“Pallati 176” shfaqet nesër, 23 korrik, në kopshtin e Palazzo Traversa-s nën drejtimin e Gerarta Zheji Ballo dhe Blenti Shehajt. Në të vërtetë komedia nuk shfaqet e plotë. Ky është një spektakël teatral që ngrihet vetëm mbi disa skena të “Pallatit 176” (Il Condominio n.176) që shkroi Adelina Balashi dhe e prodhoi Teatri Popullor më 1986 me regji të Alfred Bualotit dhe Anton Qesari, me aktorët Roland Trebicka, Elida Janushi, Pavlina Mani, Anastas Kristofori, Violeta Manushi, Eva Alikaj, etj..
Komedia kritikon vese dhe zakone ashtu siç e donte kultura e humorit brenda kornizave të realizmit socialist. Protagonisti Jovan Bregu që interpretohet nga aktori Roland Trebicka, është një personazh që sillet i papunë e dredh zinxhir që jeton në sajë të servilizmit, gënjeshtrave, hipokrizisë, thashethemeve derisa një ditë bie brenda rrjetës që ka thurur vetë, e sigurisht pa pasoja, me një finale të lumtur.
Deformimi karikaturë i figurave është brenda misionit që i vihej teatrit shqiptar, i parë si një institucion riedukimi që përqesh për të korrigjuar njerëzit. Ndërsa regjisorët kur flasin për të theksojnë se “Pallati 176” ishte kundër politizimit.
Të rinjtë Ergys, Dafina, Aldi, Elona, Enkeleida, Leonard, Evelina, Ervin e Imelda që ndjekin studimet universitare në Torino dhe kanë pasion teatrin, e shikojnë “Pallatin 176” si një vepër që “ia del të japë me zhdërvjelltësi dhe humor probleme, zakone dhe manitë të familjeve shqiptare në mëdyshje mes ngurtësisë së sistemit komunist dhe kërkimit të një normaliteti – qoftë edhe vetëm në dukje – në jetët e tyre të përditshme”. Shfaqja do të jetë në gjuhën shqipe (me përkthim në italisht) duke ruajtur të paprekura batutat që janë bërë pjesë të folurës së përditshme edhe të një brezi të ri.
Spektakli është shfaqur për herë të parë në Torino, vitin e shkuar përballë jë publiku multietnik, në ditët e Festivalit Ndërkombëtar të Gojëdhënave Popullore. E ftuar nderi ka qenë edhe Eva Alikaj, një nga aktoret kryesore të komedisë, në rolin e Elsës, vajzës së dashuruar që tentojnë ta martojnë me mblesëri.
Realizimi i komedisë është nismë e Shoqatës Youthink që drejtohet nga gazetarja Gerarta Zheji Ballo, në bashkëpunim me Artemia, Rete Italiana di Cultura Popolare.