ishte i tillë që nuk i lejonte shumë shkrimtarit që ta shihte Jobs me një vështrim kritik.

Ai nuk mund të mbante distancën e duhur për ta vlerësuar Jobs siç duhet. Kjo, për faktin e thjeshtë se pse jo vetëm që e intervistoi Jobs, por mbi të gjitha e pa ditë pas dite të vdiste, të ikte nga jeta, të shuhej deri në momentin e fundit. Aty, nga fundi i librit, ka një skenë shumë prekëse me Jobs, që është shtrirë në shtrat duke parë së bashku me Isakson fotot e jetës së tij në një album të madh. E si mund të ishte kritik një shkrimtar si Isaksoni, kur subjekti për të cilin ka shkruar ishte në shtratin e vdekjes. Jobs, ndër të tjera, i ka thënë Isaksonit se në librin që ai do të publikonte, ndoshta shumë gjëra nuk do t’i pëlqenin. Isakson ia pohoi një gjë të tillë Jobs, megjithatë jo shumëkush mund të besojë se Isakson arriti që të shkëputej nga miqësia me Jobs dhe të shkruante në librin e tij në mënyrë të paanshme dhe madje edhe kritike.

Megjithatë në librin “Steve Jobs”, Uolter Isakson ka rrëfyer një jetë të madhe dhe pa dyshim që e ka bërë me mjeshtëri të madhe. Është një jetë e jashtëzakonshme që flet vetë. Ky libër është një arritje shumë e rëndësishme dhe një mundësi e madhe për të njohur një njeri të madh që bëri vepra të mëdha.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama