Studentet e Oksfordit tregojne Tiranen e se ardhmes

Studentët e Oksfordit tregojnë Tiranën e së ardhmes
Ekspozita e menduar prej kohësh nga Galeria e Arteve dhe Universiteti i Oksfordit do të çelet më 6 korrik. Ajo do të qëndrojë e hapur në galeri deri më datën 31 gusht.

Sipas organizatorëve, kjo ekspozitë është një tipologji krejtësisht e re për veprimtarinë e galerisë, sepse mbështetet në tregimin e punëve më të arrira studentore nga departamentet e arkitekturës të Universitetit Shtetëror Tiranë dhe Katedrës së Ambientit të Ndërtuar të "Oxford Brookes University", të ndërthurura me punë të artistëvr bashkëkohorë shqiptarë (kryesisht në mediumin e fotografisë) dhe punime artistike të studentëve britanikë të Arteve të Bukura nga "Oxford Brookes". Në hapjen e kësaj ekspozite do të jenë të ftuar edhe përfaqësues të Universitetit të Oksfordit, si Mark Swenarton, dekan i shkollës së arkitekturës në Oksford, Linda Fitzsimmons, dekania e departamentit të arteve, etj. Disa prej studentëve anglezë pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë fitues të çmimeve më të rëndësishme për arkitekturë dhënë nga RIBA (Instituti Mbretëror Britanik i Arkitekturës) si dhe tre studentë shqiptarë që kanë studiuar në këtë universitet me rezultate të larta. Ekspozita do të jetë një ndërthurje e trefishtë, ku do të gërshetohen me njëra-tjetrën veprat studentore britanike në projekte, vizatime dhe makete arkitektonike dhe artistike, me projekte, skulptura, instalime, pikturë, fotografi dhe videoart nga artistë shqiptarë, si dhe me veprat respektive në arkitekturë të studentëve shqiptarë. Duke qenë se tema e ekspozitës ka një prekje problemesh që përfshijnë pothuajse çdo lloj fushe të krijimit artistik, arkitektonik dhe akademik, sinteza vizive do të jetë një risi jo vetëm për artin, por edhe për mësimdhënien shqiptare dhe shkollën shqiptare të arkitekturës.

Nga Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama