Suedi mbreteria e femrave

Suedi, mbretëria e femrave
Nga fillimi i janarit të vitit që vjen, figurat mashkullore të vendosura nëpër tabelat dhe shenjat e ndryshme rrugore do të ndihen më pak vetëm. Afër tyre, po në tabelat e sinjalistikës rrugore, do të vendosen edhe shumë zonja të veshura me fund. Një shenjë respekti e qeverisë ndaj grave, në shtetin që mban vendin e parë në Evropë për numrin e grave në Parlament, qeveri dhe qarqet drejtuese. E në fakt bëhet fjalë për Suedinë dhe ministren e Integrimit dhe Shanseve të Barabarta, Nyamko Sabuni. 38-vjeçarja me origjinë nga Burundi përpiqet çdo ditë e më shumë jo vetëm t‘i bëjë gratë të barabarta me burrat në vend, por shpesh edhe më të favorizuara.

Lodrat erotike

Rasti i fundit, në fillim të kësaj jave, vendos nën akuzë të gjitha farmacitë shtetërore në vend ku, që prej qershorit, përkrah ilaçeve dhe produkteve për fëmijë, në raftet e tyre ekspozohet pa asnjë lloj problemi linja e lodrave erotike, "Trust in Lust" (Besoju dëshirave). "Kemi shitur më shumë se një milion copë, dyfishi i asaj që kishim menduar", ka deklaruar përgjegjësja e kësaj linje, Eva Fernvall. Problemi qëndron se kjo linjë u kushtohet kryesisht grave dhe ka vetëm shumë pak produkte për meshkujt. Një ligj i ministres me ngjyrë bëri që ato të shiteshin nëpër të gjitha farmacitë.

Denoncimet

"Meshkujt ankohen se ndihen shumë të diskriminuar për shkak të seksit", shpjegon përmes telefonit Magnus Jacobson, një funksionar në Ministrinë e Shanseve të Barabarta dhe drejtor i një agjencie qeveritare, "Obdusman", e cila, nga viti 1980, mbron qytetarët që ndihen të diskriminuar. "Shumë meshkuj janë drejtuar te ne për të kërkuar mbrojte", vazhdon më tej ai. Atij dhe 34 anëtarëve të kabinetit ku punon u takon tashmë vendimi nëse do të ngrenë apo jo padi kundër këtyre farmacive.

Rojet e burgut

E njëjta procedurë ndodhi rreth dhjetë ditë më parë, kur ata që iu drejtuan kësaj agjencie ishin gardianët e burgut të

Norrköping, në Suedinë lindore. Ankesa u bë nën moton "pushime seksiste", sipas një plani për pushimet që u shkurtonin turnet dhe favorizonin dukshëm vetëm koleget e tyre ferma. "Që në 2005-ën, kur u bë i mundur denoncimi dhe diskriminimi në bazë të seksit, ankesat e meshkujve janë rritur në mënyrë të dukshme. Ata protestojnë se lokalet lënë të hyjnë femrat nën 23 vjeçe dhe jo meshkujt e të njëjtës moshë, ose sepse sajtet e ndryshme të internetit ofrojnë tarifa të ndryshme në bazë të seksit". E në fakt, gratë në Suedi marrin pjesë në politikë në një shkallë më të lartë se vendet e tjera të Evropës. Në Parlament dhe në qeveri gjysma e deputetëve janë gra. Në vend ka një ligj të veçantë, Ligji i Barazisë, i cili thotë se burrat dhe gratë duhet të kenë të drejta të njëjta në përvojat e punës.

Shqetësim mashkullor

Ky është një problem më shumë për Sabuni-n, ministren suedeze me origjinë nga Burundi, që në të kaluarën ka shkaktuar tensione të ndryshme në qeverinë e qendrës së djathtë (nga propozimi për të tërhequr fondet për shkollat fetare dhe luftën kundër mbajtjes së shamive për vajzat nën 15 vjeçe). "Ka emergjenca më të mëdha, si dhuna ndaj grave", komenton zëdhënësi Malin Engstedt, edhe pse siguron se nuk nënvlerëson shqetësimin mashkullor. E megjithatë, hapi i parë është hedhur: një leje lindjeje të barabartë me atë të nënave. Një shtysë më tepër kjo për ata që duhet të qëndrojnë në shtëpi me fëmijët. Përveç kësaj, në Suedi, që nga janari i vitit që vjen, në tabelat rrugore qeveria, dhe sigurisht ministrja Nyamko Sabuni, do të vendosin edhe figura femërore në shenjë respekti dhe barazie gjinore.

Ministrja

Nyamko Sabuni ka lindur në Burund, ku i ati, një militant politik socialist nga Zahireja, u detyrua të largohej nga vendi për shkak të konflikteve me regjimin. Familja e tij arriti të merrte azil politik në Suedi, në vitin 1981, kur Sabuni ishte 12 vjeçe. Ajo u rrit në Kungsängen, në veri të Stokholmit. Ka studiuar jurisprudencë në Universitetin e Uppsala-s, politikë emigrimi në Universitetin Mälardalen në Eskilstuna, si dhe informacion e mjete komunikimi në "Berghs School of Communication", në Stokholm. Edhe pse e ëma e saj është myslimane, ndërsa i ati i krishterë, Sabuni nuk beson dhe e deklaron veten ateiste. Ajo është e para grua me ngjyrë që ka arritur të jetë pjesë e një qeverie suedeze. Që prej emërimit në këtë post, ajo ka deklaruar se puna e saj do të bazohet në garantimin e lirive dhe të drejtave të barabarta me meshkujt të të gjithë grave suedeze.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama