Stilolapsin e At Zef Pllumit do tia dhuroj Berluskonit

'Stilolapsin e At Zef Pllumit do t'ia dhuroj Berluskonit'

  “... a e zuni shiu a era, se tashma ka moshën, veç halleve të tjera. Prandaj ajo të mjaftohet me letrat e mia, a me atë që i thotë nata për mue. Të gëzojë që e ka vajzën si djalë, e djalë të fortë, që po u banë ballë të gjitha halleve e punëve të shtëpisë, së saj e tonës, si edhe po kujdeset tej masës për mue... Me ushqimet e kishit teprue kësaj radhe, sado që ju porosita. Vërtet që nuk na ashtë hapë dyqani, po unë nuk jam hamës i madh e kënaqem me pak. Edhe pare, mos postoni nja dy muej, se unë i kam të paprekura që në prill. Pakoja më erdhi shpejtë e ju lumtë dora, ai djathi që më kishit nis në pako mu gjetë tamam në kohë”... ky është një fragment i shkëputur nga letra e shkrimtarit dhe politikanit Pjetër Arbnori (1935- 2006), dërguar nënës, nga burgu i Burrelit (1961-1989). Një stilolaps   i përdorur gjatë periudhës si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, një tjetër i dhuruar nga Papa Gjon Pali II (Karol Vojtila), por edhe një cigare puro e prodhuar ekskluzivisht për të, janë disa nga sendet që qëndrojnë në krye të ekspozitës, "Relikte nga personalitete të shquara të kulturës kombëtare” në MHK. Për realizimin e kësaj ekspozite është kujdesur studiuesi Novruz Shehu. Ai në një bisedë për “Shekullin”, tregon se ka filluar me mbledhjen e këtyre relikteve, qysh prej vitit 2006. “Asokohe u drejtova në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, te ministri Bujar Leskaj, për të realizuar këtë projekt.

 Kam shkuar nëpër shumë familje, sepse jam marr me jetëshkrimet e disa personaliteteve në Shqipëri, për këtë arsye, përpos monografive që kam realizuar për: Musine Kokalarin, Baba Ali Tomorrin, Pjetër Arbnorin etj,   iu kam kërkuar të afërmve të tyre edhe ndonjë nga sendet personale, që kanë zotëruar këto figura. Çdo gjë e kam të regjistruar me shkrim dhe me firmë”, tregon Shehu. Sendet që vijojnë më tej, i përkasin At Zef Pllumit. Stilolapsi dhe kryqi i tij, shoqërohen edhe me letrën që ia ka dhuruar studiuesit, në vitin   2006. Në të shkruhet se: “Unë i nënshkruari At Zef Pllumi, sot në Tiranë, në datën 2 nëntor të vitit 2006, ia dhuroj zotit Novruz Shehu nga Tepelena stilolapsin tim, me të cilin kam shkruar një pjesë të veprave të mia. Gjithashtu i dhuroj edhe një kryq, që e kam mbajtur te kryet e shtratit tash e 16 vjet. Kryqin, kur   jam liruar në vitin 1989, ma dhuroi familja e At Karlo Seriqit, martir i klerit katolik, i cili vdiq në burg. Këtë kryq e kam mbajtur gjithmonë në krye të shtratit dhe i jam lutur Zotit për gjithë natën, tue i kërkue që të më japë ndihmë për me vazhdue punët e fesë deri në vdekje. Dëshmoi për të gjitha këto At Zef Pllumi   2 nëntor 2006”.

 “Këtë stilolaps kam vendosur që t’ia dërgoj Berluskonit, sepse ai ka botuar veprën e At Zef Pllumit. Janë botuar rreth 12 mijë kopje të librit të tij, që janë vënë në dispozicion në të gjithë botën, falas. Ky është një nder, që Berluskoni e ka bërë për të gjithë popullin shqiptar. Prandaj   mendoj se, ne duhet t’a shpërblejmë Berluskonin për këtë gjest. Unë po e bëj këtë gjest si shqiptar i thjeshtë, sepse i takonte Presidentit të Republikës, Bujar Nishanit që ta bënte këtë nderim. Ai duhet t’a nderonte Berluskonin me një “Urdhër të Lartë”, apo se me çfarë nuk e di”, shprehet Shehu. Llulla e përdorur nga shkrimtari dhe studiuesi Dhimitër Shuteriqi (1915- 2003), syzet e profesor Jub Kastratit (1924-2002), një kartolinë e shkruar nga Theofan Stilian Noli (1882-1965), poetit Nexhat Peshkopia qëndrojnë në një kornizë tjetër. Ndërsa, një bluzë e Vaçe Zelës (1939- 2014), këngëtares dhe “Artistes së Popullit”, së bashku me magnetofonin ku ajo regjistronte zërin dhe me culën dyjare të Hysni Zelës,vëllait të saj, janë ekspozuar së bashku. Qeleshja me gërshetën origjinale, i përkasin valltares, Liljana Cingos, “Mjeshtres së madhe” në fushën e artit. Me këtë qeleshe ajo ka interpretuar në rolin e Shote Galicës.

Përse zgjodhët që të botoni veprat e Musine Kokalarit?

Sepse Musine Kokalari është shkrimtarja e parë shqiptare, është disidentja e parë shqiptare, luftëtarja e pluralizmit shqiptar. Ajo ishte e vetmja që ka krijuar Partinë Social Demokrate në Shqipëri, përballë asaj Komuniste. Është e vetmja vajzë shqiptare që, nuk u nënshtrua deri në fund. Në vitin 1980-’84, ajo u sëmur me kancer dhe përsëri nuk i kërkoi falje Enver Hoxhës. Këtë gjë nuk mundi ta bëjë asnjë intelektual në Shqipëri.

Të gjithë janë kthyer në mercenarë, ca në të majtë, ca në të djathë. Ne duhet të mësojmë shumë nga kjo, sepse është një emblemë e vajzës shqiptare, që nuk përsëritet më. Këtë pendë me majë floriri ma ka dhuruar familja e saj, për të më shpërblyer për botimin e veprave të saj. Më vjen keq që shoqëria shqiptare nuk ndërgjegjësohet se: At Zef Pllumi, Musine Kokalari dhe Pjetër Arbnori janë një trini e shenjtë. Ata së bashku përbëjnë një trini të jashtëzakonshme. 

Shalli i Eliza Dushkut

 Më tej ekspozohet “Për gjenezën e literaturës shqipe”, një botim i Eqerem Çabejt, që ia ka dhënë me autografin e tij, Ilia Mitrushit. Një nga reliktet e tjera është portreti i Selam Musait, i realizuar nga Vaso Tole, dhe një flamur i qëndisur në atë kohë. Një grep peshkimi, dhe lajmërimi i vdekjes së Kadri Roshit, janë objektet e tjera që pasojnë në këtë ekspozitë. “Lajmërimin e vdekjes së Kadri Roshit e kam sjellë, sepse edhe vdekjen e mendoj si pjesë të jetës”, thotë Shehu. Nga etnomuzikologu Ramadan Sokoli, studiuesi ka një bastun të thjeshtë.

“Këto janë gjëra shumë të vogla, por që kudo  në botë kanë tepër domethënie dhe vlerësohen shumë. Për këtë unë u them njerëzve që t’i ruajnë reliktet, sepse nëpërmjet tyre ne mund të kujtojmë, të njohim dhe të kuptojmë historinë e atyre njerëzve, që nuk kemi mundësi t’i takojmë nga afër”. Një kollare ngjyrë blu e errët, në të cilën është pikturuar çelësi sol, i përket Agim Prodanit, ndërsa një varëse e bashkëshortes së tij, këngëtares Anita Take, qëndron përkrah saj. “Eliza Dushku ka bërë një fotografi ekskluzive, në qershor të vitit 2006. Shallin dhe kapelën e saj, që i ka përdorur në një rol, mi ka bërë dhuratë mua”, tregon ai.       
Zonjave drejtuese'


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama