Xhevahir Sukaj po u tregon shumë shpejt drejtuesve të klubit të FC Perak në Malajzi se nuk kanë gabuar që i kanë besuar atij për këtë sezon.
Sulmuesi shqiptar, i cili u largua pak javë më parë nga Partizani për t'iu bashkuar klubit të ri në Malajzi, ka qenë protagonist në suksesin e sotëm me rezultatin 4-1 të skuadrës së tij ndaj PKNS në Kupën e Malajzisë.
Sulmuesi shënoi golin e dytë të sfidës për skuadrën e tij, e cila u kthye përsëri në pozita të favorshme për të kaluar në turin tjetër në Kupë, e cila në raundin e parë luhet me sistem grupesh.
Kjo ishte ndeshja e dytë e FC Perak në Kupë, ku kishte humbur të parën me rezultatin 2-1 ndaj PDRM. Sukaj shënoi edhe në atë ndeshje, por nuk arriti të ndihmonte skuadrën e tij të fitonte sfidën.