Studentet e rinj regjistrimet ne 12 Shtator

Studentet e rinj, regjistrimet ne 12 Shtator
Regjistrimi paraprak i studentëve të rinj do të nisë më 12 shtator, ndërkohë që listat paraprake të fituesve të universiteteve publike po bëhen gati për publikim këtë fundjavë.  Regjistrimi i studentëve fitues për studimet me kohë të plotë do të bëhet sipas listave emërore të renditura nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP).

Kjo agjenci në 11 shtator do të dërgojë në MASH listat paraprake të kandidatëve fitues, të ndarë sipas programeve përkatëse të studimit, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe të preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në Formularin A2, në përputhje me kuotat e pranimeve të miratuara nga qeveria.  Sipas udhëzimit, regjistrimi i kandidatëve për të fituar statusin e studentit të pranuar në universitetet publike do të zhvillohet me regjistrim paraprak dhe përfundimtar. Ky proces regjistrimi do t’i përkasë raundit të parë të pranimeve në universitete, për të cilat aplikimi do të bëhet nëpërmjet Formularit A2. Raundi i dytë i pranimeve do të realizohet për vendet që do të rezultojnë të paplotësuara në universitete, pas mbylljes së regjistrimit përfundimtar, aplikimi do të bëhet me Formularin A3. Për këtë raund të dytë dhe të fundit pranimesh do të ketë fazë tjetër regjistrimesh, afatet dhe modalitetet e së cilës do të bëhen të ditura më vonë nga Ministria e Arsimit.

Udhëzimi vë theksin në rëndësinë e respektimit të afateve të regjistrimeve nga kandidatët për studentë. Ata duhet të regjistrohen paraprakisht në programin e studimit ku janë shpallur fitues pranë sekretarive mësimore të fakulteteve nga data 12 shtator deri në datën 18 shtator, nga ora 8.00 deri në orën 18.00.  Dy ditë pas mbylljes së këtij procesi, institucionet publike të arsimit të lartë deri në orën 14.00 të datës 20 shtator 2011, duhet të dorëzojnë në MASH dhe në AKP listën origjinale. Në bazë të regjistrimeve paraprake të kryera dhe të vendeve të paplotësuara, AKP, në datën 23 shtator 2011, do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues, duke ruajtur parimin Meritë-Preferencë, që do të publikohet edhe në faqen e MASH. Listat përfundimtare e kandidatëve fitues, në formë të shkruar dhe elektronike, do t’u dorëzohen universiteteve, sipas programeve përkatëse të studimit, në datën 24 shtator nga AKP. Universitetet duhet t’i afishojnë listat brenda datës 25 shtator.
 
Ndërkaq, regjistrimet përfundimtare të kandidatëve të rinj do të kryhen nga data 26-30 shtator.  Ngjashëm me maturat e shkuara, edhe për këtë vit fluksin më të lartë të kërkesave pritet ta ketë universiteti i Tiranës, tetë fakultetet e të cilit përmbajnë programet studimore më të pëlqyera nga maturantët. Pranë këtij universiteti vetëm 6 mijë nga 48 mijë kandidatët për shkollë të lartë do të mund të vijojnë studimet e larta. Dita e fillimit të vitit të ri akademik, pritet të vendoset së shpejti nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama