Studentet note punes se pedagogeve

Studentët, notë punës së pedagogëve
Universiteti i Tiranës përcakton skemën e vlerësimit që do të japë çdo student para provimeve

Plotësimi i formularit të pakënaqësive do të bëhet për çdo lëndë para nisjes së sezonit të provimeve

Pedagogët e punësuar pranë fakulteteve të Universitetit të Tiranës do të vlerësohen me notë për punën e kryer gjatë vitit akademik. Vlerësimi i tyre nuk do të kryhet nga institucionet arsimore, por nga vetë studentët. Referuar skemës së re të hartuar, nuk do të jenë vetëm pedagogët ata që do të vlerësojnë me notë dijet e fituara nga studentët. Këta të fundit do të japin vlerësimin e tyre nëpërmjet plotësimit të një formulari, ku do të evidentohet puna e kryer nga pedagogu në ecurinë e lëndës mësimore. UT-ja ka përgatitur draftin e formës së vlerësimit të pedagogëve nga studentët, praktikë që do të nisë gjatë semestrit të dytë të këtij viti akademik. Ky formular është shpërndarë në të gjitha fakultetet, për të marrë mendimin e pedagogëve dhe të studentëve. Me anë të kësaj forme vlerësimi, studentët do të kenë mundësi të vlerësojnë pedagogët e tyre, lëndët, si edhe infrastrukturën e departamenteve përkatëse, çka do të mundësojë identifikimin e shpejtë dhe real të problematikave që kanë fakultetet e këtij universiteti. Përpara çdo provimi, studentët do të plotësojnë formularin duke vlerësuar çdo pedagog dhe çdo lëndë që kanë kryer, të dhëna që më pas do të grumbullohen nga rektorati dhe fakultetet e UT-së, me qëllim identifikimin e problematikave dhe marrjen e masave të nevojshme që do të mundësojnë zvogëlimin e tyre. Në përmbajtjen e formularit nuk do të jenë vetëm pyetje për evidentimin e punës që bëjnë pedagogët, por edhe pyetje mbi lëndët mësimore dhe problemet që janë shfaqur në to gjatë gjithë semestrit. Pas mbledhjes së këtyre formularëve, komisioni i hartimit të tyre do të përcaktojë masat që do të merren për të gjitha shqetësimet e ngritura nga vetë studentët. Megjithatë, nuk përjashtohet edhe mundësia e penalizimeve, që do të aplikohet pas verifikimit të problemit që është ngritur nga studentët, qoftë me programin mësimor dhe modulet përkatëse, ashtu dhe me plotësimin e detyrimeve nga stafi akademik. Pas vendimit të senatit akademik për hartimin e kësaj forme vlerësimi, ajo u është shpërndarë të gjitha fakulteteve për mendim dhe duke marrë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet e tyre është hartuar forma përfundimtare, që më pas do tu shpërndahet sërish fakulteteve për tu përdorur gjatë provimeve të fundit të semestrit të dytë të këtij viti akademik.

Pjesa e parë e formularit ka të bëjë me vlerësimin e lëndës mësimore që studenti jep në sezonin e provimeve të fundvitit. Për këtë, studenti do të bëjë një klasifikim të progresit të arritur në këtë lëndë përgjatë gjithë semestrit, duke identifikuar problemet dhe ecurinë e realizimit të programit mësimor. Studentët do të duhet të japin vlerësimin duke filluar nga niveli më i dobët, në atë të shkëlqyer. Do të vlerësohen me “dobët”, “mjaftueshëm”, “mirë, “mesatar” dhe “shkëlqyeshëm” të gjitha pyetjet që kanë të bëjnë mbi njohuritë e fituara në lëndën përkatëse, si dhe metodat e ndjekura nga pedagogu gjatë procesit mësimor. Më pas, këto rezultatet do të verifikohen nga komisioni i specialistëve që do të ngrihet në UT.

Pas vlerësimit të dhënë për lëndën e provimit, studenti do të përshkruajë nëpërmjet notës edhe punën e kryer nga pedagogu gjatë gjithë semestrit akademik. Vlerësimi mbi sjelljen e pedagogëve të lëndës do të kalojë në pesë nivele gjykimi, nga më i dobëti deri tek ai më i larti. Problemet dhe mangësitë që do të evidentohen nga plotësimi i këtyre formularëve do të shqyrtohen nga komisione specialistësh pranë Universitetit të Tiranës, ku do të jepen edhe penalizime, në rast se do të konstatohen shqetësimet e ngritura nga studenti. Shkak për krijimin e kësaj skeme janë bërë pretendimet e vazhdueshme të studentëve për parregullsi dhe abuzime që kryhen nga pedagogët, veçanërisht gjatë sezonit të provimeve.

Ankesat

Vendimi për vlerësimin e lëndëve mësimore dhe punës së pedagogut ka ardhur si rezultat i shtimit të pakënaqësive të studentëve në lidhje me punën e kryer nga pedagogët, veçanërisht gjatë sezonit të provimeve. Nisma e re do ti sigurojë rektoratit të UT-së më shumë informacion për punën e çdo pedagogu që është nën varësinë e këtij institucioni. Po ashtu, ky vlerësim do tu vijë në ndihmë edhe mijëra studentëve, të cilëve u është dashur të ballafaqohen me rezultate që si kanë merituar, për shkak të pengesave të shfaqura nga pedagogët në realizimin e lëndës mësimore. Nuk janë të pakta rastet e denoncuara, kur studentët kanë kaluar në provime të caktuara, duke i dhënë më parë një shumë të caktuar parash pedagogut të lëndës. Po ashtu të shumta kanë qenë ankesat edhe për rastet abuzive të moszhvillimit të lëndës mësimore, siç përcaktohet në udhëzimin e vitit akademik, për shkak të mungesës së pedagogut në auditor.

PRANVERA KOLA : Gazeta Metropol

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama