Studio ne France me tarifa shteterore shqiptare

Studio ne France me tarifa shteterore shqiptare
Pas mbylljes së Panairit dyditor në Tiranë,ku Ambasada franceze e Shqipërisë solli 15 universitete publike nga Franca, që kanë marrëveshje me universitetet tona, këshilltari i Kulturës dhe Bashkëpunimit i kësaj ambasade shpjegon objektivat e këtij panairi dhe pse ka aq leverdi të studiosh në Francë

Të vazhdosh studimet në një universitet publik francez, do të thotë që të mos paguash për shkollën shumë më tepër se ç’do paguaje në një universitet publik në vend. Ambasada franceze organizoi ditën e premte dhe të shtunë në “Hotel Sheraton” në Tiranë “Panairin e Studimeve në Francë 2012”, ku morën pjesë 15 universitete publike franceze, të cilat kanë marrëveshje bashkëpunimi me ato shqiptare. Në këtë panair u paraqitën te maturantët, studentët dhe pedagogët shqiptarë mundësitë e studimit në Francë dhe të bashkëpunimit mes universiteteve të dy vendeve.

Ky, në të vërtetë, është viti i dytë i këtij lloj aktiviteti, por ndryshe nga viti i kaluar kur Tirana ishte një nga stacionet e panairit udhëtues në disa vende të Ballkanit, këtë vit panairi ishte ekskluziv për Shqipërinë. Gjë që do të thotë se në të morën pjesë vetëm ato universitete publike franceze, të cilat kanë marrëveshje me universitetet shqiptare, oferta e të cilave vlen për studentët tanë që duan që vitin e ardhshëm akademik të vazhdojnë studimet në Francë. Bëhet fjalë për studentë të vitit të parë të universitetit, të atyre që janë në vijim, ose për ata që duan të nisin studimet në nivelet e Masterit ose Doktoraturës, për të cilët (dy grupet e fundit) Ambasada franceze parashikon edhe mbështetjen me bursa studimi duke akorduar çdo vit nga pesëdhjetë të tilla. Panairi u çel nga vetë ambasadorja franceze në Tiranë dhe vazhdoi për dy ditë të plota me prezantime të universiteteve dhe takime për njohjen nga afër me studentët e interesuar, si dhe vendosjen e kontakteve mes pedagogëve shqiptarë dhe francezë të fakulteteve të të njëjtave drejtime.

Për më shumë informacion mbi qëllimet dhe risitë e këtij panairi, degët prioritare, por dhe procedurat që një student shqiptar duhet të ndjekë për të nisur studimet në Francë, si dhe tarifat e universiteteve publike atje, flet për “Mapo Studenti” Hubert le Forestier de Quillien, këshilltari për Bashkëpunimin dhe Kulturën në Ambasadën franceze në Shqipëri.

Cilat janë objektivat e “Panairit të Studimit në Francë 2012”?

Mes disa universiteteve publike franceze dhe disa universiteteve publike shqiptare ekzistojnë marrëveshje bashkëpunimi. Qëllimi ynë është që këto marrëveshje që ekzistojnë mes universiteteve në Shqipëri dhe atyre në Francë t’i thellojmë. Ky është objektivi i parë. Objektivi i dytë është që t’u japim mundësinë sa më shumë nxënësve dhe studentëve shqiptarë që të vijnë dhe të informohen për mundësitë e studimit në Francë. Prandaj dhe panairi këtë vit u zhvillua jo në një, por gjatë dy ditëve.

Gjithashtu, ky panair shërben për të shkëmbyer përvojë dhe për të lidhur kontakte për pedagogët e një fakulteti, le të themi të Inxhinierisë Hidrike të Francës dhe pedagogëve të së njëjtës degë të Universitetit Politeknik në Shqipëri, pra për të vendosur ura bashkëpunimi mes tyre. Është një aktivitet me shumë vlerë, sepse na vendos pranë studentëve dhe pedagogëve shqiptarë, na lejon të shpjegojmë atë çfarë ofron shteti francez, si nga ana e formimit universitar, ashtu edhe nga lehtësitë financiare. Aktualisht në Francë studiojnë 600 studentë shqiptarë. Objektivi ynë është që ata të jenë 1000 në vitin tjetër akademik. Ky është qëllimi dhe sfida e gjithë ekipit për Bashkëpunimin dhe Kulturën në Ambasadën franceze në Shqipëri.

Pse një student shqiptar, sipas jush, duhet të dëshirojë dhe të zgjedhë të studiojë në një universitet publik në Francë?

Përveç anës akademike dhe dëshirës së vetë studentit për të studiuar në një universitet francez, që do e motivonte për të mësuar gjuhën dhe për t’u larguar nga familja për këtë qëllim, duhet mbajtur mirë parasysh që universitetet publike franceze kanë një avantazh shumë të madh, që tarifat e regjistrimit dhe shkollimit janë shumë të ulëta dhe një student shqiptar ka të njëjtin tarifim si një student francez, pra financiarisht është me shumë interes që një student të bëjë studimet në Francë.

Për çfarë tarifash flitet?

Tarifa e shkollimit për një vit në një universitet publik në Francë është afërsisht 700 euro, studenti shqiptar ka dhe shpenzimet e udhëtimit, sigurisht dhe të jetës në Francë. Megjithatë, unë personalisht do doja të kthehesha dhe një herë, po të ishte e mundur, të isha student. Nuk besoj se është e pakëndshme të studiosh në Paris. Jeta është pak e vështirë në Francë për një student, por ka cilësi.

Panairi i studimeve në Francë u organizua dhe vjet në Shqipëri, por  këtë herë është ekskluziv për Shqipërinë. Pse e menduat në këtë formë organizimin? Jeni të kënaqur nga rezultatet e vjetshme të tij?

Këtë aktivitet e kemi filluar që vitin e kaluar, sepse e kemi menduar që është shumë e rëndësishme që nxënësve dhe studentëve t’u jepet informacion për mundësitë e studimeve të tyre. Në të vërtetë jemi përpjekur të bëjmë një përmbledhje të asaj qëFrancaiu ofron studentëve. Duke qenë se vitin e kaluar pas vizitës që iu bë panairit pati shumë interesime nga të rinjtë për të kryer studimet në Francë, menduam ta përsërisim këtë aktivitet dhe këtë vit, por ndryshe nga viti i kaluar, kur panairi u zhvillua në disa vende të Ballkanit dhe ndaloi edhe në Shqipëri, këtë vit është një panair ekskluziv për Shqipërinë, ku marrin pjesë të gjitha ato universitete që kanë marrëveshje bashkëpunimi me universitetet shqiptare.

Sa universitete franceze kanë marrëveshje të tilla dhe, a janë të orientuara në drejtime e fusha të caktuara?

Bëhet fjalë për 14, 15 universitete. Universitete publike që operojnë në fusha për të cilat Franca ka interes dhe ku ka studentë shqiptarë të interesuar si, inxhinieritë Civile, Hidrike, Arkitektura, Drejtësia, Mjedisi etj., etj.

Planifikohet të zgjerohet ky bashkëpunim me universitetet jopublike shqiptare?

Patjetër. Nëse një universitet jopublik ka një marrëveshje me një universitet publik në Francë, ne jemi të hapur. Ndërsa për sa i përket universiteteve jopublike në Francë, duhet të them se ato janë shumë të shtrenjta dhe nuk ekziston më avantazhi financiar i universiteteve publike. Universitetet private kanë pak a shumë të njëjtat tarifa si universitetet jopublike në Itali, Gjermani, Britani. Por sigurisht, ne jemi të interesuar që universitetet shqiptare të çdolloji të kenë binjakëzime me universitete franceze.

Le të flasim në terma më konkretë. Çfarë duhet të bëjë një i ri shqiptar që, pasi ka vizituar ose jo panairin, dëshiron të studiojë në Francë në një nga këto universitete për vitin akademik 2012-2013?

Janë dy momente të rëndësishme. Etapa e parë është që pranë Aleancës Franceze ekziston një zyrë e “Campus France”, që ka informacionet e nevojshme për studimet në Francë, dhe etapa e dytë është që në zyrën tonë të Bashkëpunimit në Ambasadën franceze në Tiranë, ne fillojmë procedurën e regjistrimit dhe shpërndarjen e dosjeve për në vitin e parë në universitet. Në kohën kur studenti vjen të tërheqë dosjen, ne japim informacion për degën e studimeve, qytetet dhe për gjithë procedurën që do vijojë. Kjo procedurë ka një afat që është data 31 janar, brenda kësaj date studentët duhet ta kenë tërhequr, plotësuar dhe dorëzuar dosjen pranë Ambasadës së Francës në Tiranë. Në momentin që do dorëzohet dosja, studenti ka një kontakt me përfaqësues të ambasadës, do të shihet motivimi, niveli i frëngjishtes, dosja dhe pastaj këto dosje nisen pranë universiteteve në Francë dhe aty është një juri që vendos nëse studenti pranohet. Nëse studenti pranohet,nisprocedura e vizës për kohën e studimeve, e cila është e shkëputur nga procedura pedagogjike që mbulon ekipi kulturor i ambasadës. Nga ana financiare, studenti shqiptar ka të gjitha avantazhet si një student francez, si për ndihmën sociale, si për strehimin, ushqimin, për gjithçka.

Studentët që duan të nisin një Master apo Doktoraturë, i kanë këto mundësi?

Ky është një panair për të gjithë. Por ka një ndryshim. Nëse për studentët e vitit të parë ne mbulojmë vetëm procedurën e regjistrimit akademik, për studentët e masterave dhe të doktoraturës ekzistojnë dhe programet e bursave, të cilat nuk ekzistojnë për vitet e para në universitet. Janë rreth 50 bursa që ne japim në vit për studentë të Masterit dhe Doktoraturës që futen në kuadrin e marrëveshjeve të bashkëpunimit mes universiteteve në Shqipëri dhe në Francë. Për bursat e doktoraturës, studentët e Shqipërisë duhet të jenë të regjistruar në një universitet në Shqipëri dhe në një në Francë, që ne i quajmë bursa cotutelle, pra që studenti ka dy udhëheqës, një në Shqipëri dhe një në Francë dhe në fund të këtij procesi del me dy doktoratura që i njihen, pra një këtu dhe një atje.

Nuk përmendëm studentët që janë në proces, për shembull të vitit të dytë, që do donin të vazhdonin vitin pasardhës në Francë. Çfarë parashikohet për ta?

Një student i tillë, për procedurë, duhet të regjistrohet në vitin e parë të universitetit ku shkon dhe me t’u regjistruar i njihen kreditet apo lëndët e dhëna dhe kalon automatikisht në vitin pasardhës, sipas rregullave më të përgjithshme të arsimit të lartë që ekzistojnë sipas Kartës së Bolonjës.

Studentët shqiptarë në Francë

600 aktualisht

1000 objektivi 2013

700 euro tarifa mesatare vjetore

15 universitetet publike franceze që kanë marrëveshje bashkëpunimi me universitetet shqiptare:


Institut d’Administration des Enterprises de Poitiers

Université Blaise Pascal

Université de Toulouse Il-Le Mirail

Ateliers Varan

Ecole Nationale D’Ingenieurs de Metz

INFA

ICN Business School

École Spéciale des Travaux Publics, du Bâtiment et de l’Industrie-Paris

Université de Technologie de Compiègne

Université de Strasbourg/ITIRI

IFG-Tirana

INSA de Rouen

L’Ecole Nationale Supérieure d’Ingénieurs de Poitiers

Ecole nationale supérieure d’architecture de Versailles

Université de Grenoble

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama