Studentet po genjehen. MASH nuk i ka perfshire te gjithe universitetet ne procesin e rankimit

Studentet po genjehen. MASH nuk i ka perfshire te gjithe universitetet ne procesin e rankimit
Studentët shqiptarë e kanë shumë të vështirë të bëjnë dallimin mes universiteteve për nga cilësia. Kjo pasi në vendin tonë nuk ka një renditje të saktë të institucioneve të arsimit të lartë nga më i miri te më i dobëti. Për pasojë edhe vlefshmëria e diplomave vihet në pikëpyetje, sidomos kur bëhet fjalë për universitetet private, për të cilat studentët derdhin miliona lekë.

Rankimi i universiteteve

Lidhur me çështjen e rankimit të universiteteve Open Data Albania ka ndërmarrë një studim duke iu referuara edhe të dhënave nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kjo e fundit me qëllim informimin më të mirë të studentëve për ofertën në sistemin arsimor në vend ndërmori para pak kohësh një projekt pilot për renditjen e IAL-ve që operojnë në treg. Kjo renditje u përqendrua në katër degë: ekonomi, drejtësi, infermieri dhe shkenca sociale. Problemi kryesor i kësaj renditjeje është se ndryshe nga simotrat e saj, ky sistem nuk ka një përpunim të të dhënave që të listojë IAL-të nga më i miri te më i dobëti (apo më pak i miri) duke iu lënë dorë të lirë IAL-vë të propagandojnë vetëm ata faktorë ku janë klasifikuar në krye. Ky fakt shton akoma më shumë “zhurmat” në treg dhe vështirëson orientimin në vend që ta lehtësojë. Universiteti i Tiranës

Problemi i dytë është se jashtë kësaj renditjeje ka qëndruar institucioni më i rëndësishëm në vend për nga numri i studentëve, Universiteti i Tiranës, por edhe IAL të tjera. Në të kanë marrë pjesë vetëm rreth 55% e IAL-ve që operojnë në treg. “Të dy këta dy faktorë vendosin në pikëpyetje plotësimin e qëllimit të MASH pasi SR nuk shfaqet shumë ndihmues në vendimmarrje. Akoma më tej, ka një dyshim shumë të lartë nëse përzgjedhja midis universiteteve private në vend bëhet kryesisht nisur nga dëshira për të dalë sa më të kualifikuar apo nga lehtësia e përfitimit të diplomës,” thuhet në studimin e ODA-S.

Mungon unifikimi

Renditja është procesi i cili synon të realizojë një listim të universiteteve, programeve, departamenteve, shkollave, etj, bazuar në kombinimin e disa indikatorëve. Sistemi i Renditjes (SR) së universiteteve nuk është shumë i vjetër. Ai daton nga viti 1983, por që atëherë duket se është kthyer në një industri të vërtetë. Ai mund të kryhet nga revista, gazeta, akademikë apo institucione qeveritare. Sot ekzistojnë shumë Sisteme Renditjesh kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat mbështeten në metodologji të ndryshme nga njëra-tjera. Kritikat mbi secilën metodë të përdorur, bëjnë që të mos ketë një sistem të unifikuar renditjeje, megjithatë ai ka një përdorim shumë të gjerë nga studentët e ardhshëm apo doktorantët në momentin kur janë duke zgjedhur universitetin ku do kryejnë studimet apo kërkimet e tyre. Arsyeja kryesore pse kryhet renditja e universiteteve është për t’iu përgjigjur rritjes së arsimit të lartë dekadave të fundit në gjithë botën. Me rritjen e numrit të studentëve, është rritur edhe nevoja e tyre për informacion dhe këshillim. Por kur numri i universiteteve është shumë i lartë dhe llojet e programeve që ato ofrojnë është gati i pafundmë, SR bën një lloj sintetizimi të gjithë këtij informacioni, bazuar në faktorë si: stafi pedagogjik, kërkimi akademik, raporti pedagogë-student, mundësitë për punësim pas diplomimit, etj. Pra, ai vlerëson në vend të personit që i duhet informacioni.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama