16:20 - Ka shkuar në 19 numri i viktimave nga sulmet terroriste në Tunizi, sulme të cilat udhëhiqen nga ekstremistët islamikë të ISIS-it.
Sipas forcave të sigurisë në Tunizi tre personat e armatosur kanë vrarë edhe 11 pengje të tjera, duke e çuar numrin e tyre të përgjithshëm në 19. Mësohet se viktimat janë turistë polakë, italianë, gjermanë dhe spanjollë. Aktualisht në mjediset e Muzeut Bardo nuk ndodhet asnjë peng. Ende nuk ka një shifër të saktë se sa është numri i pengjeve, por sipas medieve ndërkombëtare në mesin e tyre ka shumë fëmijë.
14:40 - Të paktën 8 persona janë vrarë në një muze në Tunizi pas një sulmi terrorist paraditen e sotme në kryeqytetin Tunis.
Mësohet se tre persona të armatosurit të veshur me rroba ushtarake sulmuan Muzeun e Bardos, vetëm pak metra larg selisë së Parlamentit në Tunis. Në momentin e sulmit në muze ishin të paktën 200 turistë, disa prej të cilëve janë marrë peng. Ne mesin e pengjeve ndodhen edhe disa shtetas italian. Ministria e Brendshme tuniziane njoftoi se 7 nga viktimat janë të huaj, ndërsa një është shtetas tunizian. Sipas disa raporteve të pakonfirmuara zyrtarisht thuhet se turistët e vrarë janë nga Spanja.
Agjencia shtetërore e lajmeve “TAP”, shkruan se të shtëna janë dëgjuar edhe në godinën e parlamentit ndërkohë që aty mbahej një seancë. Me qindra forca sigurie kanë rrethuar zonën dhe kanë evakuuar godinën e parlamentit dhe institucionet e tjera. Tunizia ka qenë në luftë të vazhdueshme me ekstremistët islamikë që nga protestat masive të vitit 2011 që sollën rrëzimin e presidentit el-Abidine Ben Ali nga pushteti. Sa i përket Muzeut Bardo, ai ka një ndër koleksionet më të mëdha në botë të mozaikëve romakë.