Boksieri shqiptar Haxhi Krasniqi është ndeshur dje në qytetin gjerman të Zarbryken me rivalin e tij Jurgen Doberstein për titujt WBA InterContinental dhe WBO InterContinental në kategorinë super të mesme. 26-vjeçari gjerman, i cili aktualisht renditet në vendin e 12-të të klasifikimit botëror të federatës WBA, ka lindur pikërisht në qytezën Zarbryken, mirëpo, dje e gjithë festa ka qenë për sportistin tonë, i cili ka triumfuar falë një paraqitje të shkëlqyer. Haxhi Krasniqi ka fituar me vendim unanim të gjyqtarëve ndaj kundërshtarit tij.
Sfida
Ndeshja midis tyre është shoqëruar nga çaste nervozizmi, teksa dy boksierët nuk humbisnin rast për të provokuar njëri-tjetrin. Ky skenar ishte i ngjashëm me atë në ditën e prezantimit të sfidës, teksa boksierët pas matjes u acaruan me njëritjetrin, sidomos kazaku e provokoi dhe e shtyu Krasniqin, i cili u mat për ta goditur, por u bllokua nga punonjësit e sigurisë.
Mirëpo, të rikthehemi tek ndeshja djeshme, ku dy raundet e para ishin të barabarta, teksa boksierët po studionin strategjinë e njëritjetrit. Krasniqi ishte ai që merrte më shpesh iniciativën për të sulmuar kundërshtarin, që kundër shqiptarit zgjodhi strategjinë për t'u mbrojtur. Raundi i katërt foli më shumë për Krasniqin, ndërsa më pas ndeshja u rikthye sërish ekuilibri në ring. Rendimentin më të mirë kampioni kuqezi e dha në raundin e parafundit.
Krasniqi dominoi dukshëm raundin e 11-të dhe për pak sa nuk arriti ta mbyllte ndeshjen me nokaut, teksa rivali tij mezi qëndronte në këmbë. Kjo ishte një plus i madh për boksierin shqiptar që ka fituar shumë pikë në raundin e 11-të. Këto pikë i mundësuan Krasniqit që të bindte jurinë duke fituar takimin. Në fund nuk mungoi edhe përqafimi midis dy boksierëve.