TIRANË, 19 Nëntor/ATSH/.- Kuvendi i Shqipërisë mbajti të enjten një minutë heshtje në nderim dhe respekt të viktimave të sulmeve terroriste që goditën Parisin gati një javë më parë.
Në nisje të seancës së sotme kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka propozoi të nderohet kujtimi i 132 viktimave me një minutë heshtje.
"Do të kërkoja që pas aktit të rëndë terrorist që ndodhi në Francë, ku qindra qytetarë francezë ranë viktima të një dhune absurde dhe të palogjikshme, i lutem parlamentit të mbajë një minutë heshtje", u shpreh Paloka.
Paloka:Rama t'i përgjigjet akuzave të ambasadorit amerikan
Kreu i grupit të deputetëve demokratë Edi Paloka, në fjalën e sotme në parlament, kërkoi që kryeministri Edi Rama të vijë në seancë dhe t'i përgjigjet akuzave të ambasadorit amerikan 'për kriminelë që lëvizin të lirë dhe që nuk janë vënë para drejtësisë'.
"Para se flasim për "Kodin e Etikës' së policisë do doja që këtu të vinte kryeministri dhe të përgjigjej për deklarata e ambasadorit amerikan për deputetë të inkriminuar, për ministra dhe gjyqtarë të korruptuar, deklarata që së fundi përmendin me emra kriminelë që janë lënë të lirë dhe nuk janë vënë para drejtësisë dhe me këtë rast akuzat kanë qënë mëse të drejpërdrejta për ministrin Tahiri dhe këtë qeveri. Të gjithë e dinë se Shullazi nuk doli fare para drejtësisë, ndërsa Arben Frroku u la të ikte prej forcave të rendit", deklaroi Paloka.
Në vijim të fjalës së tij kreu i deputetëve demokratë tha se do 'donte të bënte një korrigjim tek deklarata e ambasadorit amerikan, 'se askush nuk është dënuar', pasi në fakt, tha ai, janë dënuar sekretari i përgjithshëm i PD-së dhe nënkryetari i PD-së, pikërisht se kanë denocuar faktin që kriminelë të tillë po lihen të lirë nga policia, pasi janë miq të ministrit të Brendshëm, që mbrohet nga kryeministri. "Nuk di se çfarë do të bëjë Rama tani, do e hedhë edhe ambasadorin në gjyq për të njëjtat akuza?", shtroi pyetjen Paloka.
Leskaj:Kryeministri është me shërbim jashtë vendit,
Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, që po drejton seancën e sotme, në përgjigje të kërkesës së z. Paloka tha se kryeministri sot është me shërbim jashtë shtetit, por përfaqësuesit e qeverisë janë prezent këtu dhe do t'i përgjigjen për gjithë ditën kërkesave të opozitës.
Pr/buxheti 2016-Kuvendi miraton sot kalendarin e shqyrtimit në komisione
Kuvendi pritet te miratoje në seancen e sotme kalendarin e shqyrtimit ne komisione të projektligjit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2016 dhe projektligjeve financiare që kanë lidhje me të.
Ligji më i rëndësishëm financiar i vitit mbërriti të martën në parlament. ndërsa ministri i Financave, Shkëlqim Cani e prezantoi draftin në Konferencën e Kryetarëve.
Rendi i ditës i punimeve të seances se sotme parashikon dhe shfuqizimin e ligjit "Kodi i Etikës së Policisë", ndërsa për votim vijojnë të mbeten disa pr/ligje, miratimi i të cilave kërkon 84 vota, si ndryshimet ne Kodin Rrugor, nje shtesë në ligjin "Për nëpunësin civil", etj. /a.s/f.n/(vijon)