Sulaj provokon me nje karikature per Papen

Sulaj provokon me nje karikature per Papen
Karikaturisti Agim Sulaj, për herë të parë në një ekspozitë personale në “North Wall” në Oksford

“Papa dhe Kisha” (Le pape et leglise) lexohet në një nga karikaturat e ekspozuara dje në galerinë “North Wall” në Oksford, ku artisti shqiptar, Agim Sulaj, ka hapur të parën ekspozitë personale. Situata e fundit në Vatikan e ka bërë Sulajn të hedhë në tablo këtë karikaturë, e cila të bie në sy menjëherë për vetë subjektin që mbart. Një fotografi e madhe e Papa Benediktit XVI, e ndarë në mes në dy anët e një muri. Në njërën anë dallohet një buzëqeshje e lehtë teksa përshëndet me dorën e ngritur lart ndërsa në anën tjetër të murit ndodhet kryqi. “Janë dy gjëra të ndryshme Papa dhe Kisha, d.m.th nuk janë aq unik.

Për këtë e kam ndarë në dy rrugë posterin”, thotë Sulaj për “Shqip”, duke vazhduar se “gjithë problematika e kohëve të fundit mbi Vatikanin dhe Papën e ka çuar drejt një konkluzioni të tillë”. “Papa i fundit personalisht për mua ka qenë pak i qartë dhe i turbullt në disa aspekte të jetës së tij”, thotë Sulaj. Në një tjetër karikaturë duket portreti i Nënë Terezës, fytyra e butë e shenjtores që mban në duar një kryq, i cili ka dalë jashtë portretit. Temat social-politike kanë qenë gjithnjë pjesë e rrëfimeve artistike të Sulajt. Përmes imagjinatës, ai gërmon në realitet imazhin, pasi në këtë gjini arti, realiteti është i domosdoshëm. Karikatura është parë gjithnjë si arti i madh i kritikës, përmes imazhit dhe përmes elementëve të zgjedhur për të hedhur në të.

Karikaturat e Sulajt kanë qenë gjithnjë të zgjuara, dhe kanë hapur debate mbi çështje të ndryshme që ai ka zgjedhur të trajtojë. Sulaj i përket një brezi artistësh të rinj që bazat e tyre i morën në atë që mund të quhet si shkolla e karikaturës në Shqipëri, revista “Hosteni”. Kur ishte 19 vjeç, ai fitoi një konkurs satire në këtë revistë dhe pas diplomimit në vitin 1985 në Akademinë e Arteve, ai nisi të punonte në këtë revistë.

“Hosteni ka qenë ‘fabrika’ më e plotë dhe më e kompletuar për ndërtimin e artistëve të satirës e karikaturës. E kujtoj me mall atë periudhë ku nisi edukimi im artistik dhe ku u njoha me mjeshtrit e artit shqiptar të karikaturës si Zef Bumçi, Ilir Pojani, Bardhyl Fico, Dhimitër Ligori, Kapexhiu, Shtjefen Palushi, etj.

Në mënyrën më të thjeshtë e më normale, ata të jepnin çelësin për t’u futur në botën e karikaturës, por nuk të tregonin derën ku duhet ta fusje atë çelës, atë do ta gjeje ti me punën tënde. Dhe unë për fat e kam gjetur”, thotë Sulaj. Në vitin 1990, Sulaj udhëtoi drejt Ankarasë së Turqisë me punën “Valixhja e emigrantit”, punim i vitit 1989 ku fiton çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”. Prej atij viti, rrugëtimi i tij artistik ka qenë jashtë hapësirës së Shqipërisë. Temat që ai zgjodhi për të shprehur qëndrimin e tij ishin të ndryshme, që tek varfëria, kriza ekonomike, emigracioni, apo komunizmi. Ajo që të tërheq në një karikaturë të Sulajt është ndjeshmëria që e përshkon.

Në një kohë kur arti i karikaturës duket se e ka humbur fuqinë e tij të dikurshme, duke qenë mbret në faqet e para të gazetave, apo revistave, artisti shqiptar ka ditur ta mbajë gjallë qëllimin e vërtetë të këtij arti, duke e bërë këtë qëllim të dukshëm. Të bësh karikatura sot, është sa e dobishme për mesazhet që publiku merr por dhe aq e rrezikshme për autorin e tyre, duke pasur parash atë çfarë ndodhi me publikimin e karikaturave të profetit Muhamed disa vite më parë.

“Në vendet e pazhvilluara është vërtet e paimagjinueshme të kritikosh një lider apo udhëheqës, apo më keq të kritikosh perëndinë e një mase njerëzish. Ndodh pak a shumë si në kohën e regjimit komunist ku ishte çmenduri të karikaturizoje Enverin…”, thotë Sulaj. Ekspozita e hapur në “North Wall” në Oksford, Angli, është pritur mirë nga kritika e qytetit. Sulaj ka sjellë një përzgjedhje të punëve të tij më të mira, por që i flasin aktualitetit, siç ishte dhe karikatura e Papës. I frymëzuar nga stili viktorian që ndihet në qytetin e Universiteteve dhe të Artit, ai e quan Oksfordin dhe Londrën burime frymëzimi për punën që bën, apo si një mundësi për të gjetur hapësira të reja.

Ndërsa Shqipëria? “Shqipëria është e do të mbetet në këndet e fshehura të botës sime artistike, si elementi i parë i formimit tim artistik e shpirtëror”, thotë ai. Agim Sulaj prej vitesh jeton në Rimini, ku ka ngritur dhe studion, ku hedh në letër imagjinatën…Ai është një ndër artistët shqiptarë më të vlerësuar me shumë çmime në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, Luksemburg.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama