Golashënuesi më i mirë i Partizanit të sezonit të fundit, Xhevahir Sukaj, prej disa ditësh ndodhet në Malajzi, pasi ka një ofertë nga skuadra FC Perak. Sipas mediave të këtij shteti aziatik, mësohet se Sukaj do t'i nënshtrohet një prove treditore dhe më pas do të vendoset për të ardhmen e sulmuesit shkodran.
Lajmi është bërë i ditur nga trajneri i skuadrës, gjermani Karl Heinz Vajgang, i cili pohoi se lojtari i është rekomanduar nga një menaxher që ai e njeh që para 20 viteve dhe që i ka ofruar edhe lojtarë të tjerë. Trajneri Vajgang është shprehur se në dallim nga lojtarët e tjerë të ofruar dhe testuar jashtë vendit, Sukaj është preferuar që të provohet në Malajzi.
"Këtë herë menaxheri vendosi që ta sjellë këtu (Malajzi) për ta testuar Sukajn", pohoi trajneri i FC Perak. Sukaj është lënë disa ditë që të ambientohet me vendin dhe kushtet, kryesisht klimën, dhe më pas të nisë një provë treditore. Ndonëse lojtari ndodhet në Malajzi, mësohet se Partizani nuk e ka humbur interesin për autorin e 21 golave në sezonin e fundit.
Mësohet se drejtuesit mbeten në kontakt me Sukajn dhe ia kanë bërë të qartë edhe ofertën e tyre që ai të vazhdojë me Partizanin në sezonin e ri. Oferta e të kuqve mendohet të jetë e kënaqshme, por tani gjithçka varet nga prova dhe kushtet që do t'i ofrojë skuadra aziatike Xhevahir Sukajt. Në mënyrë që të mos i humbasin shërbimet e shkodranit, të kuqtë "luten" që Sukaj të mos firmosë te FC Perak dhe të rikthehet te Partizani.
Pas një insistimi disaditor, Partizani ka arritur të bindë argjentinasin Agustin Torasa që të rikthehet dhe të jetë pjesë e skuadrës edhe për sezonin e ri futbollistik. Torasa është i sigurt që do të luajë në Europë, ndërsa për Sukajn ka ende shumë pikëpyetje për të ardhmen.
Ilir Cara