Ju e njihni ndjenjën e pakëndshme në supermarket, kur je te arka dhe përsëri ke harruar PIN-in për kartën me cash elektronik. Po aq e pakëndshme është kur vë re që ke harruar në shtëpi mbi tryezën e kuzhinës listën e blerjeve. Me siguri, këto minikriza të jetës së përditshme janë pjesë e saj – apo ka rrugë si mund t’i mbash mend më mirë gjëra të tilla?
T’i fiksosh gjërat në mend me asociacione
Për t’u kujtuar më mirë për fjalë-kodin personal të e-mail-it ose për datëlindjen e gjyshes, ka metoda të ndryshme të fiksimit në mend. Si mund t’u kujtohen gjërat më mirë në jetën e përditshme (jo vetëm gjenive), e shpjegon Christian Elger, epileptolog në Klinikën Universitare të Bonit. “Kur doni të mbani mend gjëra shumë të ndërlikuara, atëherë kjo bëhet vetëm përmes asociacioneve. Më e mira është, të përfytyrosh dy gjëra. Për shembull, kur duhet të bëni pazarin për shtëpinë, mbyllni sytë dhe përfytyroni pastrimin. Atëherë ngjallni asociacione me gjërat që ju duhen për pastrim. Kur ndër to është një gjë që iu duhet ta blini, ajo iu del para syve. Kështu mund t’u kujtohen përsëri gjëra që i keni harruar.”
Teknikën e ngulitjes në mend me ndihmën e asociocioneve e përdor edhe asi i matematikës, Gert Mittring. Tetë herë kampioni i botës në llogaritje me mend arrin të mbajë mend në saj të lidhjeve mendore kombinime numrash shumë të gjata. Ai rekomandon që kombinimet të jenë para së gjithash krijuese dhe individuale, kësisoj arrin t’i stimulosh më mirë qelizat gri. “Personi duhet të vendosë lidhje mes fakteve dhe përfundimeve dhe interesave speciale të veta. Kur dikush shfaq interesim për detaje të astronomisë, atëherë nuk është keq t’i përdorësh këto njohuri si ndihma asociacionesh. Përse jo?”
Meqenëse hobby i Mittringut janë numrat, ai i lidh faktet e rëndësishme pikërisht me veçoritë numerike. “Kur kam të bëj me shifra, përpiqem të shfrytëzoj kryesisht veçoritë e numrave. Kjo nuk është një teknikë aq e përhapur. Kur duhet të fiksoj në mend 251 si numër treshifror, atëherë përdor faktin, që ky është numri më i vogël prim, i cili është më i madh se ¼ e 1.000.”
Vezë për mëngjes, tërfil katërfletësh dhe shtatë xhuxhat
Mittring e pranon që këto lloj asociacionesh janë të papërshtatshme për shumicën e njerëzve. Në librin e tij: “Rechnen mit dem Weltmeister / Të llogarisësh me kampionin e botës” ai jep këshilla se si “njerëzit normalë” mund të ngulitin në mend kombinime numrash të gjata me ndihmën e lidhjeve. Për të kujtuar një kombinim numrash si 047, Mittring këshillon të veprohet si vijon: Numri zero i kujton atij një vezë për mëngjes. Shifrën katër ai e lidh me një gjethe tërfili katërshe dhe në rastin e numrit shtatë atij i shkon mendja te për shembull te shtatë xhuxhat. Në librin e vet Mittring këshillon në përfundim që asociacionet të integrohen në një histori. Ky mund të kishte këtë trajtë: “Veza për mëngjes gjendet në tërfilin katërsh pranë shtatë xhuxhëve. Në këtë mënyrë edhe ju mund ta fiksoni fare lehtë kombinimin e numrave 047.”
Të mësosh prej teknikës Loci
Kur asociacionet nuk ndihmojnë aq për të fiksuar më mirë gjërat, qelizat gri mund t’i nxisë e ashtuquajtura teknikë-Loci. Prof. Elger e paraqet atë. “Kur më duhet të prodhoj diçka të gjatë, një çështje të ndërlikuar, atëherë rekomandohet ndoshta teknika virtuale. Mbyll sytë dhe eci nëpër shtëpi. Në çdo cep kam vendosur argumente (gjithçka vetëm virtualisht në kokë) dhe më pas argumentet i sjell në renditjen e duhur.”
Një tjetër teknikë fiksimi është lidhja e fakteve me emocione, kështu mund të të kujtohen gjërat më lehtë për kohë të gjatë. Të dy ekspertët këshillojnë, që për të filluar me stërvitjen e mendjes të përballesh përditë me sfida të vogla.