Të jesh beqar në moshë 40 vjeçare apo të humbësh partnerin gjatë kësaj moshe dhe të mos rimartohesh e rrit rrezikun e një vdekjeje të parakohshme dhe e ul mundësinë për të arritur tek të gjashtëdhjetat. Edhe në rastin kur njerëzit e martuar mund të kenë vese të tilla si duhani apo alkooli ata sërish kanë rreth 2, 3 herë më shumë mundësi që të jetojnë më gjatë se sa njerëzit e së njëjtës moshë që nuk janë të martuar, thonë studiuesit. Studimi në fjalë është udhëhequr nga dr Ilene Siegler dhe kolegët e saj të ‘Duke University Medical Center’, në Karolinën e Jugut.
“Të jesh beqar gjatë moshës së mesme ose të humbësh një partner duke mos u martuar sërish janë situata që rrisin vdekshmërinë gjatë kësaj moshe, duke mos u dhënë mundësinë këtyre njerëzve që të arrijnë pleqërinë. Vetmia kronike ka një efekt shumë negativ mbi jetëgjatësinë”, ka shpjeguar Ilene Siegler.
Në studim u përfshinë 4 802 persona të moshës 40 vjeçare të cilët u monitoruan për një periudhë 10 vjeçare. Gjatë kësaj periudhe, sipas studiuesve, u vu re se ata persona që nuk ishin të martuar gjatë moshës së mesme kishin një risk më të lartë vdekshmërie se sa ata me status ‘të martuar’.
Të qenët të martuar ka një ndikim pozitiv në jetën e njeriut. Njerëzit që janë lumturisht të martuar ushqehen më shëndetshëm, kanë më shumë shoqëri dhe inkurajojnë vazhdimisht njëri tjetrin që të kujdesen për veten, konkludojnë studiuesit.