Sukaj rekordmeni i golit te Partizani kalon edhe Racicin

Sukaj, rekordmeni i golit te Partizani, kalon edhe Raçiçin

Me dy golat që i shënoi të dielën në darkë skuadrës së vendlindjes, Vllaznia, Xhevahir Sukaj ka shkuar në kuotën e 15 golave në kampionat me fanellën e Partizanit. Shkodrani është golashënuesi më i mirë për "demat" në këtë edicion, madje ka kaluar edhe numrin e golave që Stevan Raçiç realizoi sezonin e shkuar.sukajSulmuesi serb u bë vjet sulmuesi i parë i të kuqve që shënonte mbi dhjetë gola, që nga sezoni 2004-2005, kur Dorian Bylykbashi realizoi 24 gola. Ky është një nga sezonet më produktive edhe për vetë Sukajn, pasi në CV-në e tij nuk rezulton në asnjë vit që të ketë shënuar 15 gola në kampionat.

Bomberi i kuq i ka mundësitë që ta thellojë edhe më shumë rekordin personal me Partizanin, pasi mbeten edhe gjashtë ndeshje për t'u luajtur deri në fund të sezonit futbollistik.

Për momentin, 28- vjeçari është golashënuesi i dytë më i mirë i Kategorisë Superiore, pasi më mirë se Sukaj ka bërë shkodrani i Skënderbeut, Hamdi Salihi, i cili në 30 javë kampionat ka realizuar 25 gola.

Sukaj ishte lideri i Partizanit të fillimit të kampionatit, i cili në shtatë javët e para shënoi rregullisht. Kur realizon Xhevahir Sukaj, Partizani në asnjë rast nuk humbet, ndonëse disfatat janë të pakta për të kuqtë në 30 javë, vetëm dy të tilla, që erdhën në fundin e fazës së dytë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama