Suksese te medha ne rindertimin e provinces Aceh ne Indonezi

Suksese të mëdha në rindërtimin e provincës Aceh në Indonezi
Para tre vjetësh dallgët e cunamit shkatërruan një sërë zonash bregdetare të Tajlandë, të Sri Lankës dhe të Sumatrës duke shkatuar edhe vdekjen e dhjetra-mijëra njerëzve. Shumë banorë të këtyre zonave mbetën pa strehë. Një nga zonat më të prekura prej cunamit ishte Aceh në Indonezi, ku janë shënuar suksese në rindërtimin e qendrave të shkatërruara. Krejt ndryshe paraqitet gjendja në Sri Lankë ku rindërtimi po pengohet prej rifillimit të luftës civile.

Tre vjet pas cunamit në Oqeanin Indian rindërtimi i provincës Aceh në ishullin e Sumatrës në Indonezi thuajse ka përfunduar. Kryetari i drejtorisë për rindërtimin në Aceh,  Kuntoro Mangkusubroto, thekson se thuajse të gjitha shtëpitë e shkatërruara prej dallgëve më 26. dhjetor 2004 janë rindërtuar.

„Ne thuajse e kemi përfunduar rindërtimin e shtëpive dhe deri në prill të vitit 2008 të gjithë do të banojnë në shtëpitë e tyre. Përparime të mira janë bërë edhe në drejtim të rimbjelljes dhe të kultivimit të tokave bujqësore dhe për ndërtimin e klinikave dhe te spitaleve."

Por edhe pse për ta janë ngritur tashmë shtëpitë, më tepër se 10.000 banorë të kësaj zone vazhdojnë të jetojnë në strehime provizore. Kjo sepse për çdo familje të prekur prej cunamit është ngritur një shtëpi e re. Por prej disa familjeve kanë mbetur vetëm fëmijët, që nuk mund të kthehen vetëm në këto shtëpi. Nga ana tjetër ka edhe një numër grash që kanë mbetur të veja, të cilat duan të qëndrojnë pranë familjeve të tyre dhe të mos shkojnë për të banuar në një nga shtëpitë e reja, sqaron Kuntoro Mangkusubroto, kryetar i drejtorisë për rindërtimin në Aceh.

Indonezia bën pjesë në vendet më të prekura prej katastrofave në botë. Arkipelagu i ishujve që përbëjnë Indonezinë shtrihet mbi të ashtuquajturën Unaza e zjarrtë e Paqësorit, një zonë me intensitet të lartë tektonik që shtrihet prej Japonisë deri në Jug të Oqeanit Paqësor. Tërmet dhe shpërthimet vullkanike janë fenomene të zakonshme për këtë zonë. Prej pasojave të cunamit në Banda Aceh gjetën vdekjen mbi 130.000 vetë. Qindra kilometra rrugë si dhe rreth 80 ura mes Banda Aces dhe Melaboh-ut u shkatërruan. Për ta përgatitur më mirë popullsinë për rastet e katastrofave autoritetet e vendit kanë përgatitur një program në bashkëpunim me Kryqin e Kuq amerikan dhe atë britanik.

Sipas të dhënave të drejtorisë për rindërtimin e Banda Acehs Indonezia mori pas cunamit mbi shtatë miliardë dollarë ndihma për rindërtimin, prej të cilave mbi 90% tashmë janë përdorur.

Bernd Musch-Borowska : Dw-World.de
 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama