Studenti prezanton ekipin Arben Sako zhvesh Tiranen

Studenti prezanton ekipin, Arben Sako zhvesh Tiranën

Nëse Partizani i Ylli Tomorrit zgjodhi për t'i rrëmbyer lojtarët Studentit për të synuar titullin në sezonin e ardhshëm, të njëjtën gjë kanë bërë edhe kampionët në fuqi tw volejbollit për meshkuj, të cilët kanë zhveshur Tiranën. Në ditën e djeshme, trajneri i ri Arben Sako, në praninë e Blendi Nallbanit, drejtorit ekzekutiv të klubit, kanë prezantuar organikën e rinovuar të kampionëve. Ajo që spikat është "dyndja" e ish-lojtarëve të Tiranës, që kanë zgjedhur të ndjekin ish-trajnerin bardheblu në krye të kampionëve.

volej-web

Në fjalën e tij, Nallbani tha për gazetën: "Objektivi kryesor është që Studenti të ruajë hegjemoninë, pasi synojmë që skuadra të fitojë kampionatin edhe në sezonin e ardhshëm. Së bashku me trajnerin Sako po punojmë për t'i krijuar ekipit kushtet më të mira". Më tejm ai shtoi: "Prej tri vitesh që jam bërë pjesë e këtij klubi, jam bërë tifoz me Studentin dhe ekipi i volejbollit të meshkujve do ketë gjithmonë prioritet. Ekipi ynë do t'i japë tonin sërish kampionatit, siç e kërkon tradita dhe emri i tij".

Në fjalën e tij, Nallbani foli sërish për shkarkimin e Tomorrit: "Unë kam qenë futbollist dhe më ka ardhur keq kur m;u desh ta lija futbollin, mirëpo çdo gjë ka një moshë, Tomorri plotësoi moshën e pensionit dhe duhet të pajtohet me idenë. Nuk e mbaja dot, madje qëndroi për katër muaj në krye të ekipit pasi kishte mbushur moshën e pensionit duke fituar edhe titullin". Drejtori ekzekutiv i Studentit më pas u ndal te deklarata e Tomorrit, i cili e quajti "detyrim që duhet bërë" pjesëmarrjen e kampionëve në Kupat e Europës:

"Po marr shkas nga një frazë e profesor Yllit, i cili e quajti detyrim pjesëmarrjen tonë në kompeticionet europiane, pasi nuk e prisja vërtet që një njeri, i cili është marrë për shumë vite me sport, të shprehet në atë mënyrë. Kur mora detyrën time në këtë klub, Shqipëria kishte vite që nuk përfaqë- sohej në arenën ndërkombëtare dhe objektivi im kryesor ishte që ky trend mos të zgjaste. Nëse Tomorri e quan pjesëmarrjen tonë për 'sy e faqe', unë i përgjigjem që jam i lumtur që do marrim pjesë në kupat e Europës, pasi kjo është diçka e mirë edhe për vendin tonë të njihet në arenën ndërkombëtare.

Në fund dua të bëj një falënderim për Ministrinë, pasi na ka krijuar kushtet e favorshme për të punuar me këtë skuadër. I uroj trajnerit Sako suksese për vitin e ardhshëm dhe jam i bindur që skuadra do bëjë një ecuri shumë të mirë në këtë sezon", përfundoi Nallbani.

LEAR MAÇI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama