Suedia do të japë një fond prej 400 milionë eurosh, për të ndihmuar vendet e Ballkanit që të kryejnë reformat e nevojshme si pjesë e integrimit në BE. Por, Maqedonia është një nga vendet e vetme që është përjashtuar nga kjo ndihmë. Siç bëhet e ditur nga agjencia e lajmeve “Reuters”, fondet do të ndihmojnë Shqipërinë, Bosnjë- Hercegovinën, Kosovën dhe Serbinë, ndërsa ato do të ndikojnë në reformimin e gjyqësorit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për çështje të administratës publike.
Ndërkohë, nuk bëhet e ditur se cilat janë arsyet e përjashtimit të Maqedonisë nga ky fond suedez, që kap shifra të larta. Fondi i miratuar u paralajmërua nga ambasadori suedez në Sarajevë, Fredrik Schiller, sipas të cilit Serbia dhe Bosnja do të marrin fonde shtesë për përmbytjet. Ai nënvizoi se vetëm për Bosnjën do të sigurohen 100 milionë euro nga Suedia. Ritmi i ngadaltë i reformave në Ballkanin Perëndimor dhe zbehja e entuziazmit në BE për zgjerimin e mëtejshëm, ka mbajtur këto vende prapa nga bashkimi me bllokun, shkruan “Reuters”.