Xhevahir Sukaj ka rezultuar përcaktues edhe në Kukës, pasi me golin që shënoi në minutën e 93-të i dha tri pikë Partizanit. Shkodrani e konsideron një fitore të madhe dhe të merituar, për vetë rrjedhën që pati ndeshja. Golin ia dedikoi vajës së tij dhe ultrasve që sakrifikuan dhe shkuan në Kukës.
Në intervistën e dhënë për "Panorama Sport" shkodrani pohoi se titulli do të zgjidhet në javën e parafundit.
Xhevahir, keni marrë një fitore të madhe në Kukës...
Ishte një ndeshje e madhe për ne. Mund ta quaj perfekte për mënyrën se si rrodhën gjërat. Gjithçka u bë edhe më e bukur për faktin se shënuam në fund.
Pa dyshim që kësaj radhe fati ishte me Partizanin, pasi shënuat në fund dhe për 45 minuta keni qenë me një lojtar më pak?
Normalisht patëm fat, por e merituam. Ekipi bëri një ndeshje që duhet ta kenë zili të gjitha skuadrat e tjera. Jam i kënaqur me dëshirën shokëve të ekipit, pasi sakrifikuan që të gjithë. Kemi luajtur për 45 minuta me një lojtar më pak dhe dihet që Kukësi në shtëpinë e tij është shumë i rrezikshëm. Ne nuk u treguam inferiorë. Partizani tregoi se di të luajmë futboll. Falënderoj edhe tifozët që ishin më të shumtë në numër se vendësit. Partizani vazhdon rrugën e tij.
Goli juaj i dha fitoren ekipit, besonit te goditja e dënimit në minutën e 93-të që do të shënonit?
Zakonisht ne karakterizohemi nga besimi dhe nuk dorëzohemi. Kemi treguar se luajmë më mirë edhe kur jemi në vështirësi. Te rasti i goditjes së dënimit, i thashë Bathës dhe disa lojtarëve se, nëse nuk shënoja këtë radhë, nuk do t'i gjuaja më goditjet e dënimit. Çdo herë që gjuaja, topi përplasej në murin mbrojtës. M'u bë shumë qejfi që shënova dhe i dhashë mundësi ekipit që të vazhdojë garën për titull.
Kujt ia dedikoni këtë gol të fundit?
Golin ia dedikoj vajzës që e kam tifoze të çmendur të Partizanit. Gjithashtu, ky gol shkon edhe për të gjithë ultrasit që na ndoqën deri në Kukës, duke sakrifikuar. Zoti na shpërbleu në kohën shtesë pas gjithë asaj dëshire për të marrë tri pikë. Dua të përgëzoj edhe Kukësin dhe i uroj suksese trajnerit Duro.
Si e shikoni çështjen e titullit kampion?
Mendoj dhe shpresoj që të shkojmë në Korçë as 4 pikë para, as 4 pikë mbrapa. Shpresoj që të bëjmë finalen atje dhe gjithçka t'ia lëmë fushës dhe kush të jetë i zoti për të fituar. Në ndeshjen e parafundit shpresoj të vendoset gjithçka dhe ta marrë kush ta meritojë.
Tirana nuk e ndali dot Skënderbeun, pas dy javësh ju pret derbi...
Ne kemi ndeshjen me Tërbunin këtë javë dhe duhet marrë seriozisht. Më pas do të përgatitemi për atë të radhës ndaj Tiranës.
Përgatiti: ILIR CARA